Bizneset e regjistruar në Qendrën Kombëtare të Biznesit do të duhet të hapin një llogari bankare nëse nuk e kanë një të tillë.
Afati i fundit për ta bërë këtë veprim është 25 tetor 2019. Vendimi është publikuar në Fletoren Zyrtare dhe hyn në fuqi pas 15 ditësh.
Ndryshimet në ligjin për procedurat tatimore, në thelb synojnë të reduktojnë ekonominë informale dhe përdorimin e parasë fizike nga personat fizikë/juridikë tregtarë.
Ndryshimet adresojnë njëkohësisht edhe rekomandimet e Komitetit Moneyval dhe propozojnë të sanksionohet në ligjin për procedurat tatimore, detyrimi i të gjithë tatimpaguesve persona fizikë/juridikë, përfshirë edhe organizatat jofitimprurëse për të pasur llogari bankare biznesi.
Ndërkohë, parashikohet që mos të jenë subjekte të këtij detyrimi tatimpaguesit, persona fizikë tregtarë të cilët realizojnë qarkullim vjetor, rrjedhimisht edhe qarkullim të parasë fizike, në vlera të ulëta.
Për këtë arsye, është marrë për referencë, kufiri i regjistrimit për përgjegjësinë tatimore: tatimi mbi vlerën e shtuar, pra ata që kanë një qarkullim vjetor mbi 2 milion lekë.
Ndërkohë që për personat juridikë, ky detyrim shtrihet për të gjithë tatimpaguesit, përfshirë organizatat jofitimprurëse, pavarësisht qarkullimit që realizojnë.
Penalitetet
Ndryshimet parashikojnë dënime administrative për ata që nuk përmbushin këtë detyrim, konkretisht:
-Tatimpaguesit persona fizikë tregtarë, të regjistruar për tatimin mbi vlerën e shtuar, me qarkullim deri në 8 000 000 (tetë milionë) lekë, gjobë, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë;
-Tatimpaguesit persona juridikë, pavarësisht nga qarkullimi, si dhe tatimpaguesit persona fizikë tregtarë, me qarkullim mbi 8 000 000 (tetë milionë) lekë, gjobë, në masën 100 000 (njëqind mijë) lekë;
-Organizatat jofitimprurëse, gjobë në masën 75 000 (shtatëdhjetë e pesë mijë) lekë.
Nëse subjekti nuk ka llogari bankare për transaksionet që kryen edhe pas dënimit si më sipër, dënohet me dyfishin e gjobës së parë.
Subjektet e regjistruara rishtas duhet të hapin llogarinë bankare jo më vonë se 20 (njëzet) ditë kalendarike pas regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Biznesit/administratën tatimore dhe ta deklarojnë atë në administratën tatimore.
Subjektet që janë të regjistruara në Qendrën Kombëtare të Biznesit /administratën tatimore duhet të hapin llogarinë bankare jo më vonë se 90 (nëntëdhjetë) ditë nga hyrja në fuqi e këtij ligji dhe ta deklarojnë atë në administratën tatimore./ SCAN