MENU
klinika

Esad Pashë Toptani

“Shqiptari i njëmijë e një akuzave”

05.06.2019 - 15:27

   Esad Pashë Toptani:

20 Akuzat që kanë rënduar ndaj Esad Pashë Toptanit

  • Esad Pashë Toptani akuzohet se kur ishte 12 vjeç, bashkë me të vëllanë, Ganiun, keqtrajtuan të atin duke e mbuluar trupin e tij me një rrogoz të lagur me naftë dhe e kërcënuan se do ta digjnin.
  • Esad Pashë Toptani akuzohet se në vitin 1895 i dha 1500 lira turke Dervish pashës dhe u emërua komandant i Xhandarmërisë së Janinës.
  • Esad Pashë Toptani akuzohet se në vitin 1897, gjatë luftës greko- turke, grabiti të gjitha bagëtitë e imëta dhe të trasha të Janinës, kur u emërua si guvernator i përgjithshëm.
  • Esad Pashë Toptani akuzohet se bashkë me ushtarët që kishte nën komandë grabiti manastirin e Peshtanit në Përmet.
  • Esad Pashë Toptani akuzohet se i grabiti 900 lira turke baba Ahmetit, kryedervishit të teqesë së Koshtanit.
  • Esad Pashë Toptani akuzohet se dërgoi në Stamboll Haxhi Mustafën (Xhiun e Fajës), i cili vrau Xhavit beun, personin që i kishte vrarë të vëllanë, Ganiun.
  • Esad Pashë Toptani akuzohet se u përpoq ta sabotonte Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 1912, kurse më pas punoi për ta minuar funksionimin e qeverisë së Vlorës.
  • Esad Pashë Toptani akuzohet se më 20 shtator 1913 ngriti një qeveri paralele me atë të Ismail Qemalit, duke e ndarë Shqipërinë në dy pjesë.
  • Esad Pashë Toptani akuzohet se me besnikët e tij organizoi vrasjen e Hasan Riza pashës, komandantit të trupave shqiptaro- turke të Shkodrës.
  • Esad Pashë Toptani akuzohet se i dorëzoi Shkodrën Malit të Zi, duke kryer tradhti të hapur kombëtare, kundrejt një pagese të majme.
  • Esad Pashë Toptani akuzohet se nëpërmjet një komploti me armë, në janar 1914, u përpoq ta mënjanonte Ismail Qemalin, duke bashkëpunuar me Beqir Grebenenë.
  • Esad Pashë Toptani, akuzohet se në gusht 1914 organizoi në Durrës një kryengritje kundër Princit Wilhelm Von Wied, për ta larguar nga Shqipëria.
  • Esad Pashë Toptani akuzohet se më 27 maj 1915, në cilësinë e kryeministrit, urdhëroi Osman Balin për të vrarë ministrin e Financave, Nexhati Libohovën.
  • Esad Pashë Toptani akuzohet se më 23 janar 1916 kishte gisht në komplotin e vrasjes së Isa Boletinit dhe djemve e nipave të tij.
  • Esad Pashë Toptani akuzohet se më 24 janar 1919 kishte gisht në komplotin për helmimin dhe eleminimin e Ismail Qemalit.
  • Esad Pashë Toptani akuzohet se në janar të vitit 1920 organizoi vrasjen e prefektit të Durrësit, Koxhati.
  • Esad Pashë Toptani dhe ndjekësit e tij akuzohen se kanë djegur 856 fshatra në të gjithë Shqipërinë, në shenjë hakmarrjeje dhe kërcënimi ndaj kundërshtarëve.
  • Esad Pashë Toptani akuzohet se me anë të dokumentave false ka përvetësuar pasurinë e kushëririt të tij, Selim Pasha.
  • Esad Pashë Toptani akuzohet se kundër interesave të Shqipërisë bashkëpunoi me italianët, grekët, serbët, malazezët, austriakët, hungarezët dhe francezët.
  • Esad Pashë Toptani akuzohet se synonte shkatërrimin e qeverisë së Durrësit të Turhan pashë Përmetit në interes të vet, duke kërcënuar se do t’i vriste të gjithë ministrat e qeverisë.

