MENU
klinika

108 të vdekur

Rusia kundër ndërhyrjes së huaj në Sudan

06.06.2019 - 15:54

Autoritetet ruse kanë thënë të enjten se e kundërshtojnë ndërhyrjen e jashtme në Sudan dhe se autoritetet sudaneze duhet t’i vënë nën kontroll “ekstremistët”, ka raportuar agjencia ruse e lajmeve, RIA.

Zv.ministri i Jashtëm rus, Mikhail Bogdanov citohet të ketë thënë se Moska përkrah dialogun në Sudan, rreth një periudhe tranzitore që do të finalizohej me zgjedhje të reja.

 “Natyrisht se për ta bërë atë gjë, rendi duhet të vihet dhe duhet luftuar ekstremistët dhe provokatorët që nuk e duan stabilizimin e gjendjes”, ka thënë ai. “Kjo është gjendja tani, por ne jemi kundër çfarëdo ndërhyrjeje të jashtme”, ka shtuar ai.

Të hënën, ushtria sudaneze kishte ndërmarrë fushatë mizore kundër protestuesve që kërkojnë demokraci. Mjekët e lidhur me opozitën thonë se të paktën 108 veta janë vrarë gjatë operacionit dhe trazirave.

Sudani është zhytur në dhunë që kur ushtria, në prill, e dëboi nga pushteti presidentin Omar al-Bashir, pas protestave masive kundër sundimit të tij 30-vjeçar autokratik.

Më 3 qershor, trupat dhe forcat paraushtarake në Sudan bastisën një kamp protestuesish në kryeqytetin Kartum, në të cilin ishin mbledhur mbështetësit e opozitës.

Këshilli Ushtarak, i cili e arrestoi Bashirin, u zotua për të vendosur sundimin civil pas një periudhe tranzicioni që do të zgjasë jo më shumë se dy vjet.

Por udhëheqësit e opozitës kanë vazhduar protestat duke kërkuar një transferim më të shpejtë të qeverisjes ushtarake në atë civile.