MENU
klinika

Poeti i dhimbjes

Misteri migjenian

09.06.2019 - 12:11

     Është quajtur disa herë Rëmboja shqiptar, por asnjëherë s’ka qenë e qartë, se ç’pjesë ka në këtë krahasim vdekja e parakohshme dhe ç’pjesë ka zymtia e veprës së tij. Por, në qoftë se nuk është një Rëmbo, aq më pak është një Lermontov apo Klejst i maleve tona. Ai është thjesht Migjeni, i vetëmjaftueshëm për të qenë shkrimtar i madh shqiptar, një ndër më të shqetësuarit shkrimtarë evropianë të viteve ’30-të, që jetoi dhe punoi në një vend e në një kohë të vështirë, tragjizmi i së cilës vulosi veprën e tij.

Ajo është e paktë si vëllim, por me një tension të brendshëm të pazakonshëm. Në të, ashtu si në veprat e vërteta të artit, ndodh ajo dukuri e mrekullueshme, kur biografia e shkrimtarit përzihet, mpikset e shumohet nga mijëra e mijëra biografi të tjera njerëzish anonimë, dëshmia dhe drama e të cilëve, nuk figuron në asnjë kronikë, enciklopedi, apo histori të shtetit.

Ajo zgjerohet për t’i gëlltitur e mbështjellë të gjithë ata dhe për t’u tkurrur pas kësaj përsëri, në mënyrë që t’i afrohet shëmbëlltyrës dhe përmasës së një jete njerëzore. Kjo dukuri, një nga më misteriozet në art, mund të krahasohet ndoshta, me bymimin e tkurrjen e universit, ashtu si e shpjegojnë shkencëtarët.

Ismail KADARE

 

 

 

 

Na të birtë e shekullit të ri

Na të birtë e shekullit të ri,

që plakun e lamë në “shejtnin” e tij

e çuem grushtin për me luftue

ndër lufta të reja

dhe me fitue…

Na të birtë e shekullit të ri

filizat e një toke së rimun me lot,

ku djersë e ballit u dikonte kot –

se dheu ynë qe kafshatë e huej

dhe në marrzi duhej shumë shtrenjtë t’u paguhej…

Na të birtë e shekullit të ri,

vllazën të lindur e të rritun në zi,

kur tingëlloi çasti ynë i mbramë

edhe fatlumë

ditëm me thanë:

S’duem me humbë

në lojë të përgjaktë të historisë njerzore,

Jo! S’i duem humbjet prore –

duem ngadhnim!

ngadhnim, ndërgjegje dhe mendimi të lirë!

S’duem, për hir

të kalbsinave të vjetra, që kërkojnë “shenjtim”,

të zhytemi prap në pellgun e mjerimit

që të vajtojmë prap kangën e trishtimit,

këngën monotone, pa shpirt, të skllavnis –

të jem’ një thumb i ngulun ndër trutë e njerzis.

Na të birtë e shekullit të ri,

me hovin tonë e të ndezun peshë,

ndër luftra të reja kemi m’u ndeshë

Dhe për fitore kem’me ra fli.

 

Shkrimtarët e mëdhenj, me kalimin e kohës, sikur bëhen edhe më të mëdhenj edhe më të dashur. Migjeni ishte një poet i madh e i formuar. Ai, vetëm sikur të qe ndalur në krijimtarinë e tij, qoftë edhe me “Poemën e mjerimit”, do të kish bërë aq shumë vend, saqë sot figura e tij të trondit e të emocionon. Ja, lexojeni sërish “Poemën e mjerimit” dhe të duket sikur ajo është shkruar këto ditë, për realitetin që të zë në rrugët tona.

