“Qytetarët në Kosovë duan që personat e korruptuar të shkojnë në burg, por ata nuk janë të gatshëm të paraqiten dhe të japin dëshmi“, kështu është shprehur shefja e misionit EULEX në Kosovë, Aleksandra Papadopoulou.
E ftuar në “Interaktiv”, ajo foli edhe për kapjen e “peshqve të mëdhenj” në Koosvë.
“Sepse, edhe ne vetë prisnim, ishin këto pritjet tona, jo vetëm pritjet e qytetarëve kosovarë. Kjo është më e vështirë, mospërmbushja e pritjeve të qytetarëve sesa mospërmbushja e pritjeve tua. Sepse, kur doni t’i fusni njerëzit në burg, ju nuk i fusni njerëzit në burg, nuk i gjykoni njerëzit, nuk e filloni një procedurë gjyqësore të bazuar në spekulime, bazuar në logjikën e shëndoshë, bazuar në dyshime apo në bazuar në thashetheme”, ka thënë ajo.
Ajo thotë se njerëzit nuk mund të futen në burg vetëm pse ekzistojnë pritshmëritë, derisa shton se këto janë probleme me të cilat do të ballafaqohet gjyqësori kosovar.
“Por, në bazë të përvojës së EULEX-it, ju lutem qëndroni pranë gjyqësorit tuaj. Gjyqësori juaj duhet të jetë i pavarur. Nëse nuk ka prova, njerëzit nuk shkojnë në burg. Kjo është shumë e rëndësishme”, ka thënë ajo.
Ajo tutje ka shtuar se për nëntë vjet Kosova ka bërë progres në sundimin e ligjit.Sipas saj ka ende shumë punë për t’u bërë, ani pse shton se nuk duhet pritur mrekulli.Ajo thotë se sundimi i ligjit nuk ka të bëjë vetëm me miratimin e ligjeve.
“Kosova ka më shumë se ç’i duhen ligje dhe deri tani kur po flasim, ajo ka ligje shumë të mira në përputhje me standardet evropiane dhe sundimin e ligjit. Sundimi i ligjit ka të bëjë me botëkuptimin, ai është ndryshim shoqëror dhe në çdo vend ndryshimet shoqërore kërkojnë kohë”, ka thënë ajo.
E, duke folur për punën e misionit të EULEX-it në Kosovë, ajo thotë se ka gjëra të cilat do të mund të bëheshin më mirë ose ndryshe, por që sipas saj, duhet gjetur bilancin e punës së tyre, të cilin ajo e vlerëson si pozitiv.
“Për mua, qëkur kam ardhur këtu, e kam thënë kaq shumë herë se menaxhimi i pritshmërive ishte një fushë ku dështuam. Dhe duke thënë kështu, më duhet ta nënvizoj se të gjithë e gjykojnë EULEX-in dhe mendojnë për të vetëm sa u përket gjykimeve, gjykimet e profilit të lartë, punën që bëmë si gjyqësor ekzekutiv”, ka thënë ajo.