Kremlini tha të martën se nuk e dinte se ku Presidenti i SHBA Donald Trump e kishte marrë vesh se Moska kishte hequr shumicën e ushtarakëve nga Venezuela, sepse ata vazhdonin të punonin atje.
Ndërkohë që ndodhej në një vizitë shtetërore në Londër, Trump postoi në Twitter më 3 qershor duke pohuar se Rusia kishte hequr “shumicën e njerëzve të tyre” nga Venezuela, por nuk dha detaje të mëtejshme.
Deklarata e tij shkaktoi një tronditje, sepse, nëse është e vërtetë, kjo do të shënonte një pengesë të rëndësishme për Maduron, të cilën Uashingtoni dëshiron të largojë.
Zëdhënësi i Kremlinit Dmitri Peskov u tha gazetarëve se Rusia nuk kishte qenë në kontakt me Trump në këtë temë.
Peskov tha se u duk se informacioni i Trump kishte origjinën nga raporte gazetash, të cilat zyrtarët rusë tashmë e kanë mohuar, ose nga diku tjetër.
Peskov tha se këshilltarët ushtarakë rusë ende punojnë në Venezuelë dhe “ky proces ecën sipas planit”.
Në mars, Trump i bëri thirrje Rusisë të largohej nga Venezuela pasi Moska shpërndau rreth 100 ushtarakë në vendin e Amerikës Latine, ku udhëheqësi i opozitës Juan Guaido u shpall president i përkohshëm në janar.
Guaido mbështetet nga Shtetet e Bashkuara dhe më shumë se 50 vende të tjera, ndërsa Maduro mbështetet nga aleatë të tillë si Rusia dhe Kina.