MENU
klinika

Trafik droge dhe armësh

Drejtësia Italiane jep dënimin për Moisi Habilajn!

19.06.2019 - 18:17

Gjykata e Katanias në Itali  ka dënuar me 15 vite e 5 muaj burg Mosi Habilaj, i shpallur fajtor për trafik droge mes Shqipërisë e Italisë.

Moisi Habilaj u arrestua gjatë operacionit ‘Trëndafili i erës’ në tetor të vitit 2017, ndërsa muajt e fundit, sipas mediave italiane, kishte pranuar pjesërisht përgjegjësitë e tij.

Avokatët e tij mbrojtës, Giuseppe Ragazzo dhe Maria Caltabiano, thanë në seancë gjyqësore se Moisi Habilaj ka pasur rol të thjeshtë në këtë organizatë kriminale, atë të transportuesit.

Dhe për këtë arsye, ata kërkonin që mbi Habilajn mos të rëndonte edhe akuza e kreut të grupit. Për dosjen Habilaj, që po hetohet në Shqipëri, vijojnë të jenë në kërkim edhe 3 ish-zyrtarët e Policisë së Vlorës: Jeld Çela, Gjergj Kohila dhe Sokol Bode.

Banda e Habilajve në Vlorë u kap pas një hetimi 2-vjeçar të antimafias italiane, e cila përgjoi të gjithë grupin që transportonte hashashin e prodhuar në Shqipëri drejt Italisë, në Siçili.

Në kohën kur u kap një anije me qindra kilogramë hashash, u arrestuan edhe Moisi Habilaj, i afërt i ish-ministrit Tahiri, bashkëpunëtorët e tij si dhe pjesa e rrjetit italian.