MENU
klinika

17 të dyshuar

Irani dënon me vdekje “spiunët” e Amerikës

22.07.2019 - 20:35

Autoritetet iraniane kanë thënë se agjencitë e sigurisë kanë arrestuar 17 të dyshuar dhe kanë ndëshkuar disa me dënim me vdekje, pasi kanë shkatërruar një rrjet të spiunimit të lidhur me Agjencinë Qendrore të Inteligjencës (CIA).

Ministria iraniane e Inteligjencës ka thënë më 22 korrik se agjencitë iraniane të sigurisë kanë “shkatërruar me sukses” atë që e kanë cilësuar si “rrjet të spiunimit” të CIA-së.

“Disa janë dënuar me vdekje dhe disa me burgim afatgjatë”, ka thënë një zyrtar i ministrisë, emri i të cilit nuk është bërë publik.

“Spiunët e identifikuar janë punësuar në qendra të sektorit privat që u përkasin sektorit ekonomik, bërthamor, infrastrukturor, ushtarak dhe atij kibernetik… ku ka informacion të klasifikuar”, është thënë në një deklaratë të ministrisë së Inteligjencës.

Sipas raportimeve të mediave shtetërore iraniane, të dyshuarit për spiunim në CIA, janë arrestuar gjatë vitit kalendarik iranian, që ka përfunduar në mars të vitit 2019.

Mediat shtetërore iraniane kanë publikuar fotografi të “zyrtarëve të CIA-së”, për të cilët autoritetet iraniane thonë se kanë bashkëpunuar me spiunët në Iran.

Ky njoftim vjen në kohën e ngritjes së tensioneve në mes të Perëndimit dhe Iranit, prej kur sanksionet amerikane kanë nisur së zbatuari kundër Teheranit.

Javën e kaluar Irani ka kapur një anije britanike në Ngushticën e Hormuzit, duke konsideruar se lëvizja e saj ka qenë “në kundërshtim me rregullat ndërkombëtare”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN