MENU
klinika

Sa u rritën depozitat në tre muaj?

Shqiptarët derdhin paratë në banka

09.06.2019 - 15:23

Stoku i depozitave në sistemin bankar është rritur mesatarisht me 3.3% në tremujorin e parë të vitit 2019. Kjo ecuri është mbështetur nga zgjerimi i depozitave në valutë me 3.8% dhe i depozitave në lekë me 2.8% në terma mesatarë vjetorë.

Depozitat sipas agjentëve ekonomikë shënuan përkatësisht rritje vjetore mesatare me 2.8% në segmentin e individëve dhe 5% në atë të bizneseve. Depozitat e bizneseve vijojnë të karakterizohen nga luhatshmëri e lartë në terma afatshkurtër. Në fund të muajit mars, ato përbëjnë rreth 13% të stokut total të depozitave.

Struktura kohore e depozitave reflekton zhvendosje në dy skaje të kundërta: drejt depozitave pa afat; dhe drejt depozitave me maturitete afatgjata.

Depozitat pa afat përbëjnë 44.4% të depozitave totale në fund të muajit mars (44% në dhjetor ’18), ndërsa depozitat me afat maturimi mbi dy vjet rreth 12.1% (11.8% në dhjetor ’18).

Zhvendosja e depozitave në valutë është e orientuar kryesisht drejt komponentit likuid, ndërsa e depozitave në lekë është e orientuar si drejt komponentit likuid edhe drejt maturiteteve mbi dy vjet; ku kjo e fundit motivohet nga normat më të favorshme të interesit për këto instrumente.

Ritmet e rritjes së ofertës monetare hynë në territor pozitiv në tremujorin e parë të vitit 2019. Treguesi i parasë së gjerë, agregati M3, ka përmirësuar gradualisht normat e rritjes gjatë këtyre muajve, duke shënuar një normë mesatare vjetore rreth 2.2%.

Përbërësi valutor vijon të japë kontributin më të lartë në krijimin e parasë, ndërkohë që gjatë këtij tremujori është vënë re edhe përmirësim i kontributit të kredisë për ekonominë.

Në kahun e pasivit të bilancit të sektorit bankar, agregati M3 ndikohet kryesisht nga zhvendosjet e kursimeve të individëve në depozita me maturitete mbi dy vjet12.

Agregati në lekë, M2, ka përmirësuar gjithashtu normën e rritjes në 1.6% mesatarisht, mbështetur nga ecuria e qëndrueshme e kredisë në lekë.

Raporti i parasë jashtë bankave ndaj agregatit M2 ka shënuar rënie me 0.3 pikë përqindje në fund të tremujorit të parë, nga 37.6% që rezultonte në fund të vitit të kaluar.

Treguesi i parasë likuide, agregati M1, është zgjeruar me rreth 7.7% në terma mesatarë vjetorë, duke reflektuar kryesisht rritjen e shpejtë të depozitave pa afat në lekë në sistemin bankar.