MENU
klinika

Leonardo “ingenium”

Kryemjeshtri i artit

30.07.2019 - 12:40

      Po shkoj… sepse supa po ftohet

Këto janë fjalët e fundit, që Da Vinçi ka shkruar në bllokun e tij të shënimeve, në ditët e fundit të prillit të vitit 1519, ndërkohë që punonte me disa refleksione gjeometrike dhe kur disa herë, guvernantia e tij franceze Mathurine e thërriste që të shkonte për drekën që ishte shtruar dhe ku ai po vononte. Por, Leonardo donte ta linin në paqen dhe refleksionet e tij. Megjithatë, para se të çohej nga tavolina e punës, ai shkroi fjalët në latinisht: «quoi vocor ad cenam». Gjendja fizike e tij ato ditë ishte rënduar edhe pse ishte veçse 67 vjeç, në një moshë jo për të shkuar. Pas kësaj dreke, ku padyshim supa ishte ngrënë, kushedi në ç’botë mendimesh ishte mjeshtri atë ditë. Më pas, ai zuri krevatin e tij dhe nuk u ngrit më. Pas disa vitesh të lumtura krijimi dhe plot ide të jashtëzakonshme për artin dhe shkencën, agonia pushtoi një nga mendjet më të ndritura të historisë njerëzore. Po vdiste me merakun e tij se nuk e kishte arritur të përsosurën, apo atë shkallë supreme, ku arti e shkenca të bashkoheshin, pasi e bukura për të ishte «shfaqja e jashtme e së vërtetës». Pikërisht aty ai dha shpirt në 2 maj të atij viti. «Maystre Lyenard payntre ytalien», siç e thërriste mbreti, vdiq. Sytë e mjeshtrit nuk do ta shikonin më vështrimin e Mona Lizës që gjendej në sallën tjetër dhe as të Sainte Anne apo Shën Gjon Pagëzorit (Saint Jean Baptiste) që nuk e kishte përfunduar, si shumë vepra të tjera që i la të papërfunduara, pasi ai nuk ishte i kënaqur deri në fund me punën e tij. Ishte data 2 maj 1519. Mbreti François që përkujdesej në veçanti për të, ishte në pallatet e tij në Saint-Germain-en-Lay, shumë larg nga Amboise, duke festuar ditëlindjen e djalit të tij. Menjëherë ishin dërguar kasnecët bashkë me ndihmësin e tij Meltzi, t’a lajmëronin atë për vdekjen e mikut të tij. Por udha ishte e gjatë. Duhej ndjekur lumi i Loire-s, pastaj nëpër pyjet drejt Parisit dhe së fundi në pallatin mbretëror të Saint-Germain-en-Lay, ku mbreti ishte me mbretëreshën. Me të marrë lajmin, të nesërmen që në mëngjes mbreti i hipi karrocës mbretërore dhe gjithë ditën udhëtoi drejt kështjellës ku gjendej trupi pa jetë i piktorit të madh. Ai hyri me nxitim në oborrin e Clos Lucé, u ngjit në katin e parë ku ishte dhoma e gjumit e Da Vinci-t dhe kur shkoi në krevatin e të vdekurit, e mori në krahë kokën e tij të lëshuar. Dhembja e tij ishte e madhe, siç tregohet dhe në një nga pikturat e mjeshtrit francez Ingres, Mbreti François I në shtratin e Leonardo da Vinci./Konica.al
Në 12 gusht, Leonardo u varros në kishën Saint Florentin, që e kishte zgjedhur vetë, ndoshta ngaqë ky emër i kujtonte Firencen e tij. Ashtu siç e kishte lënë dhe me testament, 60 të varfër, me shandanë në duar shoqëruan trupin e tij deri në varr. Me urdhër të mbretit u mbajtën tri mesha të mëdha në Kishën e madhe të Amboise, në atë ku u varros Leonardo dhe në një tjetër. Kambanat binin pareshtur…

 

 

 

 

 

