Kur flasim për barazinë gjinore, Shqipëria është një vend i paradokseve të mëdha.
Shumë organizma të ndryshëm ndërkombëtare e vlerësojnë Shqipërinë në këtë drejtim, ndërkohë që të tjerë, si Organizata Ndërkombëtare e Punës, apo OKB thonë se gratë shqiptare bëjnë nga 6 deri në 8 orë në ditë punë shtëpie, ndërsa burrat më pak se një orë.
Por, së fundmi, të dhënat e Eurostat tregojnë se, një element thuajse i vë në peshore, dhe ky element është vdekja.
Të dhënat e Agjencisë Europiane të Statistikave që i referohen jetëgjatësisë në Europë tregojnë se pabarazia gjinore është mjaft e lartë në kontinentin e vjetër, deri në 10 vite për disa shtete, ndërkohë që mesatarja fiksohet në 5.2 vite, ne favor të femrave.
Në asnjë vend europian meshkujt nuk jetojnë më gjatë se femrat, por hendeku gjinor varion.
Shqipëria mban rekord të padiskutueshëm në kontinentin e vjetër, me vetëm 3 vite hendek gjinor në jetëgjatësi në favor të femrave, shkruan scan.
Pra, femrat në Shqipëri jetojnë mesatarisht 3 vite më gjatë se meshkujt, si asnjë vend tjetër në kontinentin e vjetër.
Në Bashkimin Europian në krye të listës qëndrojnë Holanda, Suedia dhe Britania, me një hendek gjinor në 3.2, 3.3 dhe 3.6 vite.
Shqipëria është më mirë se të tria këto shtete, duke bërë që të paktën në vdekje, të jemi sadopak të barabartë.