MENU
klinika

Mendimi kritik

Qosja: Po letërsia shqipe në shekullin e ri?

26.06.2019 - 13:18

Ç’ka do të bëhet në letërsinë shqipe në shekullin e ri?   Sa pyetje e rëndë!

Shkrimtarët mund të bëhen dhe, në çaste të veçanta historike disa prej tyre edhe janë bërë, parathënës të ngjarjeve, të dukurive dhe të rrjedhave shoqërore, politike, ideologjike e morale, por puna e tyre krijuese vështirë se mund të parathuhet.

Mund të parathuhen ato që do të bëhen në ekonomi, fjala vjen, zhvillimet në industrinë automobilistike, në industrinë kimike a në industrinë e tekstilit, por është shumë e vështirë, pothuaj e pamundur, të parathuhen ato që do të bëhen në letërsi apo në artet e tjera.

Mund të dimë me sa për qind do të shtohet prodhimi i automobilave, i ngjyrave dhe i këmishave gjatë një, pesë a dhjetë vjetëve të ardhshëm, por në asnjë mënyrë nuk do të mund ta dimë se sa vjersha lirike, se sa drama, se sa komedi a tragjedi, se sa romane do të shkruhen gjatë atyre vjetëve.

Mund ta dimë, gjithashtu, se çfarë cilësie do të kenë prodhimet e ndryshme të degëve të ndryshme të industrisë gjatë një, pesë a dhjetë vjetëve të ardhshëm, por në asnjë mënyrë nuk do të mund ta dimë se çfarë cilësie artistike do të kenë vjershat, dramat, komeditë e tragjeditë, romanet, që do të shkruhet gjatë një, pesë a dhjetë vjetëve të ardhshëm.

Megjithëse nuk mund ta dimë se sa vjersha, drama, romane do të shkruhen në kohën e ardhshme dhe megjithëse nuk mund ta dimë as se çfarë cilësie artistike do të kenë ato, ne mund të supozojmë se si do të zhvilohet në përgjithësi një letërsi kombëtare në kohën që vjen.

 

 

 

 

Është e vërtetë se të flasësh për letërsinë në kohën e ardhshme, domëthënë t’i nënshtrohesh rrezikut që të jesh i përgënjeshtruar prej njëmendësisë letrare dhe shkencore-letrare, por në qoftë se gjithnjë do t’u frikësoheshim përgënjeshtrimeve, ne nuk do të provonim fare të paramendojmë e kjo domethënë as të planifikojmë të ardhmen tonë. Krijimtaria letrare, si krijimtari imagjinare, është një aventurë shpirtërore që vetiu e përmban rrezikun: të kesh sukses apo të dështosh. T’i frikësohesh rrezikut kjo domethënë të mos bësh asgjë. E vlen, prandaj të provojmë të parathemi edhe ardhmërinë e letërsisë shqipe në shekullin e ri, ta parathemi në vija të përgjithshme.

Letërsia shqipe në shekullin e ri do të jetë letërsi që e ka kushtuar plotësisht lirinë: kufizimet ideologjike dhe politike që aq shumë e kanë cënuar gjatë luftës së Dytë Botërore, në komunizëm, nuk do të mund t’i vihen më.

Shkrimtarët shqiptarë, më në fund, do të mund të jenë në rradhë të parë artistë: përpos ndërgjegjies së vet krijuese nuk do të jenë të detyruar t’i japin askujt llogari për punën e tyre krijuese. Kjo nuk domethënë, ndërkaq, se nuk do të ketë fare robër vullnetarë! Edhe në shekullin e ri, si në komunizëm, si sot, do të ketë shkrimtarë që me qejf do të pranojnë të bëhen shërbëtorë të kësaj e asaj ideologjie, të kësaj e asaj politike, të kësaj e asaj qeverie, të kësaj e asaj partie. Po, si as deri sot, mendimi i tyre nuk do të jetë masë e etikës së shkrimtarit shqiptar, kurse shkrimet e tyre s’do të jenë masë e letërsisë shqipe.

Liria e brendshme, shpirtërore, e shkrimtarëve shqiptarë do të sendërtohet në mënyra të ndryshme, me mjete dhe stile të ndryshme, me përmbajtje, ndjenja dhe filozofi të ndryshme.

Në qoftë se doktrina kundërshtuese e realizmit solli si pasojë që letërsia në komunizëm të ishte letërsi tmerrësisht e mbyllur, në shekullin e ri ajo do të nxitojë që të bëhet e hapur, plotësisht e hapur. Do t’i provojë dhe përvetësojë, natyrisht në mënyrë të stisur, prirjet kryesore, historike, të letërsive të mëdha: prirjet krijuese të lirisë moderne dhe postmoderne, të prozës dhe dramës moderne dhe postmoderne, të antidramës dhe antiromanit. Ajo do të zhvillohet ashtu siç janë zhvilluar edhe në epokat e përparme letërsitë e popujve të vegjël, siç janë zhvilluar gjithnjë letërsitë e vonuara: shpejtuese.