Varri i Leonardos

Leonardo nuk ka varr. Varri i tij është simbolik në shapelën e Saint Hubert, brenda kështjellës mbretërore e hijerëndë të Amboise. Kisha dhe varri i tij u shkatërruan gjatë luftrave fetare që ndodhën në Francë mes katolikëve dhe protestanëve, “La Guerre de 100 ans” , luftra ku nuk munguan të merrnin pjesë dhe mijëra stratiotë shqiptarë, siç dokumentojnë dhe historianët e kohës. Gjatë Revolucionit Francez shumë arkivolë u hapën dhe u shkatërruan me qëllim që plumbi i tyre të shkrihej për të prodhuar armë dhe plumba. Më 1802, një senator, me miratimin e Bonapartit, shkoi të merrej me restaurimin e kështjellës së Amboise-s dhe meqë shapela e Saint Florentin prishte pamjen, ai e rrafshoi atë dhe gurët u përdorën për muret e rëna të kështjellës. Por më 1863, gati tre shekuj më vonë, poeti Arsene Haussaye kërkoi të gjente varrin e Leonardo-s dhe në vendin e ish shapelës gjeti një skelet, atje ku e kishte varrosur një kopshtar, meqë ai kishte parë fëmijët të luanin me kocka njerëzore. Më 1874 ishte Konsulli i Parë i Parisit që në kuadrin e restaurimit të kështjellës, gjeti një torbë me kocka dhe i varrosi ato në shapelën Saint Hubert të kështjellës. Duke kërkuar në kishën e rrënuar, ai mundi të gjejë skeletin e gjeniut, ku kafka e tij, çuditërisht, prehej mbi një dorë dhe pranë, mbi një pllakë guri ai mundi të deshifronte një mbishkrim të vjetër ku dallohej “LEO … DUS…VINC”, domethënë “Leonardus Vincus”. Por a ishte vërtet ajo kafkë, kafka e mjeshtrit të madh? Enigma padyshim nderet në mjegullat e historisë.

Që në të gjallë të tij, Da Vinci mendonte mbi ardhmërinë e kësaj bote, duke i paraprirë shpikjeve më të mëdha të shekujve, çka sot mund t’i konstatosh në oborrin e Clos Lucé (si dhe në shtëpinë-muze të Leonardo-s në Firence), apo në sallonin ku demostrohen shumë prej shpikjeve të tij, çka më i habitshmi është ai i fluturimit mekanik të njeriut, bazuar në fluturimin e zogjve. Da Vinci mendonte për shoqërinë moderne dhe i pararendi asaj. Imagjinata e tij i kapërcente kufijtë e epokës së vet. Dhe ky pikëtakim i sotëm atje në Clos Lucé, nën një qiell blu, plot habi dhe të papritura, na kujton atë spektakël kozmik që ai kishte organizuar në prani të mbrojtësit të tij, François I.

 

 

 

 

 

Mësimi i artit dhe herezia e njohjes

Që në lindjen e tij njeriu ka tentuar të njohë botën me të fshehtat e saj, duke krijuar kështu një mitologji më vete, nga epoka e zjarrit dhe e bronxit deri në ditët e sotme, ku mitologjitë vazhdojnë në forma moderne. Njeriu gjithnjë ka ecur me guxim drejt njohjes si ajo qenie që nis të dalë nga shpella apo tuneli i errët i një bote, duke ndjekur dritën që shfaqet tutje dhe duke shkuar me etje drejt saj, pa e ditur se çdo të ishte ajo dritë, ajo botë. Ishte një sfidë, një rendje e ethshme dhe e pafund duke rrezikuar vet ekzistencën, një tundim i jashtëzakonshëm për njohjen… Kur Leonardo Da Vinçi nisi të kërkojë njohjen e trupit njerëzor dhe të shkojë nëpër morget e spitaleve duke bërë hapjen e kadavrave mjerane për të studiuar anatominë njerëzore, deri tek gruaja e vdekur me fëmijën në bark, pa dyshim që miqtë e tij e morën për të një të çmendur. Por, ai e ndjente se pa njohjen e trupit njerëzor nuk mund të pikturonte, nuk mund të jepte shëmbëlltyrën e figurës, edhe pse rreth tij klithën për herezi. Dhe ai vazhdoi kështu, ditë e net të tëra, në atë ferr ku vetë Dante kishte zbritur me imagjinatë duke pëshkruar “Ferrin” e tij. Da Vinçi pikturonte kështu gjersa zërat e “herezisë” së madhe, e prekjes së trupit, e coptimit të tij, shkuan deri te Papa i Romës, i cili menjëherë kërkoi ndëshkimin e artistit që ai mos të vazhdonte më në prekjen dhe depërtimin në të fshehtat dhe të panjohurat e trupit njerëzor. E megjithatë, gjeniu i madh kishte mundur t’i vizatonte të fshehtat njerëzore, pasi të vizatoje, të pikturoje një figurë, një grua, një fëmijë, një burrë të ri apo plak, do të duhej të njihje dinamikën e trupit dhe funksionimin e tij, të gjymtyrëve, të muskujve, çka të shërben për të dhënë një figurë sa të vërtetë aq dhe jetësore e të përsosur. Sfida më e madhe në jetën e tij ishte pikërisht ajo çka bëri në spitalet e Firences: prerja e kufomave dhe vizatimi i tyre, i muskujve, indeve, vizatimi i tyre me rrezikun e madh që vepra e tij artistike të ndërpritej. Dhe ajo do ishte ndërprerë, mrekullia që krijohej do ishte ndalur, meqë dhe mbrojtësi i tij më i madh në atë kohë, Papa Giuglio II vdiq. Por, fati e solli që pikërisht atëherë, në Firence të vinte mbreti francez François I-rë, i cili kur dëgjoi për bukuritë e artistit të madh, në kthim e ftoi të shkonte të jetonte në Francë dhe të punonte atje. Dhe më 1516, duke kapërcyer Alpet me dëborë, Leonardo shkoi për t’i shpëtuar mallkimit të kishës, shkoi i ngarkuar me disa tablo dhe me njohjen e madhe se, më së fundi ai e dinte tashmë se çfarë ishte thelbi njerëzor.

