Samsung publikoi rezultatet financiare të tre mujorit të dytë të 2019-ës dhe nuk janë aspak pozitive.
Fitimi i kompanisë ra me 56% në 5.5 miliardë dollarë, rënia më e madhe që nga skandali Galaxy Note 7 në 2016-ën. Të ardhura gjithashtu ranë me 4% në 47.4 miliardë dollarë. Samsung ja atribuon këtë rënie problemeve me biznesin e semikonduktorëve pavarësisht se është vënë re rritje e kërkesës për çipe memorie muajt e fundit.
Në divizionin mobil, të ardhurat u rritën me 8% por fitimi ra me 42% krahasuar me një vit më parë.
Në tërësi shitjet u rritën falë Galaxy A50 dhe Galaxy A70, por flagshipi që duhej të ringjallte financat e kompanisë Galaxy S10 pati kërkesë të dobët në tre mujorin e dytë të 2019.
Samsung shpreson se gjërat do të ndryshojnë me lançimin e telefonëve premium Galaxy Fold dhe Galaxy Note 10 në Gusht dhe Shtator. Kompania gjithashtu ka planifikuar lançimin e modeleve më kompetitivë të serisë A në gjysmën e dytë të këtij viti. Një e ardhme e ndritur e pret biznesin e ekraneve me kërkesën që vetëm sa do të rritet për ekranet OLED.
Samsung beson se prodhuesit e telefonëve do të zgjedhin panelet e hollë OLED për të kompensuar komprometimet në dizajn nga 5G.