MENU
klinika

Emigrimi i kualifikuar

Sejko: Programe zhvilluese që e ngadalësojnë!

16.07.2019 - 12:44

Teksa ishte pjesë e konferencës së dytë të nivelit të lartë me temë “Demografia, punësimi dhe rritja ekonomike: Duke përshkuar të ardhmen në vendet e Evropës Qendrore dhe Juglindore”, organizuar nga Banka Kombëtare e Kroacisë dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) në Dubrovnik, Kroaci guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko theksoi se këto fenomene vërehen dhe ndiqen me shqetësim edhe në ekonominë shqiptare.

Prandaj, për trajtimin e tyre, institucionet shqiptare janë angazhuar me programe zhvilluese që rrisin produktivitetin e punës dhe ngadalësojnë emigrimin e kualifikuar.

Qëllimi është jo vetëm rritja e produktivitetit të forcës punëtore profesionale në vend, por mbi të gjitha ofrimi i mundësive për punësim në sektorë të ndryshëm të ekonomisë të rinjve të talentuar, në mënyrë që ata të investojnë dijet e tyre në zhvillimin ekonomik të vendit.

Në këtë kontekst, vijimësia e reformave strukturore është mjaft thelbësore, ku midis tyre, një vend të veçantë duhet të zënë domosdoshmërisht reformat e fokusuara drejt ngritjes së nivelit arsimor, zhvillimit të aftësive teknike dhe kualifikimit profesional, për të shtuar potencialet ekonomike dhe krijuar vende të reja pune.

Në përfundim, Guvernatori Sejko shtoi se një element mjaft i rëndësishëm dhe me rol kyç në arritjen e suksesit e këtyre përpjekjeve, është edhe bashkëpunimi me vendet partnere dhe me institucione prestigjioze financiare ndërkombëtare si Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore, për të marrë eksperiencën e praktikave më të mira, por dhe orientimet e duhura në këtë drejtim.

Në këtë konferencë, përveç përfaqësuesve të lartë të FMN-së, merrnin pjesë rreth 15 guvernatorë e ministra të financave nga vendet e Evropës Qendrore dhe Juglindore (EQJL), përfaqësues nga Banka Botërore, Komisioni Evropian, Banka Ndërkombëtare për Rregullim, si dhe nga institucione të tjera financiare dhe bota akademike.

Punimet e kësaj konference u fokusuan kryesisht në çështje që lidhen me lëvizjet demografike të popullsisë së vendeve të EQJL-së, rritjen ekonomike, punësimin dhe edukimin, si dhe masat që duhen ndërmarrë në të ardhmen për të ulur nivelin e papunësisë dhe ekonomisë informale, në mënyrë që të garantohet një rritje ekonomike e qëndrueshme dhe e qenësishme për këto vende.

Gjatë punimeve të konferencës, pjesëmarrësit diskutuan mbi zhvillimet e ndryshme politike dhe ekonomike në vendet e EQJL-së gjatë dekadës së fundit, dhe efektet që kanë dhënë në ecurinë ekonomike fenomene të tilla si rritja e emigracionit, plakja e popullsisë dhe rënia e fuqisë punëtore.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


“Të ulet më shpejt borxhi”

FMN, sërish “e butë” me PPP-të

Këshilli ka ngelur me 3 anëtarë

Bllokohet vendimmarrja në Bankën e Shqipërisë

Boshllëku në Bankën e Shqipërisë

Këshilli i mbetur Mbikëqyrës bën “takime”