I vështroj sot këto vizatime të Leonardos dhe imagjinoj piktorin e madh, mes skenave makabre që syri i njeriut s’do t’i shohë, por që ato janë të domosdoshme për imagjinatën e një artisti që do të dojë të rrokë fizionominë e botës njerëzore. Gjithë kjo të kujton përsëri Danten që zbriste në rrathët e ferrit të tij për të zbuluar natyrën njerëzore. Ishin kufij që artistët e mëdhenj duhej t’i kapërcenin. Dhe Leonardo i kapërceu ato, kapërceu kufijtë, barrierat, atë çka i ndalohej, duke u përballur me sfidën e inkuizitorëve. Por, artisti i madh historikisht diti gjithnjë të triumfojë mbi barrierat e të gjitha ngjyrave, e të gjitha kohërave./Konica.al

Shembullin e Leonardos, të tjerë artistë vazhduan të eksplorojnë në këtë botë të fshehtë të qenies njerëzore, piktorë të Renesancës e gjer tek Rembrandt e këndej. Ja pse tabloja e famshme e Rembrandt “Mësimi i anatomisë i doktor Tulp” (1632) ndoshta meriton lavdet postume të mjeshtrit të madh Da Vinçi. Po kështu do të ndodhte me Caravaggio-n dhe mjeshtra të tjerë që provuan linçimin dhe përndjekjen e gjatë, burgimin dhe vdekjen.
Mësimi i artit është i pandarë nga “herezia” e njohjes dhe është e pamundur që ajo të ndalet nga çdo lloj dhune e perandorie… Një himn për njohjen, edhe kur ajo ngjason me “herezinë”!

 

 

 

 

Da Vinçi na rishfaq sërish artin e tij të madh

E pabesueshme… Dora e Leonardo da Vinçit, na rivjen sërish dhe na shfaqet me një krijim të panjohur: “Martiri San Sabestian”. Duket sikur ka zgjatur dorën sipër varrit për të na treguar dhe një vizatim të thjeshtë të tij. Martiri është atje, lidhur në një pemë të xhveshur, në një peizazh morti, në konvulsionet e tij, gjysmë i zhveshur, me imazhin e martirit që mund të krijonte vetëm një artist si ai. Po, ishte madhështia e penës së tij duke punuar në atelierin e tij në Firenze, një vizatim i viteve 1478-1483. Një trup i goditur nga ndëshkimi, me kokën lart si të kërkonte ndihmë nga ndonjë hyjni. Linja të hedhura lirshëm, me një frymë, siç ndodhte në etydet e tij për të bërë pastaj tablotë e Monalizës apo Jezusë. Si ndodhi kështu rishfaqja e këtij vizatimi të humbur e të panjohur gjatë pesë shekujve, pas aq e aq kërkimesh të studjuesve të ndryshëm që kërkonin në arkivat e Milanos, Venecies, Vatikanit, Londrës, Parisit apo Berlinit. Kështu, papritur, vizatimi u zgjua nga ajo përgjumje e madhe në dokumentet e nje njeriu të zakonshëm, ku një mjek francez, i cili kishte mbledhur vizatime të ndryshme që ruante i ati diku ne një dollap, vendosi një ditë ti çonte në Shtëpinë e Ankandit “Tajan” në Paris, për ti ekspertizuar dhe shitur. Ai kurrë nuk kishte menduar se mes tyre mund të ishin vizatime të Leonardos, vizatim i cili menjëherë u shpall “tresor national” (“thesar kombëtar” i Francës) dhe që shtëpia “Tajan” kërkon ta shesë për 15 milionë euro. Edhe pse pa firmë eksperti i kësaj shtëpie botuese e kuptoi menjëherë se kishte të bënte me diçka disa shekullore dhe që i përkiste ndonjë piktori të Rilindjes italiane. Po cilit?… Dhe kështu, pas tetë muajsh Patrick de Bayser dhe më pas ekspertja e Metropolitan Museum të Nju Jorkut, Carmen C. Bambach njohës të mirë të veprës së artistit fjorentinas, arritën në konkluzionin se vizatimi ishte i Leonardo da Vinçit. Dukej që ishte bërë nga një dorë e mëngjërt. Dhe në faqakt Leonardo punonte gjithnjë me dorën e majtë. Ekspertët zbuluan se vizatimi i përkiste një flete që i takonte fletoreve të vizatimeve që përbënin atë që quhet «Codex Atlanticus».

