Vetëm pak ditë pasi është kthyer nga vizita e tij zyrtare në Berlin, ku është pritur nga kancelarja Merkel, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka folur për detajet dhe rëndësinë e këtij takimi.
Përmes një deklarate për mediat, Haradinaj tha se pret lajme të mira për liberalizimin e vizave.
“Mendoj se është me rëndësi ta konfirmojmë që marrëdhëniet mes Kosovës dhe Gjermanisë kanë arritur një nivel më të lartë të tyre. Është një marrëdhënie dhe situatë e re.
I kemi trajtuar të gjitha temat dhe zakonisht bëjmë kujdes se si i elaborojmë ato. Ka lajme të mira për Kosovën.
Një nivel i tillë i marrëdhënieve Kosovë-Gjermani së pari e përshpejton liberalizimin e vizave dhe ndikon drejtpërdrejtë në këtë temë, por pastaj edhe në aspektin rajonal, bilateral me Gjermanisë si dhe në rrugën e integrimeve evropiane ndikon pozitivisht.
Është mënyrë e të shprehurit sepse e di që si Kosovë e kemi punën mirë për liberalizimin e vizave. Duhet të jemi serioz dhe të vazhdojmë të mbetemi në temë.
Kam kufizimet e mia sa mund të flasë dhe mund të hyjë në detaje në këtë etapë, por mund t’iu siguroj se e kemi punën mirë për liberalizimin e vizave. Nuk do të shkojë fare larg deri te marrja e njoftimeve të caktuara.
Jemi në proces dhe po punojmë. Jemi palë serioze – nuk do të na trajtonte Gjermania në atë nivel të marrëdhënieve sikur të mos ishim palë serioze.
Mënyra e pritjes është një ndihmë e jashtëzakonshme në çdo dimension të marrëdhënieve tona, qoftë në rajon apo edhe në Europë.
Një trajtim i tillë prej kancelares Angela Merkel ndikon edhe te vendet e rajonit“, ka thënë Haradinaj.