MENU
klinika

Banka e Shqipërisë

Keni shumë kredi? Mësoni rregullat e reja!

23.06.2019 - 16:08

Banka e Shqipërisë do të miratojë një rregullore të re, e cila do t’i detyrojë bankat që të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën për individët apo kompanitë që janë të ekspozuar me kredi në më shumë se një bankë.

Rregullorja e re do të detyrojë që të gjitha palët, si bankat edhe individi, të firmosin një marrëveshje me njëri-tjetrin për rikuperimin e kredisë dhe shlyerjen e saj duke zgjatur afatin, ndërsa të drejtën për të marrë këstin do ta ketë banka me ekspozimin më të madh, ajo më pas do të shpërndajë kredinë në bankat e tjera.

Akti që pritet të miratohet nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës Qendrore do të shërbejë po ashtu që të mos lejojë më raste ku persona dhe biznese të ndryshme merrnin shuma të konsiderueshme në disa banka.

Shkak për hartimin e këtij akti mësohet se janë bërë konfliktet mes disa bankave për vjeljen e kësteve të personave që janë të klasifikuar si kreditorë problematikë, në kohën që më shumë se 1 bankë nxirrte pretendime për marrjen e parave apo sekuestrimin e kolateralit.

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, treguesi i kredive me probleme u rrit me 0.08 pikë përqindje nga muaji i kaluar, duke arritur në 11.46% të totalit të huas që është dhënë nga bankat për bizneset, individët etj.

Në dhjetor, ky tregues kishte zbritur në 11.08%.

Në vlerë absolute, kreditë e marra nga bizneset e individët, që janë më shumë se tre muaj vonesë në kthimin e kësteve ishin 500 milionë euro. Në raport me dhjetorin 2018, në portofolet e bankave janë shtuar edhe 30 milionë euro hua që është në vonesë.

Përgjatë gjithë vitit 2018, sistemi bankar pa një rënie të nivelit të kredive me probleme. Në dhjetor të vitit 2018, 11.08% e totalit të huave ishin në vonesë më shumë sesa 3 muaj, nga 13.28% që ishin në dhjetor 2017.

Banka e Shqipërisë vlerësoi se rënia e kredive me probleme, krahas përmirësimit të aktivitetit ekonomik, pasqyron edhe angazhimin e bankave në përmbushje të planit të masave për të ulur kreditë me probleme.

Pritshmëritë e Bankës ishin që pastrimi i bilanceve të bankave nga kreditë me probleme dhe konsolidimi i sistemit bankar pritet të ndihmojnë në një rritje të qëndrueshme të kredisë në të ardhmen.

Por, në 2019-n, kjo tendencë nuk po konstatohet, të paktën në katër muajt e parë të vitit, duke sinjalizuar për vështirësi në aktivitetin e bizneseve, të cilët mbajnë dhe peshën më të madhe të huave problematike.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Banka Botërore: Është 15%

“Tarifa” e korrupsionit me rrugët

Depozitat e kreditë në valutë

‘Zhgënjen’ de-euroizimi