MENU
klinika

"Katastrofë humanitare"

OKB: Turqia dhe Rusia të stabilizojnë Sirinë

19.06.2019 - 16:06

Antonio Guterres, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, iu ka bërë thirrje Rusisë dhe Turqisë të stabilizojnë provincën Idlib në Siri, për të cilën ai thotë se vuan nga një “katastrofë humanitare”.

“Unë jam thellësisht i shqetësuar për përshkallëzimin e luftimeve në Idlib dhe
7 situata është veçanërisht e rrezikshme duke pasur parasysh përfshirjen e një numri më të madh të aktorëve”, tha Guterres.

Rusia, aleati kryesor i qeverisë së Sirisë, dhe Turqia e cila ka mbështetur rebelët anti-qeveritar në luftën civile tetëvjeçare, vitin e kaluar bashkësponsorizuan një marrëveshje për ulje të tensioneve në zonën e Sirisë veriperëndimore.

Por marrëveshja nuk u zbatua, duke detyruar qindra mijëra civilë të ikin nga Idlibi, ku rebelët e anti-qeveritar po luftojnë kundër qeverisë siriane.

Nënsekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara për çështje humanitare, Mark Lowcock i tha Këshillit të Sigurimit se pas ofensivës së trupave qeveritare në Idlib më 30 prill, rreth 330.000 njerëz janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre dhe më shumë se 230 civilë kanë vdekur.

“Ne shpresojmë që ushtria jonë dhe ushtria turke të mos luftojnë. Ky është qëndrimi ynë parimor”, u tha gazetarëve në Pekin ministri i jashtëm sirian Walid al-Moualem, duke qëndruar pranë diplomatit të lartë të qeverisë kineze, këshilltarit shtetëror Wang Yi.

Forca dominante në rajonin e Idlib është Hay’et Tahrir al-Sham (HTS), një krah i dikurshëm i al-Kaedës deri në vitin 2016. Të tjerë, përfshirë disa me mbështetjen e Turqisë, gjithashtu ndodhen aty.

“Pyetja tani është: çfarë dëshiron Turqia të bëjë në Siri? Turqia po zë një pjesë të tokës siriane dhe ka prani ushtarake në pjesë të caktuara të Sirisë,” shtoi al-Moualem.

Që nga prilli, forcat qeveritare siriane kanë shtuar bombardimet, duke vrarë dhjetëra njerëz.

Kina ka kërkuar prej kohësh që të gjendet një rezolutë diplomatike për luftën civile tetëvjeçare siriane. Wang tha se Kina do të vazhdojë të mbështesë Sirinë në ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial dhe luftën kundër “terrorizmit”, dhe do të ndihmojë me përpjekjet ekonomike të rindërtimit të Sirisë.