Trajneri i Shqipërisë, Edy Reja, është paraqitur sot para gazetarëve për të folur në prag të sfidës kundër Moldavisë (të martën në mbrëmje në Elbasan), që shënon edhe debutimin shtëpiak të trajnerit italian.
Lidhja mbrojtje-sulm: “Unë nuk pashë probleme në mbrojtje dhe në sulm, por jam dakord që lidhja mes tyre është një problem, duhet punuar për një koordinim sa më të mirë. Pozicionet ishin të përshtatshme, por patëm pak vështirësi në pasimin e fundit. Po përmirësohemi në lëvizje, në lojë ofensive, tani duhet konkretizuar puna që kemi bërë, sepse në mbrojtje luajtëm një ndeshje të shkëlqyer, Islanda e goditi vetëm një herë portën tonë dhe shënoi.”
Ndryshimet e paralajmëruara: “Është ende herët për të vendosur. Do të shoh formën fizike, dikush mund të pushojë, sepse i kemi rolet të dubluara dhe vetëm ata që janë në 100% do të luajnë. E kam një ide, por të shohim, duhen edhe 24 orë deri në momentin e ndeshjes. Mund të bëj ndryshime, 3-4 e shumta, në mesfushë dhe në sulm mund të pushojnë disa lojtarë, sepse lojtarët u lodhën shumë duke sulmuar e mbrojtur”.
Mavraj: “Nuk e di a do jetë nga fillimi. Në fillim do ua them atyre formacionin, pastaj shtypi, sepse kështu e kam zakon, nuk është mungesë vlerësimi për mediat”.
Skema: “Mendoj se ia dolëm mbanë të gjenim ekuilibër në aspektin mbrojtës, mungon ende zgjidhja për lojën ofensive. Na mungojnë mesfushorët e aftë të futin topa drejt sulmit, në qendër dhe nga krahët. Gjithsesi, raste krijuam, por ajo që ra në sy ishin pasimet e pakta për sulmuesit dhe pres më shumë, sepse kjo skuadër i ka të gjitha mundësitë”.
Formacioni: “Kemi Uzunin, Sadikun që janë gati, edhe në mesfushë kemi alternativa të freskëta dhe mund të bëj një ndryshim. Në prapavijë e shumta një ndryshim do bëj, sepse luajtëm mirë. Në sulm mund të luajmë me Uzuni e Sadiku, ose Uzuni dhe një nga sulmuesit që luajti në Islandë, por Sadiku e njeh mirë portën dhe di të shënojë”.