Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Gent Cakaj tha se rreziku i sigurisë për të cilën KiE ka deklaruar se nuk do marrë pjesë në zgjedhje vjen nga partitë opozitare.
Në një dalje për mediat, Cakaj u shpreh se Kongresi i Autoritetit Lokale nuk shprehet për ligjshmërinë e zgjedhjeve.
“Dy grupet drejtuese të frontit të unifikuar kundër reformës në drejtësi, përkatësisht një parti që tashmë ka humbur cilësinë demokratike dhe një lëvizje që nuk ka asnjë lidhje me integrimin, kanë ndërmarrë një fushatë dezinformimit masiv me pandehmën se KiE është kundër organizmit të zgjedhjeve vendore në 30 qershor. Ky qëndrim nuk ka asnjë lidhje me realitetin politik dhe aq më pak me të vërtetën objektive.
Komunikimi i djeshëm nga Kongresi i Autoritetit Lokal dhe Rajonal nuk përbën qëndrim zyrtar të KiE. Për sqarim të saktë të opinionit publik, Kongresi i Autoritetit Lokal dhe Rajonal ndryshe nga Komiteti i Ministrave dhe Asambleja Parlamentare është thjesht është një institucion këshillues brenda tij. Sidoqoftë edhe vetë kongresi nuk ka dhënë asnjëherë ndonjë deklaratë në mohim të të drejtës për të mbajtur zgjedhjet vendore në 30 qershor.
Kongresi nuk bën asnjë deklaratë për ligjshmërinë e zgjedhjeve dhe kjo nuk ka të bëjë me pyetjen nëse dhe kur do të mbahen zgjedhje. Pra prirja për të siguruar legjitimitetin nëpërmjet një organi këshillues brenda KiE është përfaqje e një politike që ka humbur prej kohësh marrëdhënien me të vërtetën.
Vetë deklarata e kongresit mes të tjerash nënvizon se arsyeja e mosardhjes së vëzhguesve është rreziku i mundshëm në disa zona zgjedhore. Rreziku i sigurisë në Shqipëri është një rrezik që vjen nga parti me adresë politike që kanë braktisur kuvendin dhe pasi janë izoluar nga bota duan të rrënojnë edhe shtëpinë e tyre.”, u shpreh Cakaj.