MENU
klinika

Identiteti kompleks

Kafka në letërsinë moderne dhe jo vetëm

03.06.2019 - 13:48

Franz Kafka (i lindur më 3 korrik, 1883 në Pragë të Austro-Hungarisë, sot Republika Çeke; vdiq më 3 qershor, 1924 në Vjenë të Austrisë) ishte një nga shkrimtarët e historive të shkurtra, ndër romancierët më të mëdhenj të gjuhës gjermane të shekullit XX. Kafka njihet specifikisht për boshtin dhe mënyrën unike të stilit të të shkruarit. Disa prej shkrimeve të tij mbetën të pambaruara dhe u botuan pas vdekjes së shkrimtarit, megjithëse dëshira e vetë autorit ishte që ato të asgjësoheshin – vepra që në fakt, u bënë çelësi dhe simboli i ekzistencializmit.

Si vepra më e njohur e tij, mbetet tregimi i shkurtër me emërtimin “Die Verëandlung” (“Metamorfoza”), romani i pambaruar, “Der Prozess” (“Procesi”) dhe “Das Schloß” (“Kështjella”). Kafka tasmë është simboli i rrethanave të rëndomta deri në absurditet dhe surreale, të mbiquajtura “kafkiane”, zakonisht të hasura në veprat e tij.

Tmerri nga modernia

Në tekstet e Kafkës, sipas gjuhëtarit Michael Braun, drejtor i shërbimit të letërsisë në fondacionin “Kondrad Adenauer”, shprehet nervozizmi i kohës së tij përballë fenomenit të modernizimit. Rritja e qyteteve, mjetet e reja të transportit si hekurudha e para së gjithash automobili, teknikat e reja të prodhimit dhe një aparat shtetëror në rritje – të gjitha këto ishin të reja dhe i trazonin njerëzit. Këtë trazim, – thotë Braun,- njerëzit e ndiejnë edhe sot. “Për këtë arsye, Kafka pranohet si profet, si dikush që i parapriu në 1900-ën realitetit të mesit të shekullit të kaluar e të mëvonshëm, si p.sh. njeriu i kontrolluar nga të gjitha anët apo njeriu i torturuar. Nga “Kolonia e ndëshkimit” mund të kalosh direkt tek Guantanamo.”

Njeriu nuk është asgjë në botën moderne. Të paktën si person, ai vlen pak. Në radhë të parë është e rëndësishme që e gjitha, pra shoqëria në përgjithësi të funksionojë. Ky besim gjeti shprehje ekstreme në lëvizjet totalitariste të shekullit të 20-të: nacionalsocializmi dhe komunizmi. Por edhe pse shtetet e organizuara në mënyrë demokratike e kanë zbutur disi këtë program të rreptë p.sh. me programe sociale apo kanë zbutur mjaft sistemin e tyre juridik, ndjenja e pafuqisë së individit, e përshkruar nga Kafka, vazhdon të ekzistojë ende sot. Në mënyrë paradoksale edhe shoqëritë në të cilat njerëzit gëzojnë liri të mëdha, mbartin një lloj tmerri. Fenomeni me të cilin është marrë vazhdimisht Kafka, i trazon njerëzit ende sot. “Autoritetet pjesërisht shihen si kërcënuese, e pjesërisht vihen në lojë. E gjitha kjo shkakton mungesë orientimi. Këto janë përvoja të modernes, që vazhdojnë deri sot dhe të cilat një autor si Kafka i ka paraqitur në mënyrë të shkëlqyer dhe ekzemplare.”

Forca tërheqëse e ambiguitetit të Kafkës

Për kuptimet e shumëfishta që vezullojnë në tekstet e Kafkës, ka edhe një arsye tjetër, shpjegon Michael Braun. Ajo gjendet në identitetin kompleks të Kafkës, i cili është gjithashtu një fenomen i modernes. “Kafka ishte hebre, Kafka ishte avokat, Kafka ishte shkrimtar. Kafka vinte nga Praga, ai ishte çek dhe gjerman. Dhe të gjesh në këtë kompleksitet identitetesh të ndryshme, atë Kafkë që flet me fjalë të qarta, do të mbetet me sa duket, gjithnjë problem.” Megjithatë, – shton Braun, – pikërisht ky problem i bën tërheqëse tekstet e Kafkës: “Nëse ky problem nuk do të ekzistonte, çfarë do të na shtynte të lexonim Kafkën?”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


“Procesi” sipas të cilit gjendet thesari

Franc Kafkës i rikthehet autorësia…(veprat e fshehura)

"E para ishte fjala"

Autorë dhe thënie