MENU
klinika

Zgjedhjet lokale

Veliaj nga Lapraka: 30 qershori fundi i disa politikanëve!

14.06.2019 - 16:22

Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, inspektoi punimet e kryera në njësinë 11 në një zonë të harruar prej vitesh, ku bisedoi me banorët mbi projektet e kryera në mandatin e pare, si dhe për investimet që do të vijojnë të realizohen në 4 vitet e ardhshme në gjithë Tiranën.

Veliaj u shpreh i kënaqur që vinte në këtë lagje me një tjetër premtim të mbajtur.

“Ju kujtohet që ju dhamë fjalën, tani vijmë me thënë se e mbajtëm fjalën. Rruga do vetëm pak mirëmbajtje. Nëse amortizohet ndonjë gjë, njësia duhet të na njoftojë direkt, qoftë për një pusetë që thyhet apo një shtyllë, sepse duke e mirëmbajtur, ka jetëgjatësi”, tha Veliaj.

Ai theksoi se investimi i kryer ka sjellë jo vetëm një infrastrukturë më të mirë, por edhe ka rritur vlerën e pronës për gjithë banorët.

“Atyre u ka ra ‘bixha’! Kur i takon në inspektimin e parë thonë: ‘ç’është ky muhabet, po na prishet avllia’. Kur i takon herën e dytë thonë: ma kanë kërkuar me 35-40% më shtrenjtë shtëpinë. Praktikisht, iu ka rënë lotaria buzë rrugës, në një super rrugë të Tiranës, afër autostradës, gjithë shërbimet afër, spitali po ashtu, e pastaj thonë: më fal, që të kemi fol”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku shtoi se pas shtresave asfaltike dhe trotuareve, do të vendoset edhe sinjalistika e duhur, për të orientuar qarkullimin e makinave dhe për të krijuar një vend të sigurt për qytetarët. 

Banorët e lagjes u shprehën të kënaqur me punimet e kryera dhe investimin e bërë përgjatë rrugës, ndërsa vlerësuan se ndërhyrjet e bëra edhe në lagje të tjera kanë sjellë një tjetër pamje, për një nga njësitë që më parë ishte lënë tërësisht jashtë vëmendjes.

“Na kënaqët me këto zbukurimet, punimet që janë bërë, o zot, jetë e shëndet paçi! Keni folur, keni mbajtur fjalën për çdo gjë. Kush s’i ka parë, le t’i mbajë për vete. Sa herë të shohim, na ke kënaq, dritë e keni bërë këtë vend”, deklaruan disa prej banoreve të zonës.

Në takim ishte e pranishme Kryetarja e PS për Tiranës, Blerina Gjylameti e cila theksoi se data 30 qershor është e rëndësishme, jo për punë konkrete në infrastrukturë, por dhe për atë që çfarë është Shqipëria në vazhdimësi.