Gjykata e Shkodrës ka vendosur të lërë në ‘arrest shtëpie” ish-deputetin Bardh Spahia i akuzuar për ngjarje e ndodhura 3 ditë më parë KZAZ-të e Shkodrës.
Me thirrje e duartrokitje është pritur para gjykatës ish-deputeti demokrat.
Mësohet se qindra mbështetës janë mbledhur para gjykatës, ku gjithashtu ka një numër të madh efektivësh të policisë.
Me nisjen e seancës, ish-deputetit Bardh Spahia i është komunikuar akuza, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”. Prokuroria ka deklaruar se disponon prova e pamje filmike që tregojnë se Spahia ka qenë aktiv gjatë përplasjeve në KZAZ dhe nuk i është bindur urdhrit të policisë.
Më pas Spahia ka marrë fjalën dhe ka deklaruar se arrestimi i tij është një prapaskenë politike.
“Ngjarjet për të cilat po diskutojmë sot. Po bëj një parantezë sot jemi përballë një përplasje të fortë politike e sociale. Protestuesit kanë vepruar sepse nuk mund të lejojnë që të uzurpojnë një objekt publik pronë e bashkisë Shkodër.
Për këtë kemi marrë informacion nga ana e policisë dhe njerëzve të paautorizuar
dhe jemi drejtuar nga pallati i Sportit tek shkolla. Morëm informacion se kishte tension dhe u drejtuam atje për të qetësuar situatën.
Duke kërkuar qe situata të qetësohej sepse ishte e tensionuar. Materialet zgjedhore ndodheshin në një ambient të pambrojtur dhe aty ka pasur njerëz të paautorizuar. Ne kishim detyrë për të qetësuar njerëzit. Veprimet e arrestimit tim kanë prapaskenë politike. Mendoj që gjykata duhet ta shohë dhe vlerësojë siç duhet dhe bazuar në ligj”, ka thënë Spahia.
Ndërsa avokati Ivi Kaso tha se ish-deputeti ka qenë në grumbullimin e njerëzve por për një arsye legjitime jo për arsyetimin e pretenduar nga prokuroria.
“Pranojmë vetëm faktin që zotëria ka qenë në grumbullimin e njerëzve por për një arsye krejt tjetër legjitime, jo për arsyetimin e pretenduar nga prokuroria.
Policia ka pasur ngut për të kryer arrestin. Të priste urdhërimin e prokurorit.
Ndërkohë arsyetimin që bën prokurori nuk duhet as të relatojë dhe referuar
procesverbaleve e të tjera si ato që tha prokurori, procedura e ndjekur për arrestim është jashtë ligji. Ato nuk qëndrojnë për të dyshuarin Spahia, e ndërkohë pa flet arresti të prokurorit. Nuk kemi të bëjmë me person me rrezikshmëri për ikje. Procedura e ndjekur për arrestimin është jashtë ligjit. Ka qenë në aktivitet politik dhe publik në momentin e arrestit.
Prandaj dhe dispozita nuk mund të aplikohet në këtë rast. Nuk ka rrezikshmëri dhe vetëm prokurori mund të japë një masë të tillë dhe jo oficerët e policisë gjyqësore. Cila ka qenë arsyeja që OPGJ kanë vepruar me kaq ngut? Po flasim për një përfaqësues të popullit dhe ndërkohë që është arrestuar ka qenë duke i shpjeguar popullit shqiptar publikisht në emision arsyet që kanë çuar qytetarët në revoltë e protestë. Ai ka qenë duke ushtruar një të drejte të ligjshme si përfaqësues i popullit si funksionar i një partie politike”, deklaroi avokati Kaso
Ai tha se Spahia ka shkuar për të mbështetur institucionin e bashkisë së Shkodrës, policinë bashkiake dhe shkonte të protestonte kundër uzurpimit të Policisë së Shtetit
“E bashke me njerëzit përkundër një procesi farsë dhe të jashtëligjshëm të ashtuquajtur të votimeve”, tha avokati, duke dorëzuar me shkrim më pas arsyetimin.
Ai kërkoi lirimin e ish-deputetit pasi sipas tij, nuk ka një dyshim të arsyeshëm.
“Vepra penale për të cilën dyshohet nuk është e një rëndësie të tillë për një masë të tillë radikale
Referuar rrethanave të personalitetit, me një detyrë të lartë…ka qenë përfaqësues i zgjedhur, bazuar mbi gjendjen e tij gjyqësore, nuk ka qenë ndonjëherë i ndjekur apo i dënuar, duke pas parasysh profesionin e tij, po flasim për mjek, kërkojmë një masë më të lehtë dhe kjo do të lejonte mundësinë e të dyshuarit për të kontribuar në shqyrtimin dhe nxjerrjen e së vërtetës. Spahia do ketë bashkëpunim maksimal me prokurorinë për ndihmë dhe shpjegime”, deklaroi avokati Kaso dhe më pas gjykata u tërhoq për të marrë vendimin.
Seanca në ngarkim të ish-deputetit zhvillohet me dyer të mbyllura. Spahia ka qëndruar më shumë se 48 orë në izolim, ndërkohë që u ndalua ‘live’ nga policia.
Në mbledhjen e natës së kaluar, pas protestës së nëntë kombëtare të opozitës, u vendos që të gjithë ish-deputetët do të jenë sot në Gjykatën e Shkodrës për të protestuar kundër ndalimit të tij. Partia Demokratike e quajti ish-deputetin Bardh Spahia të burgosur politik dhe i kërkoi prokurorisë urdhërimin e menjëhershëm të lirimit të tij.
Kujtojmë se mbrëmjen e kaluar qytetarë nga Shkodra kanë protestuar para Policisë së Tiranës aty ku mbahet ish-deputeti Spahia, i arrestuar pas ngjarjeve në KZAZ në Shkodër.
Protestuesit kërkuan lirimin e Spahisë dhe personave të tjerë të arrestuar dhe paralajmëruan protesta të përditshme.