MENU
klinika

Deklarata

EUROPOL me zyrë në Tiranë/ Lleshaj: Integrim “de facto” në BE

11.07.2019 - 12:24

Nga sot EUROPOL do të ketë një zyrë në Tiranë, duke bërë që një oficer i Europol të punojë në një zyrë të posaçme në Policinë e Shtetit, për të intensifikuar bashkëpunimin.

Gjatë fjalës së tij, ministri Lleshaj në ceremoninë e hapjes së kësaj zyre vlerësoi këtë arritje dhe e cilësoi si thellim të bashkëpunimit me këtë institucion të rëndësishëm.

Duke u ndalur tek bashkëpunimi, minstri tha se policëve shqiptarë iu takon të fitojnë besimin e partnerëve ndërkombëtarë tashmë.

FJALA E PLOTË:

Në Tiranë është çelur Zyra Ndërlidhëse e EUROPOL-it.

Një oficer do të punojë në një zyrë të posaçme në Policinë e Shtetit, për të intensifikuar bashkëpunimin.

Në ceremoninë për hapjen e zyrës mori pjesë Ministri i Brendshëm Lleshaj, Drejtorja Ekzekutive e EUROPOL-it, Catherine De Bolle, Ambasadori i BE-së në Tiranë Luigi Soreca, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu dhe oficerë ndërlidhës të vendeve partnere.

Ministri i Brendshëm tha se hapja e Zyrës Ndërlidhëse të EUROPOL-it në Tiranë, e para në rajon, është dëshmi e angazhimit të vazhdueshëm për të parandaluar dhe trajtuar krimin e organizuar dhe kërcënimet që rrjedhin nga ky fenomen.

Pjesëmarrja e Policisë së Shtetit në pikat fokale të EUROPOL-it, është prioritet kryesor i Zyrës Kombëtare të EUROPOL-it në Tiranë, pasi kjo ka një rëndësi të veçantë në përmbushjen e detyrimeve strategjike të Policisë së Shtetit, të cilat rrjedhin nga Prioritetet e Qeverisë Shqiptare dhe Ministrisë së Brendshme, në kuadër të integrimit në Bashkimin Evropian.

Drejtori Veliu nënvizoi se asistenca e EUROPOL-it në përmirësimin e analizës së informacionit kriminal në përgjithësi, si edhe përfshirja e Policisë së Shtetit në hetimet dhe operacionet e përbashkëta, është një objektiv po ndiqet me vendosmëri e këmbëngulje, në luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit ndërkombëtar, trafikut të lëndëve narkotike dhe migracionit të paligjshëm.

Hapja e zyrës së EUROPOL në Tiranë është një ngjarje shumë e rëndësishme dhe pozitive në kronikën e gjatë të hapave të suksesshëm të integrimit europian të Shqipërisë.

Falë bashkëpunimit tonë të forcuar rajonal dhe procesit të integrimit europian, ne po komunikojmë, vizitojmë dhe shkëmbejmë më shumë me njëri-tjetrin. Vetëm në 10 vitet e fundit, numri i njerëzve që kalojnë kufijtë e Republikës së Shqipërisë është rritur gati 160 %.

Dhe kjo tendencë pozitive vazhdon me po të njëjtin ritëm rritjeje. Mjaftojnë vetëm kjo shifër për të treguar nivelin e jashtëzakonshëm që ka arritur lëvizja e njerëzve dhe mallrave.

Kjo dinamikë e lartë shkëmbimesh është një lajm shumë i mirë, dhe pikërisht për këtë shoqërohet edhe nga një sfidë e madhe, si ta forcojmë nivelin e integrimit pa kompromentuar sigurinë? Në parim unë besoj se thellimi integrimit nuk e cenon sigurinë.

Madje, e forcon atë. Por me një kusht: thellimi i integrimit duhet të shoqërohet nga rritja e pandalshme dhe shkëmbimi i vazhdueshëm i informacionit.

Ne na duhet të sigurojmë që angazhimi për të shkëmbyer informacion të mos ndodh thjesht në nivelin e deklaratave politike, por edhe në praktikën e përditshme. Në njëfarë mënyre, duhet një thyerje e murit të fjalëve, një thyerje e ‘sound barrier’, siç thuhet në gjuhën e aviacionit.

Përpjekja jonë për integrim në Bashkimin Europian po konkretizohet përditë e më shumë në element konkretë dhe praktikë.

