MENU
klinika

Albert Çaçi

Rreziqet që vijnë nga Azovi

02.12.2018 - 12:12

Anulimi i takimit të djeshëm zyrtar midis Trump dhe Putin në Buenos Aires dëshmoi se incidenti i ndodhur para disa ditësh pranë detit Azov është i përmasave shumë më të mëdha sesa duket në pamje të parë.

Aq më tepër që për këtë takim kishin 3 muaj që stafet respektive po punonin intensivisht, pasi në të parashikoheshin të diskutoheshin tema të rëndësishme të sigurisë botërore si traktatet për kufizimin e armëve bërthamore START- 3 dhe INF.

Deti Azov është një aneks i Detit të Zi, në pjesën e tij veriore që lidhen ndërmjet tyre nëpërmjet ngushticës së Kerçit. Ka një sipërfaqe 37 555 kilometra katrorë dhe një gjatësi 340 me gjerësi 135 km.
Është një nga detet më të cekëta në botë me një thellësi maksimale prej 13 metrash, që nuk lejon lundrimin e anijeve me tonazh të madh.

Në marrëveshjen midis Rusisë dhe Ukrainës të vitit 2003 ky det është konsideruar një det i brendshëm midis dy vendeve dhe asnjë anije luftarake e huaj nuk mund të hyjë pa miratimin e dy palëve.

Por në vitin 2014 ndodhi kryengritja e Maidanit dhe Rusia aneksoi Krimenë, pas një referendumi që nuk është njohur nga Perëndimi. Megjithatë praktikisht Krimeja u kthye në territor rus dhe që nga ky moment gjithë brigjet në dy anët e ngushticë së Kerçit i kaluan Rusisë dhe hyrja në Azov tashmë konsiderohet praktikisht si hyrje ne territorin rus dhe i nënshtrohet procedurave ruse të kalimit.

Ujrat territoriale të Ukrainës ndodhen në veri, rreth 100 km larg ngushticës duke e vështirësuar lundrimin pasi tashmë duhet t’i nënshtrohet inspektimeve të rrepta të rojeve kufitare ruse.

Nuk duhet të harrohet që Ukraina ka dy portet e saj më të rëndësishëm pas Odesës, atë të Mariupol dhe Berdyansk ku kalon reth 40 % e eksportit kombëtar. Në to kalon gjithë eksporti i çelikut të kompleksit më të madh siderurgjik në Europë në Mariupol dhe eksportet e grurit për të cilat Ukraina është një ndër 5 eksportuesit më të mëdhenj botëror.

Ajo që e komplikoi me tej situatën ishte fakti që rusët këtë vit në maj përfunduan ndërtimin e urës në Kerç prej 19 km, më e gjata në Europë me një vlerë 5 miliardë dollare që e kufizoi kalimin vetëm në një kalate qendrore prej 230 metrash dhe duke mos lejuar me praktikisht kalimin në asnjë pikë tjetër të ngushticës.

Për më tepër (jo rastësisht) ura është e ndërtimit monolit (nuk mund të hapet) dhe ka një lartësi kalimi vetëm 35 metra. Në këto kushte reth 50% e flotës tregtare të Ukrainës nuk mund të kalojë më ngushticën duke e detyruar të eksportojë me anije me tonazhe të vogla duke i shkaktuar humbje të konsiderueshme ekonomike.

Pra, situata në Azov është bërë e papranueshme për Ukrainën që e shikon që me ndërtimin e urës Rusia po tenton ta kthejë detin Azov në një liqen të saj.

Në kushtet e këtij frustrimi Ukraina ka paraqitur në parlament një ligj për të anulluar marrëveshjen e përbashkët te 2003 për detin Azov. Mbas kësaj deti duhet të administrohet sipas Konventës se Detit të OKB të 1982 ku të dyja palët, si nënshkruese të saj, do të kenë nga 12 milje ujëra territoriale në varësi të brigjeve që kanë. Por më tej ky det duhet të konsiderohet i lirë për lundrim ndërkombëtar përfshirë edhe anijet luftarake.

Dhe këtu Ukraina synon që anijet e NATO s mund të futen në detin Azov pa miratimin e Rusisë si deri tani. Por edhe në ketë rast duhet të ketë një marrëveshje ndërkombëtare si ajo e Montreux e 1936 që rregullon kalimin e lire ndërkombetar në ngushticën e Bosforit që ndodhet në territorin turk.

Pra në këtë situatë kaq të komplikuar dhe shpërthyese ndodhi incidenti ku tre anije luftarake ukrainase tentuan të futen në ngushticë nga ana e Detit të Zi pa marrë leje nga rusët.

Sipas versionit rus, anijet po hynin në ngushticën e Kerchit jo nga brigjet e Krimesë por nga krahu lindor i Krasnodarit duke shkelur ujërat territoriale që i përkasin Rusisë para se të merrte Krimenë, prandaj iu përgjigjën me forcë duke arrestuar 26 marinarët dhe sekuestruar tre anijet luftarake.

Pavarësisht versionit kontradiktor të palëve për dinamikën e ngjarjeve nuk duhet harruar se lufta e Vietnamit nisi nga një incident detar në gjirin e Tonkinit ku edhe sot nuk është sqaruar defitinivisht dinamika e ngjarjes.

Menjëherë kjo ngjarje ashtu siç pritej shkaktoi një stuhi politike dhe diplomatike. Gjithë Perëndimi dënoi Rusinë për këtë veprim duke kërkuar kthimin e menjëhershëm të anijeve dhe Moska iu përgjigj duke i sekuestruar anijet dhe duke i burgosur për tre muaj marinarët ukrainas për t’i treguar që me ata nuk mund të flitet me forcë.

