Ambasada e Britanisë së Madhe në Tiranë me anë të një deklarate, ka dhënë mesazhe për zgjedhjet, që pritet që të mbahen këtë të diel.
Në njoftimin e ambasadës britanike, thuhet se qytetarët kanë të drejtë të votojnë të sigurt. Më tutje theksohet se ambasada dënon krimet zgjedhore, por po ashtu edhe shit-blerjen e votës.
- Njoftimi i Ambasadës së Britanisë së Madhe në Tiranë:
Mbretëria e Bashkuar beson se qytetarët kanë të drejtë të votojnë në mënyrë paqësore dhe të sigurt. Gjithkush që angazhohet të dielën më 30 qershor duhet të luajë rolin e tij në sigurimin e një mjedisi paqësor dhe të sigurt. Çdo formë nxitje e dhunës është e papranueshme. Ne mbështesim misionin ndërkombëtar të udhëhequr nga ODIHR për të monitoruar procesin e votimit.
Në protestën e fundit të mbajtur më 21 qershor 2019, ne pamë demonstrata paqësore që mbështetnin valën demokratike dhe ne nxisim dhe parime të njëjta që duhen ndjekur edhe më 30 qershor.
Ne u kërkojmë udhëheqësve politikë të përmbahen nga provokimet dhe retorika nxitëse. Ne vazhdojmë t’i bëjmë thirrje të gjithë palëve që të angazhohen urgjentisht në dialog konstruktiv për t’i dhënë fund kësaj bllokade politike.
Vetëm nëpërmjet bisedimeve, Shqipëria mund të zgjidhë situatën aktuale politike dhe të përqendrohet në zhvillimin e një gjykate kushtetuese dhe të kryejë reformën zgjedhore, duke përfshirë rekomandimet e mëparshme të ODIHR-it.
Duke ecur përpara, ne presim që të gjitha palët të mbështesin reformën në drejtësi në vazhdim dhe të vijojnë të hetojnë të gjitha akuzat për korrupsion dhe veprat penale zgjedhore, duke përfshirë manipulimin e votave. Mbretëria e Bashkuar është e qartë se askush nuk është mbi ligjin.