Të moshuarit përbëjnë grupin më të madh të rrezikuar nga temperaturat e larta pasi ata shpesh vuajnë nga sëmundje të ndryshme kronike
Së bashku me verën vjen edhe rreziku i goditjes nga i nxehti. Për të përgatitur popullatën për këtë gjë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Instituti i Shëndetit Publik, kanë filluar një fushatë sensibilizimi me këshilla për kategori të ndryshme sociale. Në të gjitha situatat e të nxehtit ekstrem apo në temperaturat e larta ndiqni rekomandimet e autoriteteve shëndetësore.
Rreziku
Efektet e temperaturave të larta në shëndet ndodhin kur sistemi i rregullimit të temperaturës së trupit tonë nuk arrin të shpërndajë nxehtësinë e tepërt. Këto efekte do të varen nga koha e ekspozimit ndaj këtyre temperaturave, shpeshtësia e ekspozimit si dhe intensiteti i ekspozimit. Gjithashtu, këto efekte varen edhe nga mosha dhe gjendja shëndetësore. Të moshuarit përbëjnë grupin më të madh të rrezikuar nga temperaturat e larta pasi ata shpesh vuajnë nga sëmundje të ndryshme kronike. Me rritjen e moshës aftësia e trupit për të rregulluar temperaturën e trupit bie, tek ata ulet toleranca ndaj nxehtësisë, etja ndihet vonë, reagimi i djersitjes është i vonuar dhe numri i gjëndrave të djersës është i reduktuar.
Këshilla
Evitoni daljet nga shtëpia në orët e nxehta të ditës, 11.00 – 17.00.
Vishuni lehtë, me veshje pambuku, të gjera dhe ngjyra të hapura.
Mbani në kokë kapele ose çadër dhe syze dielli kur dilni nga shtëpia.
Mbani shtëpinë sa më të freskët. Mbani mbyllur dritaret gjatë ditës. Temperatura në shtëpi duhet të jenë deri në 25° – 27° Celsius.
Freskohuni herë pas here me ujë të freskët duke bërë dush ose duke u lagur me peceta për të ulur temperaturën e trupit në krah, qafë dhe ballë.
Pini lëngje ose ujë në mënyrë të mjaftueshme edhe nëse nuk keni etje.
Mos përdorni pije alkoolike, lëngje me shumë sheqer apo kafeinë.
Konsumoni vakte të lehta me përmbajtje të lartë uji, si zarzavate dhe fruta.
Ruajini ushqimet në frigorifer.
Shmangni ngrënien e ushqimeve të nxehta apo pikante.
Mbani të freskët ambientin ku jetoni. Kontrolloni temperaturën e dhomës ndërmjet orës 8:00-10:00, në orën 13:00 dhe natën pas orës 22:00. Temperatura e ambientit ku jetoni duhet të mbahet nën 32°C gjatë ditës dhe 24°C gjatë natës. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për të porsalindurit, për individët mbi 60 vjeç, apo për ata që kanë probleme shëndetësore kronike.
Freskoni shtëpinë gjatë natës. Hapni të gjitha dritaret dhe grilat gjatë natës dhe në mëngjes, atëherë kur temperatura e jashtme ulet.
Nëse keni kondicioner, mbyllni dyert dhe dritaret me qëllim ruajtjen e temperaturës së brendshme, duke zvogëluar kështu konsumin e tepërt të energjisë.
Qëndroni në dhomën më të freskët të shtëpisë, veçanërisht gjatë natës.
Në pamundësi për të mbajtur shtëpinë të freskët, shpenzoni 2-3 orë të ditës në mjedise të freskëta jashtë shtëpisë (p.sh. ambiente publike).
Shmangni aktivitetet fizike me intensitet të lartë nëse mundeni. Nëse duhet të bëni patjetër aktivitet fizik, atëherë shfrytëzoni orët e mëngjesit.
Konsultohuni me mjekun nëse nuk ndiheni mirë apo nëse gjendja juaj nuk përmirësohet.
Mundohuni të mbani trupin të freskët dhe të hidratuar
Bëni dush me ujë të ftohtë.
Mundohuni të flini pa jastëk dhe të pambuluar për të mos akumuluar nxehtësi.
Shmangni ushqimet e pasura me proteina.