Katër civilë janë vrarë dhe 21 janë plagosur në sulmet raketore izraelite pranë Damaskut, tha agjencia shtetërore e lajmeve siriane Sana.
Agjencia siriane e lajmeve tha se raketat goditën zonën pranë Damaskut dhe provincën Homs. Ushtria siriane tha se ishin përballur me sulmin, i cili ishte nisur nga hapësira ajrore libaneze.
Transmetuesi shtetëror sirian al-Ikhbariya tha se katër civilë, duke përfshirë një fëmijë, ishin vrarë në Sahnaya, në jug të Damaskut, si “rezultat i agresionit “.
Një zëdhënëse e ushtrisë izraelite nuk pranoi të komentojë mbi raportin.
Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut, tha se sulmet ynonin një qendër kërkimore dhe një aeroport ushtarak në perëndim të qytetit të Homs.
Izraeli ka kryer qindra sulme ajrore në Siri që nga fillimi i konfliktit në vitin 2011, duke synuar forcat besnike ndaj presidentit Bashar al-Assad dhe aleatët e regjimit të Iranit dhe Hezbollahut.
Sulmet kanë shkaktuar fërkime midis Izraelit dhe Rusisë, e cila së bashku me Iranin i kanë dhënë presidentit sirian, Bashar al-Asad, mbështetje të rëndësishme ushtarake gjatë gjithë konfliktit në Siri.
Irani dhe Hezbollahu po luftojnë në krahun e presidentit Bashar al-Assad në luftën siriane dhe Izraeli thotë se po përpiqen ta kthejnë Sirinë në një front të ri kundër izraelitëve.
Lufta, që tani ka hyrë në vitin e nëntë, filloi me një goditje qeveritare ndaj protestuesve në mars 2011. Ajo ka lënë të vrarë më shumë se 370.000 njerëz dhe ka zhvendosur miliona.