 

 

 

 

 

 

DEKLARATA TË BUJSHME PËR VRASJEN

 

Enver Hoxha, Sekretar i Parë i KQ të PPSH, në mitingun e zhvilluar në Libohovë, më 28 maj 1969, në kujtim të Avni Rustemit.

“Akti heroik i Avni Rustemit në Paris nuk ishte një atentat i thjeshtë ai nuk kishte karakter terrorist apo anarkist. Jo! Akti i Avni Rustemit kishte një kuptim të madh politik dhe ideologjik. Plumbat e Avni Rustemit që shtrinë përdhe Pashën e Toptanit, mu në zemër të Parisit, ishin sinjal, ishin një kushtrim i atij revolucioni të popullit shqiptar që po ngrihej kundër feudalizmit”.

 

Mustafa Kruja, në librin Gjysmë shekulli me pendë në dorë, f.424, shkruan:

“Sikur mos t’i kishte pasë armatosun fat’i Shqipnisë dorën nji djaloshi të rrëmbyem prej patrijotizmit për me ia shkurtuem jetën, ndoshta do të kishte qenë thjesht fatal”.

 

Nikolla Pashiq, kryeministër i Serbisë, në gazetën francize “ Le temps”, 1920

“Kjo zhdukje ( vrasje) është për të ardhur keq. Së pari se Esad Pasha ishte miku ynë dhe gjithashtu është miku juaj ( francezëve)”

 

Llazar Fundo, student, në procesin gjyqësor ndaj Avni Rustemit

“Avniu bëri atë që do të kishte bërë çdo shqiptar tjetër, nëse do të ishte gjendur përballë një “monster” të tillë si Esad Pasha”.

 

 

TË DHËNA NË SHIFRA

 

10 MIJË HEKTARË TOKË: Ishin në pronësi të  Esad Toptanit në Tiranë, Krujë dhe Durrës.

15 MIJË FRANGA: I janë dhënë Esad Pashë Toptani nga shteti Italian për shërbimet e bëra prej tij.

3791 FRANGA E 5 SANTIM : I janë gjetur nga policia me vete Avni Rustemit në momentin e arrestimit si autor i vrasjes së Esad Pashë Toptanit.

320 DITË: Zgjatën hetimet e policisë franceze për vrasjen e Esad Pashë Toptanit.

600 MIJË FRANGA: I dhanë malazezët Esad Pashës kur dorëzoi Shkodrën te forcat ushtarake që e kishin rrethuar.

14 DITË: Ka qëndruar atentatori Avni Rustemi në Paris, nga dita e parë kur mbërriti, më 31 maj e deri më 13 qershor, kur vrau Esad Pashën.

 

I implikuar direkt në 10 vrasje. I akuzuar për 20 vjedhje, grabitje prone e abuzime të këtij lloji. Në tri raste kishte tradhtuar hapur Shqipërinë, duke dhuruar territore në këmbim të parave. Ishte vënë në shërbim të Italisë, Serbisë, Malit të Zi, Francës, Greqisë, në interes të pushtetit të vet dhe kundër Shqipërisë. Vrasjen e Esad Pashë Toptanit nuk e mendonte vetëm Avni Rustemi. Atë të diel të 13 qershorit të vitit 1920, në vend të 2 plumbave nga pistoleta “ Smith & Wesson” Esad Pashë Toptani mund të kishte marrë edhe një tufë me lule si dhuratë për datëlindje. Por tamam në ditën kur pashai mbushte 57 vjeç, student nga Libohova e qëlloi për vdekje, teksa po dilte nga hotel “ Continental” në Paris, duke kryer kështu vrasjen më të bujshme të kohës, por edhe një nga më të bujshmet në historinë e Shqipërisë.

