Në mbledhjet solemne të kuvendeve komunale, kanë kryer betimet dhe kanë nisur zyrtarisht detyrat kryetarët e zgjedhur në katër komunat e veriut të Kosovës.
Kryetari i Mitrovicës Veriore, njëherësh edhe lider i partisë Lista Serbe, Goran Rakiç, ka nisur mandatin e tij duke e konsideruar këtë pozitë si oligim të madh.
“Ky është një obligim i madh, jo vetëm për mua, por i të gjithë juve që jeni në Kuvend, që të jemi edhe më të mirë në punën që bëjmë dhe të shënojmë përparim në jetët e bashkëqytetarëve tanë, para së gjithash, që të jetojnë të qetë dhe t’iu ndihmojmë në çdo aspekt”, ka thënë Rakiq, pas dhënies së betimit solemn.
Kryetarët e katër komunave veriore të Kosovës, kanë fituar garën zgjedhore për të parët e këtyre komunave, në zgjedhjet që u mbajtën më 19 maj të këtij viti..
Këto zgjedhje kanë pasuar dorëheqjet e kryetarëve të këtyre komunave, më 26 nëntor të vitit të kaluar, në shenjë proteste ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës 100 për qind në importet e Serbisë dhe Bosnjës.