Gjithnjë e më shumë do të shquhet vetëdija elitore, por nuk do të harrohet edhe vetëdija e përditshme. Nuk do të shuhet përjetimi folklorik-himnizues i botës, që ka karakterizuar letërsinë shqipe si në epokën e romantizmit, por do të jetë një përjetim gjithnjë e më anësor. Shikimi dhe përjetimi kritik i botës do të bëhen shikim dhe përjetim mbizotërues në letërsinë shqipe, prandaj edhe gjendja kritike do të bëhet zgjedhja kulturore më e rëndësishme, më cilësore, më e çmuar. Dhe, do të jetë shprehje e rritjes së përgjithshme të popullit shqiptar.

Më shpesh se deri sot do të shkruhet për njeriun në vete, si në romanin e rrjedhës së ndërdijes, por veprat më të mëdha letrare do të jenë ato në të cilat do të shkruhet për njeriun në shoqëri dhe në histori. Diktatura komuniste në Shqipëri dhe terrori serbo-malazias në Kosovë do të përcaktojnë përmbajtjen e romanit dhe të dramës një kohë të gjatë. Në përpjekje e sipër që të përshkruhet gënjeshtra e madhe-komunizmi, do të mbulohen shumë të dhëna të fshehura dhe do të mbushen shumë “njolla të bardha”.

Do të shfrytëzohet më shumë se deri tani mitologjia dhe do të shfrytëzohet me qëllim të përgjithësimit poetiko-folozofik të përmbajtjeve të përditshme dhe të historisë.

Kufijtë e vetëdijes krijuese gjithnjë e më pak do të përputhen me kufijtë shtetërorë apo, madje, me kufijtë etnikë, sepse në letërsinë shqipe gjithnjë e më dukshëm do të trajtohen edhe përmbajtje të përgjithshme, kontinentale e planetare.

 

 

 

 

Do të rritet vetëdija estetike e letërsisë shqipe, por do të shtohet edhe numri i shkrimtarëve, që do të jenë të frymëzuar, në rradhë të parë, prej ligjeve të tregut. Për këtë arsye pornografia dhe, në përgjithësi shundi,  mund të bëhet një përbërës që do të rrezikojë vlerat.

Një numër gjithnjë e më i dukshëm i shkrimtarëve shqiptarë ka të ngjarë të jetojë jashtë Atdheut, prandaj me një pjesë të saj letërsia shqipe do të shpërngulet në botë. Kjo domethënë se roli i diasporës në letërsinë shqipe do të bëhet gjithnjë e më i madh. Shkrimtarët e diasporës do t’i sjellin letërsisë shqipe përmbajtje të reja dhe, në mënyrë të veçantë, përvoja të reja krijuese. Më shpesh se poezia lirike, do të shkruhet tregimi i shkurtër, romani dhe drama. Romani do të bëhet masë e zhvillimit dhe e vlerës së letërsisë shqipe.

Do të shkruhen shumë më shpesh se deri sot romani fantastik dhe romani kriminalistik.

Do të lulëzojë eseja.

Do të bëhen shumë prova krijuese.

Do të zhvillohet dukshëm shkenca e letërsisë dhe do të zhvillohet si shkencë moderne e studimit historiko-letrar dhe teoriko-letrar. Do të mbizotërojë shumësia e vrojtimeve, e shpjegimeve dhe e metodave të studimit të letërsisë.

Pas krizës metodologjike, morale dhe vlerësuese, prej së cilës vazhdon të vuajë edhe sot, do të rilindë edhe kritika letrare. Shkenca letrare jo vetëm se do ta shpjegojë drejt letërsinë, por do të ndikojë edhe në zgjerimin dhe thellimin e përvojës së saj të përgjithshme.

 

 

 

 

Do të bëhen gjithnjë e më shumë përkthime, natyrisht, prej letërsive të ndryshme kombëtare. Roli i tyre në letrësinë shqipe do të jetë shumë më i madh se deri sot. Përkthimet do ta shtojmë më shumë se deri sot mundësinë stilistike dhe artistike të gjuhës shqipe.

Do të rritet prania e letërsisë shqipe në botë, në mënyrë të veçantë prania e romanit shqiptar, sepse do të bëhen gjithnjë e më shumë përkthime në gjuhë të huaja.

Letërsia e ardhshme shqipe, si vetëdija krijuese artistike me epokën, do të bëhet, kështu, dëshmi e rëndësishme, mund të besohet shumë më e rëndësishme se deri sot, e dinjitetit sovran të kulturës shqiptare: në Vend dhe në Botë./Konica.al

Ashtu qoftë! 

 

 

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale

Ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe

Premiera “13” nën petkun e Sulejman Rushitit

“Kadare, Kuteli, Fishta…të ndërthurur në dramën bashkëkohore”

Erdhi si një mrekulli për publikun shqiptar

Marie Kraja, diva me zërin e pastërt dhe të kthjellët