 

SKENA E VRASJES

 

Ishte ora 13:00 e 13 qershorit kur Esad Pashë Toptani doli nga hoteli “Continental” në Paris. Atë ditë mbushte 57 vjeç dhe kishte vendosur që datëlindjen ta festonte në “ L’Escargot d’Or”, një nga lokalet më luksoze të Parisit, në shoqërinë e dy personave : të së dashurës franceze, 22 vjeçares Eliz Dyfur, me të cilën cilën bashkëjetonte prej dy vitesh, dhe të të nipit, Xhemil bej Vlorës, që ndodhej në Paris. Porositi te recepsionisti një makinë një makinë e cila u parkua përpara hotelit. Teksa Xhemili dhe Eliz u futën në makinë, Esadi po ecte disa metra pas tyre. Në këtë moment, krej papritur, studenti Avni Rustemi iu afrua Esadit nga prapa dhe, pa i thënë asnjë fjalë, e qëlloi me pistoletë dy herë. Herën e parë plumbi e kapi në pjesën ku qafa bashkohet me kurrizin, e ndërsa Esadi po rrëzohej, ai e qëlloi sërish përpara, në anën e zemrës. Esad Toptani vdiq në vend, kurse veprimi tjetër i atentatorit ishte hedhja e pistoletës mbi trupin e viktimës. Avni Rustemi nuk bëri ndonjë përpjekje për t’u larguar nga vendi i krimit. Kjo u dha mundësi dy rojeve të sigurisë së hotelit dhe disa kalimtarëve të rastit ta kapnin duke ushtruar dhunë. Mbërritja e një polici që kaloi aty rastësisht, u shoqërua me shtrëngimin e prangave në kyçet e duarve të tij.

 

EKZEKUTIMI

 

Avni Rustemi nuk e kishte takuar Esad Toptanin asnjë herë në jetën e tij. Por ato 5 herë që e kishte parë, e kishte fiksuar mirë. Të paktën, sipas dëshmisë së tij përpara komisarit francez Eugene Jublen, ai ndodhej rastësisht përpara derës së hotel “ Continental”, kur befas doli prej andej gjenerali. Në momentin kur e dalloi që ishte pikërisht ai, mendja i shkoi në dy gjëra: te revolveri që mbante në xhepin e djathtë të xhaketës dhe te krimet që kishte kryer Esadi. Ja si e përshkruan vetë studenti 25- vjeçar Avni Rustemi momentin e vrasjes përpara trupit gjykues në gjykatën e Parisit:

 

“Esat Pasha ecte ngadalë e me fodullëk. Me të parë atë, gjithë historia e Shqipërisë m’u përshkua në mendjen time dhe më pushtoi një turbullim i madh. Kapa në xhep të djathtë revolverin e mbushur me 6 fishekë, që e mbaja me vete, dhe qëllova disa herë… Ai u rrëzua gati menjëherë dhe unë e hodha shpejt për tokë revolverin”.

 

 

 

 

 

Mustafa Kruja është një nga ata që jo vetëm e kanë njohur mirë Esad Pashë Toptanin, por edhe kanë shkruar për të. Babai i Mustafa Krujës ishte shërbëtor i Esad Pashë Toptanit dhe, për më tepër, ka qenë Esad Pashë Toptani ai që i ka paguar studimet e Mustafa Krujës. Ai e përshkruan kështu atentatin e Avni Rustemit kundër Esad Pashë Toptanit:

 

I avitet Esatit me anë të sekretarit të tij Stavri s’dij kushit prej Kavaje, kinse për një bursë studimi n’atë kryeqytet. Kështu nxuni banimin e viktimës së tij, (hotel “Ritz”, në mos gabofsha) dhe vojt e priti poshtë në holl e kur Esat pasha duel jashtë tue iu hudhë automobilit, e ndoq prapa e briti: “Ndal, tradhtar i atdheut!. Atëherë edhe qiti mbi të nuk dij sa herë, revolverin a pistoletën që kishte pas ble, nuk dij në Romë apo në Paris. Kto janë fakte që di mbi vrasë t’Esat pashë Toptanit”.

