MENU
klinika

Vrasja e 1000 protestuesve

Ministri kinez: Masakra e Tiananmenit ishte veprimi i duhur

02.06.2019 - 10:04

Kina ka mbrojtur masakrën e përgjakshme të Tiananmen ndaj protestuesve të studentëve në vitin 1989, disa ditë para përvjetorit të saj të 30-të, duke thënë se ishte politika e “duhur”.

Pas shtatë javësh protesta nga studentët dhe punëtorët që kërkonin ndryshime demokratike dhe fundin e korrupsionit, ushtarët dhe tanket ndoqën dhe vranë demonstruesit në rrugët që çonin në sheshin Tiananmen të Pekinit më 4 qershor 1989.

Qindra, ndoshta më shumë se 1,000, u vranë, edhe pse numri i saktë i vdekjeve mbetet i panjohur.

“Ky incident ishte një trazirë politike dhe qeveria qendrore mori masat për të ndalur turbullirat që është një politikë e drejtë”, tha ministri kinez i Mbrojtjes, gjenerali Wei Fenghe, në një forum rajonal të sigurisë në Singapor të dielën.

Wei pyeti pse njerëzit ende thonë se Kina “nuk e ka trajtuar siç duhet incidentin”. “30 vjet kanë dëshmuar se Kina ka pësuar ndryshime të mëdha,” tha ai, duke shtuar se për shkak të veprimit të qeverisë në atë kohë “Kina ka gëzuar stabilitetin dhe zhvillimin”.

Brenda Kinës një ushtri censurash online ka “pastruar mediat”, duke hequr artikuj, meme, ose fotografi që lidhen me ngjarjen.

Diskutimet e protestave pro-demokrate të vitit 1989 dhe shtypja brutale e tyre janë rreptësisht tabu dhe autoritetet kanë mbledhur ose paralajmëruar aktivistët, avokatët dhe gazetarët përpara përvjetorit të çdo viti.

Ndërkohë, në takim foli edhe sekretari në detyrë amerikan i mbrojtjes Patrick Shanahan që e bëri përgjegjëse Kinën për destabilizimin e disa rajoneve të Azisë.

Shanahan nuk e përmendi drejtpërdrejt Kinën kur akuzonte “aktorët” destabilizues të rajonit, por vazhdoi të thoshte se Shtetet e Bashkuara nuk do të injoronin sjelljen kineze.

“Ndoshta kërcënimi më i madh afatgjatë për interesat vitale të shteteve në të gjithë rajonin vjen nga aktorë të cilët kërkojnë të sulmojnë, në vend që ta mbështesin, rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla”, tha Shanahan në mbledhjen më te madhe te sigurisë.