Policia e Shtetit ka vënë në dispozicion një shpërblim prej 10 mijë eurosh për informacione për tre persona të shpallur në kërkim për grabitjen e Rinasit të 9 prillit.
Bëhet fjalë për të dyshuarit Klement Çala, 31 vjeç; Eldi Çala, 34 vjeç; Talo Çela, 48 vjeç, të tre banues në Elbasan.
Për këta persona Gjykata për Krimet e Rënda Tiranë, ka caktuar në mungesë masën e sigurisë “Arrest në Burg”, ndërsa për kapjen e tyre policia kërkon ndihmën e qytetarëve.
“Vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes së ndodhur në aeroportin e Rinasit në muajin prill 2019. Në vijim të punës për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes së ndodhur më datë 09.04.2019, ku si rezulat i punë së bërë nga Grupi i posacëm Hetimor, janë ndaluar 6 persona si dhe janë sekuestruar sasi të konsiderueshme vlerash monetare dhe sende që lidhin autorët me veprën penale.
Po në vijim të punës falë veprimeve hetimore të kryera Gjykata për Krimet e Rënda Tiranë, ka caktuar në mungesë masën e sigurisë ‘Arrest në Burg’, për veprat penale ‘Vrasja e punonjësit të Policisë’, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, ‘Vjedhja me armë kryer në bashkëpunim’, ‘Grup i strukturuar kriminal’, për tre shtetasit:
Klement Çala, 31 vjeç, banues në Elbasan;
Eldi Çala, 34 vjeç, banues në Elbasan;
Talo Çela, 48 vjeç, banues në Elbasan”, deklaron policia.
Të tre këta shtetas janë shpallur në kërkim nga Policia dhe vijon puna për identifikimin e vendndodhjes dhe kapjen e tyre.
Policia e Shtetit për çdo informacion të vlefshëm që do të çonte në gjetjen dhe kapjen e këtyre personave, ka vënë në dispozicion shumën prej 10 mijë Euro. Cilido qytetar që disponon informacion të vlefshëm, të telefonojë në numrat: 069 41 04 111 dhe 069 41 00 615, duke iu garantuar anonimat të plotë e të sigurt.
Ndërkohë, vijon puna për identifikimin e personave të tjerë, të përfshirë në këtë ngjarje kriminale.