MENU
klinika

Marigona Qerkezi

Zëri brilant i muzikës klasike shqiptare në botë!

20.06.2019 - 19:13

Një nga zërat më domethënës në muzikën klasike si soprano shqiptare dhe një nga këngëtaret klasike që po i ngre shkallët e suksesit më shpejt sec po mendohej është Marigona Qerkezi, shqiptare nga Kosova.

Së fundmi ajo ishte në një event shumë të rëndësishëm të muzikës klasike në Teatrin Kombëtar të Tokios në Japoni, me operan e “Don Xhovanit” e Mozart, nën rolin kryesor të “Donna Annas” nga data 17 deri në 26 maj në 5 shfaqje. Në këtë rol në dirigjimin dhe regjinë e profesionistëve të njohur të muzikës klasike ajo ka treguar veten në lartësinë e duhur dhe është përshëndetur, mirëpritur atje.

Ndër emrat profesionistë të Mozartit në Operën “Don Giovanni” ishin: Nicola Ulivieri si Don Giovanni, Giovanni Furlanetto si Leporello, Marigona Qerkezi si Donna Anna, Juan Francisco Gatell si Don Ottavio, Wakizono Aya si Donna Elvira, dirigjenti gjerman Karsten Januschke i diplomuar në Vjenë dhe një nga emrat më të respektuar në botën e muzikës. Opera po zhvillohet nga 17-25 maj.

Fill pas këtij eventi të kaluar me shumë sukses nga këngëtarja e talentuar kosovare do të jenë evente të tjera ku rruga e saj do ta shpie në Itali e më pas në shtete te reja te cilat ajo do t’i shpalos me kohë.

Në Shqipëri ishte e ftuar nga Maestro David Tukiçi për të performuar në Akademinë e Arteve në Tiranë me Orkestren e RTSH, si dhe ka marrë pjesë dhe çmim në konkursin Marie Kraja , intepretoi në një koncert Gala “Bashkë me zemër” si dhe ne operan ‘’Le nozze di Figaro’’ debutoi rolin e Contessa d’Almaviva në TKOB.

“Vërtetë është fakt surprizues, qoftë publik, qoftë të pranishëm kur dëgjojnë se nga vij dhe në shumicën e teatrove, për të mos thënë të gjitha, jam e para nga Kosova që performoj në ato skena”, shprehet Marigona Qerkezi për mediat kosovare në lidhje me operan në Japoni.

Së fundmi ka marrë titullin ‘Nderi i Gjakovës’, i një vendi ku shtresëzimet kulturore janë shumëngjyrëshe dhe të shumëllojshme.

Me rastin e 70 vjetorit të shkollës së muzikës ‘’Prenk Jakova’’ në Prishtinë interpretoi para pak ditësh në vendin e saj të dashur në Kosovë.

Marigona Qerkezi plotësohet dita-ditës në identitetin e saj profesional në shumësi rolesh në jetën e saj profesionale si, “Donna Annas”, ‘’Lucia di Lammermoor’’, një “Marcellina” e këndshme dhe e bukur, “Königin der Nacht”, ‘Contessa D’Almaviva’, ‘Madama Cortese’, ‘Rosalinde’, ‘Donna Anna’, “Gilda”, po për më shumë ajo vjen në vesh bukur në ëmbëlsinë e saj të zërit sa potent dhe të lirshëm, të një lirike që duket sikur nuk ka fund në burimin e saj që vjen nga zemra për artin dhe muzikën.

Rrugëtimi i saj kalon në Slloveni, Kroaci, Maqedoni, Shqipëri, Kosovë, Rusi, Itali, Oman, Turqi, Irlandë, Spanjë, Portugali, Hollandë, Itali, Gjermani, Angli, SHBA, Japoni, por nuk përfundon këtu, ky është vetëm fillimi i një kalvari të pafundëm ashtu sic është arti, sa i bukur dhe i pafundëm.

Pjesë e rëndësishme e ndërtimit të personalitetit të saj muzikor është instrumenti i flautit, aleati i djathtë i zemrës së saj ku ajo ka performanca të shumta.

