Kredia për blerje banesash arriti vlerën rekord të 110 miliardë lekëve, në rritje me 3.3% gjatë vitit të kaluar.
Megjithëse në tërësi kredia për biznesin vazhdon të dominojë strukturën e kredisë bankare në vend, gjatë viteve të fundit vërehet një riorientim i dukshëm drejt kredisë për individë. Në vitin 2018, kredia për individë arriti në afro 35% të totalit, pesha më e lartë e regjistruar ndonjëherë.
Kredia për blerjen e banesave nga individët është produkti kryesor në portofolin e sistemit bankar në Shqipëri.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, huaja për blerjen e banesave në fund të vitit 2018 përbënte 21.8% të huasë totale për rezidentët në Shqipëri. Për herë të parë, ky produkt ka kaluar në vlerë overdraftet e bizneseve, që përbënin 21.5% të portofolit total.
Rritja e kredisë për individë është nxitur nga normat e ulëta të interesit, por edhe një ofertë më e lartë nga bankat në këtë segment, me qëllim shpërndarjen më të mirë të rrezikut të kredisë.
Te individët, raporti i kredive me probleme në fund të vitit 2018 ishte 6.4%, ndërsa te bizneset mbi dy herë më i lartë, me 13.3%.
Kredia për biznesin ka rënë tashmë në 65% të totalit të kredisë për ekonominë shqiptare, ndërsa pesë vjet më parë përbënte rreth 70%. Mbështetur në raportin vjetor të mbikëqyrjes së Bankës së Shqipërisë, portofoli i kredisë për bizneset rezidente në Shqipëri ra me mbi 9% gjatë vitit të kaluar.
Ndryshe nga shumica e ekonomive të Europës Qendrore dhe Lindore, kredia në Shqipëri vazhdon të ketë një përqendrim të lartë në segmentin e biznesit.
Sipas ekspertëve, një nga arsyet e dominimit të biznesit në strukturën e kredisë është mungesa e tregut të kapitalit në Shqipëri, çka do t’i jepte biznesit një kanal alternativ për të siguruar financime.