 

SI U ORGANIZUA VRASJA?

 

Ditët e Avni Rustemit përpara se të vriste Esad Pashë Toptanin janë të denja për një vrasës profesionist. Raportet e shërbimit sekret dhe të policisë franceze grumbulluan të dhëna mbi shqiptarin e për 14 ditët e tij pariziane. Nga dita e parë që mbërriti në Paris e deri momentin që vrau Esadin, jeta e tij ndryshoi shumë. Kur mbërriti ishte i paveshur  mirë, aq sa nuk e pranuan në hotel “ Prens Alber”. Por shpejt porositi rroba të reja në vlerën 375 franga, nga këto 100 franga i dha paradhënie. Paratë me vete i kishte lira italiane dhe më pas i konvertoi në franga. Shëtiste me taksi Parisin i shoqëruar nga francezi Ajhbar. Pa me kërshëri disa muze, por mendja e sytë i mbetën tek kulla Eifel. Pas disa ditësh kërkoi të stërvitej për qitje në një shkollë. Madje, kërkoi të blejë edhe pistoletë. Nga 31 maji deri më 6 qershor harxhoi 1 mijë franga franceze, ndërsa nga 31 maji deri më 13 qershor ka bujtuar në dy hotele. I pari, hotel “Tyilëri”, rruga “Hiasentë” dhe i dyti, hotel “ Monmatrë” rruga 32, lagjja “Monmatrë”. Në të dy hotelet nuk fliste me askënd. Më 13 qershor duket sikur Avni Rustemi ndryshoi sjellje. I kërkoi kamarierit që t’i sillej shpejt ushqimi, sepse kishte një takim dhe në 12:30 u largua. Në orën 13.00 vrau Esad Pashë Toptanin.

 

ARSYET E VRASJES

 

Ishin shumë ata që besonin se Esad Pashë Toptani kishte dorë në të paktën 10 vrasje. Eqrem bej Vlora, djali i motrës së Esadit, në kujtimet e tij e çimenton natyrën kriminale të dajës së vet.

 

“Ky njeri që në kuptimin e plotë të fjalës ecte mbi kufoma dhe nuk turpërohej sa herë ia donte puna t’i lyente duart me gjak.”

 

Për ta kuptuar qartë përse Esad Pasha e kishte kaluar cakun, lexojmë këtë dialog jo me një njeri të llojit të tij, por me të kundërtin. Mehdi Frashëri, një njeri që nuk i bënte keq as një mize, në hollin e një hoteli në Paris, ka shkëmbyer këto fjalë më atë që do të ekzekutohej vetëm disa muaj më pas.

 

“Më erdhi një ditë ( në Paris) Esad Pasha në hotel dhe unë rrija në sallon.Ai erdhi, e mbasi më ngjatjetoi, ndënjti në karrige e menjëherë tha se kishte ardhur për Myfid beun, me qëllim që ta kuptoja unë se nuk dëshironte të më vizitonte… Më tej shtoi se “kur të vij në Durrës, qeverinë tuaj do ta var”. Unë i thashë se kjo punë nuk dihet, nëse ne të varim ty,apo ti ne”.

 

Po a e ndiente vetë Esadi që mund ta vrisnin? A kishte frikë ai dhe nga kush ruhej? Në rrëfimin e saj në proçesin gjyqësor, e dashura franceze e Esad Pashës, 22-vjeçarja Eliz Dyfur, ka lënë një kujtim vërtetë interesant:

 

“…Më kishte folur disa herë mbi çështje të vendit të tij dhe shpresonte mjaft të merrte në dorë pushtetin së afërmi…Më kishte thënë se në Shqipëri kishte shumë armiq e se në Turqi ishin premtuar të holla për kokën e tij, por nuk dukej se kishte frikë që ta gjurmonin armiqtë e tij në Francë”.

