Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës ka votuar në favor të rivendosjes së të drejtave të votimit të Rusisë, pesë vjet pasi u hoqën për shkak të aneksimit të paligjshëm të Gadishullit të Krimesë.
Në një deklaratë të hënën vonë, Këshilli i Evropës tha se asambleja afirmoi të drejtat e anëtarëve të saj për të votuar, për të folur dhe për t’u përfaqësuar në asamblenë dhe trupat e saj. Asambleja votoi 118 pro dhe 62 kundër, me 10 abstenime.
Këshilli i Evropës, së bashku me Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, ka për detyrë të promovojë të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit në 47 shtetet e saj evropiane.
Kreu i delegacionit të Ukrainës, Volodimir Ariev, tha se vendimi dërgon një “mesazh shumë të keq” për Moskën dhe të tjerët.
Disa vëzhgues argumentuan se përjashtimi i Rusisë nga këshilli do të ishte shkatërrimtar për organizatat që veprojnë në vend. Rusia kishte kërcënuar të largohej nëse nuk do të merrte pjesë në votimin e së mërkurës për një sekretar të ri të përgjithshëm.
“Ndikimi i menjëhershëm i largimit të Rusisë nga këshilli nuk do të ndihej më nga Kremlini, por nga populli rus”, tha Komiteti Holandez i Helsinkit në një deklaratë në dhjetor.
“Largimi i Rusisë nga këshilli do të mohonte mbrojtjen dhe drejtësinë e qytetarëve rusë nga gjykata”.
Në vitin 2014, Rusia aneksoi ilegalisht Gadishullin e Krimesë në një referendum të dënuar ndërkombëtarisht pas një ndryshimi të diskutueshëm të qeverisë në Kiev.
Rastet me origjinë nga Rusia përbëjnë pjesën më të madhe të rasteve të paraqitura në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
Nga Deutsche Welle