Investimet e huaja arritën në 286 milionë euro në tremujorin e parë të këtij viti, duke shënuar një rritje të lehtë prej 2% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, të publikuara sot në bilancin e pagesave.
Në raport me tremujorin e fundit 2018, investimet e huaja ishin 8.3% më të larta, teksa punimet për gazsjellësin TAP vijuan me intensitet.
Sipas Bankës së Shqipërisë, fluksi i investimeve të huaja direkte në formën e zgjerimit të kapitalit, vlerësohet në 266 milionë euro — të përqëndruara kryesisht në sektorin e energjitikës (në masën 49%), të hidrokarbureve (në masën 18%) dhe ndërmjetësimit financiar (në masën 8%).
Në 2018, investimet e huaja direkte arritën një nivel rekord prej 1 miliard euro në 2018-n, me një rritje prej rreth 13%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke shënuar një nivel rekord.
Për rreth katër vjet, Investimet e Huaja Direkte kanë qëndruar në nivele të larta, për shkak të dy projekteve të mëdha në energjetikë, punimet për hidrocentralin në lumin Devoll nga Statkraft dhe gazsjellësi TAP. Statistikat e tjera të Bankës së Shqipërisë tregojnë se stoku i investimeve në energji u rrit me shpejtësi, nga vetëm 13 milionë euro në fillim të 2014-s, në 2 miliardë euro në fund të 2018, duke zënë 27% të stokut direkt të investimeve dhe duke kaluar në vend të parë, si pasojë e stanjacionit të telekomunikacioneve dhe bankave.
Investimi më i madh i realizuar ndonjëherë në Shqipëri, ai i gazsjellësit Trans Adriatik Pipeline (TAP), është drejt fundit. Sipas burimeve nga kompania, në Shqipëri, ka përfunduar tërësisht pastrimi i gjurmës së gazsjellësit dhe tubt janë salduar. Më shumë se 200 kilometra gazsjellës tashmë është nëntokë.
Stacioni i kompresorëve (Fier) dhe ai i matjes (Devoll), përfundojnë në vjeshtë. Në seksionin detar, punimet po vijojnë në pikën e daljes në det. Fokusi është te pjesa operacionale, si ngritja dhe trajnimi i burimeve njerëzore që do të merren me mirëmbajtjen e tubacionit, që po bëhet në bashkëpunim me kompaninë e përbashkët Albgaz-Snam.
Investimi i gazsjellësit në Shqipëri është vlerësuar në rreth 1.5 miliardë euro nga vetë kompania. Punimet nisën në verën e 2015, me infrastrukturën rrugore, por 2 vitet më intensive ishin në 2017-2018, ku vlerësohet se janë investuar më shumë se 500 milionë euro në vit. Për këtë vit vlerësohet që kanë mbetur edhe rreth 200 milionë euro investime.
Në total, nga 2.1 miliardë euro që ishte investimi total i planifikuar nga këto dy projekte të mëdha, për 2019-n kanë mbetur më pak se 300 milionë euro, ndërsa në 2020-n, këto dy burime do të jenë ezauruar tërësisht. Institucionet ndërkombëtare kanë tërhequr shpesh vëmendjen
për nevojën e zëvendësimit të këtyre projekteve me investime me vlerë të shtuar të lartë dhe të orientuara drejt teknologjisë.