Mesa duket aventura e Da Vinçit nuk ka mbaruar. «Prushet» e fjetura të mjeshtrit rizgjohen dhe n’a shfaqen me madhështinë e një arti të jashtëzakonshëm. Vallë si do të ishte ky vizatim po të ishte kthyer në një tablo me ngjyra të dimensioneve të mëdha siç pikturonte Leonardo. Padyshim do të kishte qenë shumë më e bukur se ajo e Tiziano-s dhe e Montegna-s, pasi Leonardo ka bërë një zgjidhje tjetër për figurën e tij. Martiri i tij nuk qëndron në formë ballore dhe pa përpëlitjen e një martiri, por ndryshe nga ta, përmes tij, ne ndjejmë vërtetë martizimin e heroit të Da Vinçit përballë egërsisë së një perandori. Sidoqoftë, Franca ka vetëm 30 muaj afat për ta mbajtur brenda territorit të saj këtë vizatim nëse ndonjë nga institucionet e saj dhe së pari Musée du Louvre apo Musée d’Orsay do ta blinin për 15 million euro. Në mos, jo pak institucione amerikane, kineze, japoneze, etj, apo biznesmenë të mëdhenj, do ta blejnë dhe ky vizatim do ti mungojë Francës…

 

 

 

 

 

Po, Leonardo është në ankand… e megjithatë, zbulimi i rastësishëm i këtij vizatimi është pa dyshim një ngjarje në fondin e trashëgimisë botërore.
E vështroj këtë vizatim dhe menjëherë më shfaqen imazhet e tablove të shkëlqyera të Mantegna-s për martirin San Sebastian (1480), apo taboja “ Tizanos, tablo këto të mëdha me ngjyra dhe plot kolorit. Por tek Leonardo, qëndrimi i përsonazhit (figura e tretë e shenjtë në Romë pas Shën Pjetrit dhe Shën Paul) është krejt tjetër. Një skicë e bërë aty për aty, me penën e tij (pendë) me bojë kafe, i ka dhënë figurës së martirit një pamje trallisëse, në çastin kur perandori romak, Diocletien për ta ndëshkuar, meqë ai u kërkoi miqve të tij të mos hiqnin dorë nga feja kristiane, urdhëroi ta qëllonin me shigjeta, lidhur pas një trungu. Fytyra e martirit është shumë shprehëse e po kështu dhe trupi, ku padyshim përsa i përket anatomisë, Leonardo mbetet mjeshtri më i madh i të gjitha kohrave. Vizatimi ka përmasat 19,3 x 13 cm… pra një fletë fletoreje, çka disa prej tyre i kemi parë në muzeun e Leonardos në Clos Lucé, në Amboise, ku ai jetoi pjesën e fundit të jetës gjersa vdiq. Martiri San Sebastian është trajtuar shumë dhe nga piktorë të tjerë të Rilindjes italiane apo piktorët spanjollë (El Greco), hollandezë, flamandë, etj. Nga Rilindja italiane më të njohura janë tablotë e Rafaelos, Botticelli, Perugini… Në Francë, kompozitori Debussy, krijoi muzikën e një baleti me temën e këtij martiri./Konica.al

 

Luan Rama

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Pse nuk mbaroi “Mona Liza”?

Gjeniu mëngjarash vuante nga strabizmi