MENU
klinika

Zgjatet afati për leje ndërtimi

Projektligji: Lehtësim për tokën “jo truall”, shqyrtimi për 90 ditë!

24.06.2019 - 17:45

Shqyrtimi i aplikimit për t’u pajisur me leje ndërtimi do të zgjatet me 1 muaj, duke shkuar në total në 3 muaj kohë.

Gjithçka parashikohet në një projektligj të hartuar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, i cili bën një saktësim të afateve ligjore në këtë drejtim. Aktualisht shqyrtimi i aplikimeve bëhet brenda 60 ditësh, ndërkohë që ligji i ri kërkon që kjo procedurë të bëhet për 60 ditë pune, çka në thelb zgjat me 1 muaj procedurën.

Sipas relacionit, që shoqëron projektligjin në Kuvend ky ndryshim vjen si domosdoshmëri, pasi edhe në Rregulloren e Zhvillimit të Territorit është përcaktuar që afatet ligjore për përllogaritjen e procedurave administrative që kryhen nëpërmjet sistemit “e-leje”, gjatë shqyrtimit të aplikimeve, janë në ditë “pune”.

Një tjetër ndryshim që pritet të sjellë lehtësi në marrjen e një leje ndërtimi lidhet me statusin e tokës. Sipas relacionit, gjatë shqyrtimit të aplikimeve të ndryshme për leje ndërtimi, është konstatuar se sipërfaqet, në të cilat kërkohet të ndërtohet, nuk gëzojnë statusin “truall”, çka kërkon zbatimin e procedurave për ndryshimin e resurseve të tokës, që janë formale dhe zgjasin në kohë, duke krijuar mospërputhje me afatet e shqyrtimit e të miratimit të lejeve, si dhe vonesa për aplikuesit.

Për këtë arsye, ligji i ri sugjeron që të parashikohet ndryshimi automatikisht i kategorive të tokës në momentin e regjistrimit pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës. Prej muajit shtator 2016 ka filluar nga funksionimi sistemi elektronik i lejeve të ndërtimit si platforma e vetme për kryerjen e aplikimeve dhe shqyrtimin e kërkesave për leje ndërtimi.

Lejet

Sipas INSTAT, në tremujorin e katërt të 2018-ës janë miratuar gjithsej, për të gjithë territorin e vendit 360 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, nga 211 leje të miratuara në tremujorin e katërt 2017, duke shënuar një rritje prej 70,6 %. Nga totali i lejeve të dhëna peshën më të madhe e zë kryeqyteti me 120 të tilla. Ndërkohë në rang vendi gjatëvitit 2018 janë miratuar gjithsej 1.194 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, nga 819 leje të miratuara në vitin 2017, duke shënuar një rritje prej 45,8 %.

“Sipërfaqja e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa të reja në tremujorin e katërt 2018 është rreth 618.219 m 2,nga rreth 197.130m2, miratuar në tremujorin e katërt 2017, duke shënuar një rritje me rreth 3 herë. Vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike në tremujorin e katërt 2018 është 22,1 miliardë lekë, nga 9,7 miliardë lekë miratuar në tremujorin e katërt 2017.Ky tregues në tremujorin e katërt 2018, krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë, u rrit me rreth 2,3 herë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Kanadezët kryejnë evazion të rëndë fiskal

Qeveria gjobit Bankers me 120 milionë euro penalizim!

Ndërtimet që preken nga ndryshimet

Planifikimi i territorit/ Qeveria ndryshon ligjin