 

 

 

 

 

 

Por vetëm vrasësi mund ta vizitojë më mirë me fjalë viktimën përpara se ta vrasë. Artikulimi i Avni Rustemit në sallën e gjyqit është impresionuese.

 

“Pashë gjeneralin që po dilte me një qendrim kaq kryelartë, saqë më kapi emocioni duke m’u kujtuan mizoritë që kishte bërë ai në Shqipëri. Lexova mbi ballin e tij fatkeqësitë e Shqipërisë dhe u impresionova aq tepër, sa nuk dija ç’të bëja. Shtiva kundër tij për të gjitha këto arsye”.

 

Një raport i policisë franceze të lë të kuptosh se Avni Rustemi kishte kohë që e kishte planifikuar vrasjen. Sipas agjentëve të saj, Avniu mund të ketë takuar Mehmet Konicën, kryetar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes, të dërguar nga qeveria e Turhan pashë Përmetit. Nëpërmjet Konicës Avni Rustemi duhet të ketë marrë shumë informacione, mes tyre edhe atë që Esad Pasha prezantohej si kryetar i një delegacioni paralel nga Shqipëria. Këtë e konfirmojnë edhe dy takime të tjera të Avniut në Paris. I pari me Gjergj Gogën, sekretarin e Esad Pashë Toptanit, në ekspozitën shqiptare në rrugën “La Boesi”. I dyti me Pal Terkën, ministrin e Jashtëm të qeverisë së pretenduar nga Esad Pasha. Terka ka thënë në polici se bashkë me Esadin kishin ardhur për të marrë pjesë në Konferencën e Paqes në Paris, një informacion që duhet t’ia ketë dhënë edhe Avniut. Këto të dhëna ishin vlerë e shtuar e qindra informacioneve të tjera që ai kishte grumbulluar rreth Esadit. Ato ishin si një kupë e mbushur që po derdhej dhe nga ky moment Avni Rustemi nuk kishte më dilema. Vendosi ta vrasë dhe ashtu bëri.

 

HETIMI DHE GJYKIMI

 

Autor i pafajshëm. Historia e jurisprudencës botërore nuk njeh një rast të dytë që të vërtetojë se dikush është edhe autor i një krimi, edhe i pafajshëm. Duket se gjithçka është bazuar mbi mbrojtjen spektakolare që i ka bërë avokati. Mbrojtësi juridik i Avni Rustemit ishte Anatole De Monzie, që do të bëhej më vonë disa herë ministër i Francës. Argumentet e tij në sallën e gjyqit  me  “ paramendimin e një populli të tërë” janë unikale:

“A ishte krim politik? Jo, ishte një krim pasioni, sepse nuk ka gjë më të shenjtë sesa dashuria për atdheun”.

Gjykata e Parisit vendosi që autori Avni Rustemi të shpallej i pafajshëm dhe ai u lirua në sallën e gjyqit. Nëse hetimi zgjati 5 muaj e 16 ditë, procesi gjyqësor  zgjati 24 orë. Ai nisi më 29 nëntor dhe në mbrëmjen e 30 nëntorit trupi gjykues me 12 anëtarë deklaroi pafajësinë e Avni Rustemit./Konica.al

 

Shkëputur prej “100 vrasjet më të bujshme” (Në historinë e shtetit shqiptar në të gjitha trojet shqiptare, 1912-2017), me autor Roland Qafokun./Konica.al

Përshtati: Hera Lera

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Fotot me ngjyra/ Një histori si në përralla!

81 vite e 1 ditë nga dasma mbretërore që pa Shqipëria


Artistët vlerësojnë mikpritjen e publikut shqiptar

Muzika italiane Jazz, në Gjirokastër!

Një krijim mbi Historinë, Stilistin dhe Mjeshtërinë artizanale

“Ti, Xhubleta e Re!”

Së shpejti shfaqje të reja

Hapet Teatri i Kukullave