MENU
klinika

Faktorët kryesorë

Sondazhi i BB zbulon shkaqet e aksidenteve

11.06.2019 - 18:39

Shpejtësia, drejtimi i mjetit nën ndikimin e alkoolit si dhe mungesa e mirëmbajtjes së automjetit janë tre nga faktorët kryesor që çojnë në aksidentet rrugorë në Shqipëri.

Këto janë të dhënat e sondazhit të zhvilluar në kuadër të Projektit për Mirëmbajtjen dhe Sigurinë e Rrugëve të Bazuar në Rezultate, një nismë e ndërmarrë nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë së bashku me Autoritetin Rrugor Shqiptar dhe e bashkë-financuar nga Banka Botërore, i zbatuar nga konsorciumi NTU/Eptisa.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë së bashku me autoritetin Rrugor Shqiptar dhe Bankën Botërore, në kuadër të Projektit për Mirëmbajtjen dhe Sigurinë e Rrugëve, kanë prezantuar dokumentin për shkaqet e aksidenteve rrugore.

Faktorët kryesorë janë 3:

– Shpejtësia;

– Drejtimi i mjetit nën ndikimin e alkoolit;

– Mungesa e mirëmbajtjes së automjetit;

Krahas prezantimit u sugjeruan edhe mënyrat për përmirësimin e situatës:

– Informim i gjerë publik.

– Kontrollim i zbatimit të ligjit.

– Përmirësim i infrastrukturës rrugore nga pikëpamja e sigurisë.

Një nga objektivat kryesorë të projektit është të përcaktojë dhe të rendisë prioritetet e sjelljeve të pasigurta në rrugët shqiptare me qëllim që të krijojë një fushatë ndërgjegjësimi duke u fokusuar tek grupet dhe sjelljet më të rrezikshme të përdoruesve të rrugëve.

Sa i takon metodologjisë është kryer një hulumtim i detajuar cilësor dhe sasior ku hulumtimi cilësor përfshin intervista të detajuara me palët e interesuara: përfaqësues të bashkive; kompani private; shoqëria civile si dhe ministri dhe institucione publike që kanë lidhje me sigurinë rrugore.

Analizë dytësore të databazës të aksidenteve rrugore ku përfshihen profili i viktimave të shkaktuara nga aksidentet rrugore, aksidentet rrugore për shkak të përdorimit të alkoolit dhe profili i shkelësve, kundërvajtësit kryesorë që shkaktojnë aksidente rrugore si dhe shkaqet e aksidenteve rrugore.

Ndërsa hulumtimi sasior përfshin, vëzhgime të drejtpërdrejta të shoferëve; këmbësorëve; çiklistëve dhe motoçiklistëve ku janë kryer afro 3.500 vëzhgime të drejtpërdrejta në Tiranë, Elbasan dhe Vlorë. Gjithashtu janë zhvilluar sondazhe në komunitet, i zhvilluar on-line në Tiranë, Durrës, Elbasan, Shkodra dhe Vlorë me persona mbi moshën 18-vjeç.

Në takimin e mbajtur krahas prezantimit të të dhënave u sugjeruan edhe mënyrat për përmirësimin e situatës si në drejtim të informimit të gjerë të publikut, kontrollit të zbatimit të ligjit por dhe përmirësimit të infrastrukturës rrugore nga pikëpamja e sigurisë.