Fillimi i operacionit të FRONTEX në kufijtë e Shqipërisë, përbën një hap të rëndësishëm, i cili ndodh për herë të parë në një vend jashtë BE. Edhe hapja e Zyrës së EUROPOL në Tiranë, është e para në rajon dhe siç tha dhe Drejtorja Ekzekutive e dyta në botë pas Uashingtonit, gjë që na bën të ndihemi mirë.

Në njëfarë mënyre, ne po realizojmë hapa që shënjojnë njëfarë integrimi de facto. Dhe kjo qasje, ky integrim de facto në BE, besoj që është rruga më e drejtë për të arritur dalëngadalë e të sigurt drejt integrimit de jure.

Hapja e Zyrës Ndërlidhëse të EUROPOL-it në Tiranë, është dëshmi e angazhimit tonë të vazhdueshëm për të parandaluar dhe luftuar krimin e organizuar dhe kërcënimet e tjera që rrjedhin prej tij.

Shqipëria – siç nënvizohet dhe nga deklarata e Komisionit Europian – ka arritur padyshim rezultate të shkëlqyera në zbatimin e reformave transformuese dhe plotësimin e pesë prioriteteve kyçe. Rekomandimi i Komisionit për të hapur negociatat me Shqipërinë është një njohje e qartë e progresit të rëndësishëm në fushën e drejtësisë, lirisë dhe sigurisë, por edhe një obligim i rëndësishëm për ne për të vijuar dhe për të thelluar punën tonë në këtë drejtim.

Duke qenë të vetëdijshëm për përgjegjësitë tona, ne kemi forcuar përpjekjet tona për:
• Të intensifikuar bashkëpunimin ndërkombëtar të policisë, veçanërisht me shtetet anëtare të BE-së, duke çuar në një numër operacionesh të suksesshme në shkallë të gjerë. Veçanërisht gjatë këtij viti, këto operacione janë bërë shumë të shpeshta dhe kanë shënuar rezultate impresionuese;

• Volumi i informacionit të shkëmbyer është rritur në mënyrë progresive dhe është përkthyer në rezultate operacionale shumë konkrete;

• Vetëm në gjysmën e parë të vitit 2019, ne kemi kryer më shumë operacione policore me EUROPOL dhe vendet e BE-së se sa në 2018, i cili në vetvete ishte i suksesshëm.

Bashkëpunimi në luftën kundër krimit të organizuar kërkon kapacitet profesionale, kapacitete teknike dhe organizative, kanale të sigurta komunikimi etj. Por mbi të gjitha ai kërkon besim. Besim reciprok, i cili mund të krijohet dhe të forcohet vetëm nëpërmjet punës së përbashkët si kjo që po nisim dhe sot me EUROPOL. Besimin duhet vetëm ta fitojmë. Atë as nuk mund ta blejmë, as nuk mund ta marrim donacion nga partnerët tanë. Duhet ta fitojmë vetë.

Jam i bindur se hapja e Zyrës së EUROPOL-it në Tiranë do të intensifikojë më tej bashkëpunimin midis shteteve anëtare të BE-së dhe Shqipërisë si dhe do të kontribuojë për forcimi e besimit reciprok mes përfaqësuesve të agjencive tona ligj zbatuese.

Të nderuar të pranishëm,
Shqipëria është në një moment shumë të rëndësishëm, madje historik. Reforma historike e sistemit të drejtësisë po i afrohet finalizimit institucional të saj, përmes krijimit të Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë, Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) apo Njësisë së Pavarur Hetimore (BKH).

Zhvillimi i procesit të Vetting-ut në Policinë e Shtetit është një tjetër zhvillim pozitiv që shkon në të njëjtën linjë me procesin e reformës në drejtësi. Gjithkush e ka të qartë se funksionimi i sistemit të ri të drejtësisë në vend, nuk mund të jetë kurrë i garantuar pa një strukturë policie me integritet, profesionale, të mbështetur dhe të motivuar për përmbushjen me sukses të misionit të saj të rëndësishëm.

Në një farë mënyre, pas FRONTEX, edhe EUROPOL vjen ekzaktësisht në momentin e duhur, në një moment kulmor të zbatimit të reformës në drejtësi, ku Policia e Shtetit dhe agjencitë e tjera ligj zbatuese janë pjesë e rëndësishme dhe integrale me një rol shumë të rëndësishëm.

Me këtë rast, bashkë me urimet e mija më të mira për punë të mbarë dhe suksese, i garantoj stafit të Zyrës së EUROPOL-it në Tiranë dhe EUROPOL përmes Drejtores Ekzekutive të saj, mbështetjen e plotë të Qeverisë shqiptare dhe të Ministrisë së Brendshme. Faleminderit!