Viti 2019 për të ka sjellë shumë angazhime, që nga eventet madhështore të Tokios e deri te kalendari i shtrënguar e eventeve të tjera kudo në botë.

Ritmi i sukseseve të saj shprehet në pozitivitetin, natyrshmërinë që ajo shpreh muzikë dhe ciltërsinë e qëndrimit të saj sa edhe elokuencës të të shprehurit rol.

Francezët shprehen se ‘’Klasikja ngelet gjithmonë klasike’’. Ajo, klasikja, është shkalla më e lartë e kulturës që njeriu mundohet të shprehë me intelektin e tij, është e sprovuar dhe e kaluar në shumë vështirësi dhe mundim, dashuri dhe përkushtim.

Një këngëtar i muzikës klasike nuk duhet të ketë vetëm këto, duhet të shkrihet me rolin e veprës, me identikitin e profesionit me zemrën në dorë për publikun që e ndjek.

Është një situatë ku roli qendërsues lartësohet nga profania dhe pafundësia e mjeshtërisë që do të thjeshtën, të bukurën, të hijshmen, sublimen dhe rrugën për të arritur të përkryerën, profesionalizmin. Pikërisht prandaj artistët e muzikës klasike janë madhështorë në performancat e tyre, qëllimi i tyre është lartësues.

Edhe Marigona, krahas muzikës shfaqet gjithmonë e ciltër, e dashur, e ëmbël dhe gjithmonë pozitive, shumë e dëshiruar për publikun që e do. Një karakteristikë e personalitetit të saj për të kaluar te karakteri i rolit të veprës.

Nuk ka rrugë të mesme për të përvecse përkushtimi i plotë me shpirt, mendje dhe zemër tek muzika e saj.

Superlativat për këtë këngëtare profesioniste kanë filluar e marrin udhë sa dhe duartrokitjet e pambarimta në galatë dhe eventet kudo në botë. Falë zërit të saj të mrekullueshëm është e mirëpritur nga kritika me tone shumë pozitive në të gjitha shfaqjet. Ndër to mund të përmendim Gabriele Verdinelli, Stefano Mecenate, Carlo Core, Mirko Bertolini, Maria Theresa Giovagnoli etj. Në dy nga shumë qëndrime kritike pwr debutimet e saj thuhet thuhet:

” Lucia e zjarrtë dhe e gjallë nga Marigona Qerkezi, e cila në debutimin e rolit na ka befasuar me plotësinë e vokalitetit të lirshëm dhe lirisë së lirikës në notat më të larta.”
-Fabio Marcello

Në 2017 Gabriele Verdinelli thuhet se:

” Qerkezi ka treguar një sfond të jashtëzakonshëm teknik dhe një vokal të gjerë dhe homogjen në të gjitha regjistrat. E denjë për duartrokitje të ngrohtë pas skenës së famshme të çmendurisë, të kryer me rrjedhshmëri dhe lehtësi të habitshme edhe në ritmin e fshehtë të traditës me flautin.”Gabriele Verdinelli

Kush është rrugëtimi i Marigona Qerkezit?

Ajo ka lindur në Zagreb dhe është rritur në Prishtinë. Pasioni i saj për artin si cdo njeriu të talentuar filloi në fëmijëri dhe falë edhe mamasë së saj u përsos vit pas viti. Në fillim në Zagreb me shkollën e muzikës dhe të flautit e më pas në Prishtinë me shkollën e muzikës ajo u brymos dalëngadalë me vlerat më të mira muzikore.

Falë përkushtimit të nënës së saj, Merita Junikut ajo fillon një karrierë të pasur profesionale. Ëndrra e saj kaloi nga emocionet, konkurse, në role, udhëtime, ku avioni duket shtëpia e saj, në realitet, duke dhënë performancën e saj në cdo kryeqytet ku shkel në skenat e njohura botërore.

Zëri i saj dallohet për natyrshmërinë në lirshmëri duke u shoqëruar me karakterin e saj ekspresiv, zë fleksibël, i plotë dhe i njëtrajtshëm sa plot ngjyresa në kulmin e akteve të saj. Është një zë potent që po përsoset më tej, një zë që e impresionon publikun me plot ngjyresa e ëmbëlsi, plastike e këndshme që e shoqëron në cdo rol. Natyrshmëria e saj në timbrikën e vecantë u ka bërë përshtypje kritikëve.

