MENU
klinika

Zgjedhjet për kryebashkiak

Nesër përsëri votime në Stamboll, Erdogan pret fitore

22.06.2019 - 13:56

Në Turqi do të ripërsëriten votimet për të zgjedhur kryebashkiakun e ri të Stambollit.

Zgjedhjet në qytetin më të madh të vendit vijnë pasi partia në pushtet kontestoi rezultatet e procesit të 31 marsit me pretendimin për parregullsi.

Kandidati i opozitës, Ekrem Imamoglu, atëkohë fitoi me 0,2 për qind kundrejt rivalit të partisë kryesore, Binali Jildrim.

Republikani Imamoglu i cili duket përsëri më i favorizuari në sondazhe thotë se retorika e tij nuk ka ndryshuar.

“Vazhdojmë të bëjmë të njëjtat premtime si më parë por kemi një agjendë ndryshe. Jemi më pro demokracisë pasi ndodhemi në zgripin e saj,”tha Imamoglu.

Qeveria nacionaliste e Turqisë, por edhe vetë presidenti Erdogan, në javët e fundit nuk kanë kursyer etiketimet për kandidatin e opozitës, duke e quajtur Imamoglunë grushtshtetas, grek, vegël të Amerikës apo mbështetës të presidentit autokrat Sisi në Egjipt.

Për shumë qytetarë, këto zgjedhje kanë shumë rëndësi.

Aliye Dikman: “Jam kthyer nga Izmiri për të përmbushur detyrën time si qytetare, dhe i thashë bashkëshortit tim se do të votoja Imamoglunë. Një votë është prapë votë. Këto zgjedhje janë tejet të rëndësishme pasi njerëzit kanë disa pikëpyetje të cilat duan përgjigje, edhe pse rezultati mund të mos ndryshojë.”

Qendrat e votimit në qytetin me 16 milionë banorë të Stambollit pritet të hapen të dielën në mëngjes herët, dhe rezultatet do të shpallen gjatë orëve të darkës.