Natyrisht personazhi kryesor i gjithë kësaj beteje ishte Presidenti ukrainas Poroshenko që për më teper është në fushatë elektorale, ku sondazhet e klasifikojnë të pestin pa asnjë mundësi rizgjedhje. Menjëherë ai shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në 10 rajone të Ukrainës, kërkoi nga NATO ndërhyrje energjike duke dërguar urgjent luftëanije në Azov, anullimin e takimit Trump-Putin, ndalimin e gazsjellësit Nord- Strean 2, vendosjen e sanksioneve dragoniane ndaj Moskës dhe i kërkoi Turqisë të mbyllë Bosforin për anijet luftarake ruse. Poroshenko bëri kërkesa si të ishte një vend themelues i NATO-s.

Por natyrisht, kërkesat e Ukrainës nuk mund të përkojnë me objektivat e Perëndimit që janë në një kontekst gjeopolitik shumë më të gjerë se interesat e Ukrainës.

Si zakonisht Europa u duk përsëri e përçarë, Britania e Madhe, Polonia dhe Vendet Balltike kërkuan që të vendosen sanksione të rënda kurse Gjermania dhe Franca kërkuan vetëpërmbajtje dhe qetësi për të kaluar këtë situatë që mund të dalë jashtë kontrollit.

Ajo që mori iniciativën ishte Merkel që i telefonoi si Poroshenkos ashtu edhe Putinit duke kërkuar maturi.Në radhë të parë Merkel ishte iniciatorja e marrëveshjes së Minskut-2, së bashku me Francë që ndaloi luftën në Donbas dhe një pozicion radikal ndaj Moskës mund të çojë në tërheqjen e saj nga marrëveshja.

Merkel e ka të qartë se pas kësaj marrëveshje ka vetëm luftë me pasoja katastrofike për gjithë sigurinë e Europës.

Po kështu Merkel e ka në evidencë reagimin agresiv të Moskës në Gjeorgji ne 2008 ku i shkëputi praktikisht Abkasinë dhe Osetinë e Jugut (30% e territorit të Gjergjisë) që dhe sot janë jashtë kontrollit të shtetit gjeorgjian.

Së treti, jo më pak i rëndësishëm është se një konflikt i ri Ukrainë-Rusi mund të ndërpresë tani në prag të dimrit furnizimin me gaz rus nëpërmjet Ukrainës ku kalojnë mbi 60% të furnizimit rus për BE.

Ish-ministri i jashtëm gjerman Gabriel deklaroi dje se Ukraina nuk duhet ta tërheqë Gjermaninë në një luftë shkatrrimtare me Rusinë, dhe Merkel duhet të bëjë gjithcka për ta evituar një skenar të tillë.

Për këtë Merkel ka marrë iniciativën duke i shprehur dje Putinit në takimin me të në Buenos Aires pozicionin e Perëndimit që përdorimi i forcës ndaj Ukrainës nuk do të tolerohet nga Perëndimi dhe se Rusia duhet të kthejë marinarët dhe anijet Ukrainës. Se ç’do të bëjë Putini, ngelet për tu parë në vazhdim pasi ky njeri nuk para premton shumë.

Nga ana tjetër Trump, megjithëse hezitoi deri në momentin e fundit, e anulloi takimin me Putin përsëri nuk është se ka mbajtur nje qëndrim radikal. Washington Post aludonte që Trump më shumë se për incidentin, e anuloi takimin pasi po atë ditë avokati i tij po dëshmonte për Russiangate dhe një takim me Putin mund të komplikonte shumë pozicionin e tij para amerikanëve. Pra Trump për momentin gjykon se është një problem europian dhe për këtë të merret Europa. Ai deklaroi se Merkel po merret me këtë çështje.

Nga ana tjetër Putin deklaroi dje nga Buenos Aires “Gjatë një takimi të shkurtër informal me Trump (ai zyrtar i planifikuar u anullua) iu përgjigja pyetjeve mbi incidentin e Kerçit, por ai mbeti në pozicionin e tij dhe unë në të timin”.

Kjo dëshmon se palët kanë shikime të ndryshme për sa ka ndodhur dhe në përgjithësi mbi situatën në detin Azov.

Pra mund të thuhet se incidenti i Kerçit përmban në vetvete potencialisht rrezikun e një përshkallëzimi mjaft të madh.

Por sidoqoftë ai nuk është i atyre përmasave sa mund të japë rrugë një konfrontimi ballor midis NATO-s dhe Rusisë pranë kufirit të saj. Madje është shumë e dyshimtë nëse NATO mund të hyje në një konflikt më një fuqi bërthamore për Ukrainën.

Janë probleme të përmasave shumë më të mëdha ato që mund t’i japin rrugë një konflikti të tillë që padyshim do të kthehet në botëror.

Por nuk është incidenti në vetvete i rrezikshëm, pasi një zgjidhje për marinarët dhe anijet edhe mund të gjendet.

E rrezikshme është që nëse situata nuk mbahet nën kontroll, mund të çojë në një koflikt të ri në Donbas dhe këtë herë nuk mund të zgjidhet me një marrëveshje tjetër si ajo e Minskut-2, por mund të ketë skenarë të frikshëm të një lufte totale.

Albert Çaçi

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Tensionohen përsëri marrëdhëniet

Incident në Detin Azov/ Rusia sulmon anijet ukrainase