Performancën e parë profesionale e pati si soprano 6 vjeçare në Ljubljanë-Slloveni dhe ne vazhdimësi gjatë formimit muzikor në Zagreb për instrumentin e saj të dashur flautin performoi në koncerte e konkurse të ndryshme, ndër to veçohet që u zgjodh të performonte në Moskë – Rusi si 15 vjeçare.

Një performancë domethënëse ka qenë në Gran Teatre del Liceu – Teatrin e Operës në Barcelonë me rolin e ‘Madama Cortese’.

Ka marrë çmime të ndryshme në shumë Konkurse Ndërkombëtare të Këndimit.
Më 2015 ka fituar konkursin “AsLiCo” në Itali, Konkursin e Operës “Leyla Gencer “ në Turqi dhe Çmimin Special “Accademia Teatro alla Scala di Milano”, Konkursin “Magda Olivero”, “Salice d’Oro Competition’”

Më 2017 ishte finalistja e ‘Francisco Vinas Opera Competiton’ ndersa në vitin 2018 fitoi çmimin “best under 25” në Konkursin Nderkombetar Operistik në Portofino – Itali.

Në moshën 22 vjeçare ajo bën debutimin e saj në rolin e “Mbretëresha e natës” në Die Zauberlote të As.li.Co në një turne të Shtëpisë e Operës Mbretërore Muscat në Oman.
Ka realizuar shfaqjen si këngëtare klasike me ‘Contessa’ në Le Nozze di Figaro në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit në Shqipëri.

‘Marcellina’ një rol i vecantë në Le Nozze di Figaro, prodhim të ‘’Circuit of the Lombardies Theaters ‘’ në Itali.

Në vitin 2017, krijon një performancë të mrekullueshme në “Lucia di Lammermor’’ të Donizetti në Teatro Lirico në Cagliari dhe Teatro Petruzzelli në Bar.

Lucian sic thotë ajo e ka në mendje dhe në zemër, është bërë pjesë e qenësishme si e ndjenjave dhe e profesionit të saj, ka qnë gjithmonë e dëshiruar me këtë rol.

Gjithashtu në 2017 ajo ishte ‘Madama Cortese’ në Il Viaggio a Reims në Festivalin e Operës Rossini dhe Gran Teatre del Liceu në Barcelonë.

si ‘Rosalinda’, një femër e hijshme në ‘’Die Fledermaus’’ në Teatro Petruzzelli në Bari.
Më 2018 me ‘Madame Cortese’ së bashku me flautin e saj në ‘’Il Viaggio a Reims’’ në kuadër të prodhimit As.li.Co të Circuit of the Lombardian theaters
Në teatrin e Cagliari-t me karakterin e ‘Gilda’ te Rigoletto

Por, çfarë do të sjellë në vazhdim viti 2019 për Marigona Qerkezi, shqiptares së Kosovës me potencë të madhe kulturore në lëmin e muzikës në arenën ndërkombëtare, si në muzikën moderne dhe në atë klasike?

Me G. Rossinin: Guglielmo Tell Matilde më 26-28 shtator do të jetë në Teatrin Social të Como-s, 4-6 tetor në Teatrin Ponchielli të Cremonas, 11- 13 tetor në Teatrin Grande di Breschia.

Vendqëndrimet artistike vazhdojnë në 2020 në 17-18 janar ajo do të debutojë në Teatrin Fraschini di Pavia, 17-18 janar në Teatrin Social të Bergamos në Itali.


Karriera e saj është e destinuar dhe e prenotuar në rritje profesionale sa të gjithë duhet të krenohen me këtë zë të vecantë të muzikës që i bashkohet shumë zërave shqiptarë dhe janë imazhi më i mirë që mund t’i kombit.

Ajo përvecse Kosovës nderon gjithë shqiptarët kudo janë me kthjelltësinë, bukurinë dhe përkushtimin e saj.

Ndëgjoheni me shpirt dhe zemër!

/ Bionelda Skonja