MENU
klinika

Nga Washington Post

Kina po e fiton luftën ideologjike me SHBA-në

24.07.2019 - 11:51

Sapo kalova një muaj në Universitetin e Pekinit në Pekin, duke u takuar me dhjetra zyrtarë qeveritarë, sipërmarrës, studiues, dhe studentë. Dhe dola në përfundimin se Shtetet e Bashkuara po humbasin betejën ideologjike me Kinën.

Konkursi ynë ushtarak, ekonomik dhe ideologjik me Republikën Popullore të Kinës do të jetë një garë në të cilën të dyja palët mund të arrijnë rezultate të favorshme.

Por në afat të shkurtër, sidomos gjatë epokës së Trump, Shtetet e Bashkuara kanë mbetur prapa në konkurrencën e ideve.

Shumë kohë përpara se Donald Trump të zgjidhej president, Kina paraqiste një model tërheqës dhe alternativ për sistemin e qeverisjes së SHBA. Në më pak se një gjeneratë, udhëheqësit e Partisë Komuniste kineze e transformuan vendin e tyre nga një shoqëri e varfër, agrare në një vend të industrializuar, me të ardhura të mesme. Asnjë vend kurrë nuk kishte arritur një rritje të tillë të shpejtë ekonomike për një periudhë të tillë kohore.

Kur shihnin Kinën që rritej, mbështetësit e modelit demokratik të SHBA-ve dhe liberalizmit në përgjithësi gjetën ngushëllim në tre argumente.

Së pari, udhëheqësit komunistë kinezë prodhuan një rritje mesatare vjetore prej afro 10 përqind për katër dekada duke përqafuar liberalizimin ekonomik, me fjalë të tjera, ata zgjodhën të bëheshin më shumë si ne ekonomikisht.

Së dyti, besonin se modernizimi ekonomik kinez përfundimisht do të prodhonte modernizim politik; Kina ishte në rrugë për t’u bërë edhe më shumë si ne.

Së treti, gjatë hapjes së Kinës në Perëndim gjatë katër dekadave të fundit, shumë sipërmarrës kinezë, studentë, profesorë dhe madje disa zyrtarë, dukeshin vërtet sikur admironin Shtetet e Bashkuara.

Të tre këto argumente sot duken shumë më të dobëta se vetëm disa vjet më parë.

Së pari, kreu komunist kinez Xi Jinping ka ngadalësuar ritmin e reformave të tregut dhe ka më shumë ndërhyrje shtetërore në ekonomi, më shumë kufizime për investimet e huaja dhe ndikim më të madh partiak në kompanitë private. Rritja ekonomike është ngadalësuar, por jo shumë. Sistemi ekonomik kinez nuk duket se po konvergon me kapitalizmin e stilit amerikan.

Së dyti, shpresa se liberalizimi ekonomik do të gjeneronte kërkesë për ndryshime demokratike nuk ka ndodhur ende; disa tani besojnë se kurrë nuk do të ndodhë.

Në skenën globale, Xi duket më i angazhuar për rendin botëror shumëpalësh sesa Presidenti Trump. Me fjalë, nëse jo gjithmonë me veprim, Xi ka afirmuar mbështetjen e tij për rregullat ndërkombëtare të lojës në tregti, klimë dhe siguri. Trump ndërkohë ka vendosur të tërhiqet nga disa marrëveshje ndërkombëtare, duke përfshirë Partneritetin Trans-Paqësor, marrëveshjen e klimës së Parisit, marrëveshjen bërthamore të Iranit dhe Traktatin INF.

Së treti, dhe ndoshta më alarmantja, përshtypja ime nga takimet me studentë dhe studiues kinezë gjatë qëndrimit tim në Kinë është se ne po humbasim ata që na admiruan dikur. Intelektualët nuk kërkojnë më frymëzim nga demokracia e SHBA. Aktivistët për të drejtat e njeriut nuk presin më për deklaratat e zyrtarëve të SHBA-së për abuzimet kineze. Studentët kinezë ende duan të studiojnë në universitetet e SHBA, por shqetësohen se do të përballen me diskriminim.

E megjithatë, Shtetet e Bashkuara nuk duhet të luajnë këtë lojë me Kinën. Si një nga demokracitë më të vjetra në botë dhe njëherësh udhëheqës i botës së lirë, ne nuk duhet të angazhohemi.

Për të rimarrë epërsinë në luftën ideologjike me Kinën, ne duhet ta ripërtërijmë demokracinë tonë dhe të riorganizojmë udhëheqjen e rendit liberal jashtë vendit.