Vetëm kur një marrëveshje tregtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës dukej se ishte në horizont, negociatorët u gjendën përsëri aty ku u nisën.
Arsyeja e menjëhershme e përçarjes ishte këmbëngulja e Kinës për një projekt-marrëveshje të rishkruar, e cila, sipas administratës së Presidentit të SHBA, Donald Trump, refuzon kushtet e rëna dakord më parë. Por shkaku kryesor i ndryshimeve të Kinës në projekt, arsyeja e ngurrimit të saj për të përmbushur kërkesat e SHBA, qëndron në një llogaritje të gabuar nga administrata Trump.
Marrëveshja që Kina rishkroi u negociua në një periudhë fushate agresive të SHBA kundër gjigantit kinez të telekomunikacionit Huawei. Kjo fushatë ka përfshirë kompaninë në listën e zezë të tregtisë së Amerikës.
Ndërkohë që veprime të tilla padyshim do të dëmtojnë Huawei, kompania mund të kompensojë eventualisht humbjet e saj duke krijuar lidhje me kompanitë e tjera kineze të teknologjisë. Për pjesën tjetër të botës, sulmet e administratës së Trump mbi Huawei, dhe në përgjithësi ndaj Kinës, do të kenë goxha pasoja.
Analizat e gabuara të administratës së Trump mund të kenë rezultuar pjesërisht nga nxitimi për një “fitore” përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit të ardhshëm.
Ndërsa Kina importon relativisht pak nga SHBA, mund të ketë më shumë armë sesa kundërshtari i saj në këtë luftë tregtare. Përtej hakmarrjes direkte, nëpërmjet tarifave për produktet bujqësore dhe avionët komercialë, mund të shtojë kontrollet e kapitalit, të zhbllokojë zotërimet e pashembullta të borxhit të Thesarit të SHBA, ose të lejojë që monedha e saj të zhvlerësohet.
Deri tani, megjithatë, Kina ka treguar përmbajtje të konsiderueshme.
Edhe në qoftë se thellimi i tensioneve me SHBA-në mbi tregtinë dhe teknologjinë, ajo do të marrë disa veprime hakmarrëse afatshkurtra.
Arsyeja është e thjeshtë: kjo përqasje e moderuar i shërben interesave afatgjata të Kinës, të drejtpërdrejtë (duke mbështetur rritjen dhe zhvillimin e vazhdueshëm ekonomik, ruajtjen e stabilitetit shoqëror dhe mbrojtjen e integritetit të shtetit) dhe indirekt (duke shmangur ndërprerje të mëtejshme të kushtueshme në tregjet globale).
Udhëheqësit e Kinës nuk besojnë se tendenca e globalizimit të udhëhequr nga kapitalizmi do të anullohet shpejt.
Për shkak se SHBA mbetet, sipas Kinës, mbrojtësi i botës së tregjeve te lira ku Kina po lëviz, devijimet dhe abuzimet e pushtetit shtetëror mund të shkundin themelet ekonomike të Amerikës dhe t’i kërcënojnë institucionet e saj.
Për të qenë të sigurt, Kina dhe SHBA do të bëhen gjithnjë e më të huaj. Kina do të zhvillojë teknologjitë e veta bazë, me qëllim që t’i japë fund varësisë së saj nga SHBA-të dhe të ndërtojë sektorët strategjikë që do të nxisin zhvillimin e saj ekonomik.
Kjo nuk do të thotë që Kina do të mbyllë derën e negociatave tregtare. Kina po këmbëngul në zgjidhjen e problemit me faza. Bota duhet ta mbështesë këtë metodë. Mungesa e besimit të ndërsjelltë politik nuk e ka penguar SHBA-në dhe Kinën të angazhohen në bashkëpunimin e ndërsjelltë gjatë 40 viteve të fundit.
Në një kohë kur të dy vendet përballen me shumë sfida të përbashkëta, duke përfshirë ndryshimet klimatike, kërcënimet bërthamore, terrorizmin, varfërinë dhe stabilitetin e tregut financiar, mund të shpresojmë vetëm që administrata amerikane përsëri të tregojë vizionin dhe urtësinë e nevojshme për të ripërtërirë këtë bashkëpunim me Kinën.
Zhang Jun është Dekani i Shkollës së Ekonomisë në Universitetin Fudan dhe Drejtor i Qendrës së Kinës për Studime Ekonomike, një institut me qendër në Shangai.