Ai rrinte larg zhurmave dhe bujës, larg shoqërive fjalamane dhe klubeve, nën heshtjen dhe misterin e tij, kishte diçka magjiplotë, që të rrëmbente e të bënte për vete, gjithë brezin e ri, sepse Migjeni për të gjithë qe një mister, një mister që e bënte dhe më joshëse figurën e tij. Ai, çuditërisht, shkruante me një gjuhë të ëmbël shqipe, kur askush nuk e kishte njohur nëpër shkollat shqipe të asaj kohe!? E ndërsa shtypi gjëmonte nga polemikat dhe pikëpamjet për modelin e përsosur të drejtimit letrar, Migjeni, në heshtjen e tij madhështore, jepte shembullin konkret, pa u ngatërruar nëpër qorrsokakë, se si, për kë e për çfarë duhej shkruar. Çuditërisht në shkrimet e tij nuk kishte as himne, as lajka, as hipokrizi, por thjesht dhimbje, dashuri dhe guxim njerëzor…

 

 

 

 

 

Pikërisht kjo është karakteristika e poetëve të mëdhenj: ata përherë mbeten aktualë, përndryshe nuk do të ishin të mëdhenj. Poeti, ky rob i nderit, siç shprehej dikur Lermontovi në poemën “Vrasja e poetit”, është përherë i lidhur me popullin e tij, me vendin e tij, me fatet e kombit të tij e të mbarë njerëzimit. Vepra e një poeti të madh mund ta shëtitë lirisht gjithë botën dhe të ndihet kudo si në shtëpinë e tij. Se nuk ka zemër njerëzore, e cila të mos i bëjë vend një poeti të tillë. I këtij rangu ishte edhe Migjeni. Ajo plejadë autorësh të Shqipërisë, yjet e kohës migjeniane, do të vezullojnë përjetësisht mbi ndërgjegjen e kombit dhe do të mbetet e papërsëritshme.

RRALLË POPUJ NË BOTË KANË PASUR NJËKOHËSISHT NJË MIGJEN, NJË KONICË, NJË FISHTË, NJË NOL, NJË MARKO, NJË BUTKA, NJË PORADEC.

Sot, Migjeni, për çudi mbetet më i freskët se kurrë. Më i ditës se në ato ditë, në të cilat jetoi dhe shkroi perlat e tij të pavdekshme. Kur e merr sërish në duar, kur e lexon dhe e rilexon, kur kujton fatin e tij të trishtuar, nuk të vjen keq të qash.

I zhveshur krejtësisht nga mitizimet, i mbrujtur me një revoltë kozmike niçiane, ateist, me një prapavijë kuptimore humaniste dhe iluministe, Migjeni krijoi një prozë moderne të klasit të parë, duke e tejkaluar krahinizmin provincial. Proza e Migjenit plotëson poezinë e tij, që bëri një epokë të vërtetë.

 

 

 

 

Migjeni nisi të botojë proza dhe poezi që herët, në gazetën “Illyria”. Në Shkodër, në këtë lak kohor, jetonin e krijonin Fishta dhe Mjeda, një binom kulturor i veçantë.

A nuk i qëndron edhe sot kohës: “Recitali i malësorit”? Përfytyrojeni vetë malësorin e sotëm përballë malit të shurdhër, ndër zonat më të largëta… Vepra e Migjenit mbetet një akuzë, jo vetëm për vitet dhe shoqërinë që ai jetoi. Migjeni u drejtohet brezave me një mesazh të madh e human. Ai lexohet e do të lexohet sa të ketë lexues mbi këtë tokë, se poezia e tij ishte e lidhur fort ngushtë me këtë tokë dhe me këta njerëz./Konica.al

 

Përshtati: Hera Lera

Meli Qena: Është peridha më e ndritshme e jetës time

40 vjetori i themelimit të Teatrit ‘Dodona’

Arratisja më e madhe në veriun e vendit

Si e kaluan kufirin 26 veta të familjes Skepi më 1958!

Çfarë i ndodhi doktor Guarametos, i qëlluar nga hetuesi i tij

Misteret e një darke në faqet e një romani magjik të Ismail Kadaresë!

Bashkëshortja e ish-futbollistit rrëfen lidhjen e tyre pasionante

Piloti që u bë portier, historia e Mikel Jankut!

Xhufi: Enver Hoxha nuk donte t’ia linte partinë…

43 vjet nga vdekja, letra e fundit e Mehmet Shehut!