MENU
klinika

Ungjilli i Judës

Kush Kallëzoi Krishtin?

21.07.2019 - 11:45

       Për afro dymijë vjet, bota kristiane ka jetuar me imazhin e Judës, si njeriu që tradhëtoi Jezu Krishtin dhe që ishte mishërim i njeriut të poshtër dhe tradhtar. Ky imazh u përpunua gjatë shekujve dhe njerëzit që dënoheshin nga Inkuizicioni cilësoheshin si Judë, si njeri i djallit apo Satanit, imazh ky që erdhi deri në ditët tona, kur në epokën naziste cilësoheshin judë jo vetëm hebrenjtë, por dhe njerëzit që ngritën krye kundër nazizmit. Ky imazh popullor filloi të krijohej që me ungjijtë e parë të Krishterimit, atëherë kur apostujt, ithtarët e Jezu Krishtit, filluan të shkruanin jetën e tij pas kryqëzimit, duke filluar që me ungjillin e parë të Shën Markut, me Shën Mateun, Shën Lukën dhe Shën Gjonin. Por krahas tyre, ungjij të tjerë, veçanërisht ata gnostikë, që kishin një vizion ndryshe për Zotin, apostullin Judë e konsideronin ndryshe dhe si një nga apostujt më të afërt të Jezusë. Këta ungjij, shumica e të cilëve u dogjën, u cilësuan heretikë, u ndaluan nga Kisha kristiane atëherë, kur në shekullin e IV të erës sonë perandor Konstantini, e ktheu fenë kristiane si fe të perandorisë dhe doktrina kristiane u përcaktua njëherë e mirë, pra ajo që është edhe sot, doktrina e Atit, Birit dhe Frymës së Shenjtë./Konica.al

Por ka disa vite që zbulimi i një dorëshkrimi të vjetër, i titulluar Ungjilli i Judës (ashtu si dhe Ungjilli i Maria Madalenës), ka krijuar një debat jo të pakët shkencor mbi figurën e Judës, e cila, ndryshe nga paraqitja në tekstet zyrtare kristiane e gjer në tekstet e sotme, shihet si një nga apostujt më të zellshëm të Jezu Krishtit. Por a është e vërtetë kjo dhe a mund të besohet se vërtet Juda, ishte ai që i shërbeu Jezu Krishtit? Sigurisht, Vatikani e hodhi poshtë menjëherë versionin e ekzistencës së një Jude tjetër, por dokumenti historik ekziston. Vallë a e tradhtoi realisht Juda, Jezu Krishtin? Një pyetje që vështirë t’i japësh përgjigje, pasi duhet të përmbysësh një pohim gati 2000-vjeçar, pas së cilës, Kisha e sotme vështirë se mund të tërhiqet.

 

 

 

 

Kush ishte Juda?

 

Që në fillim mund të themi se emri Judë në atë kohë, në Izraelin e dikurshëm dhe mbretërinë e Judesë, ishte mjaft i përhapur pasi ata ishin një nga 12 tributë e Izraelit, tribuja nga kishin dalë mbretërit dhe familja mbretërore e Davidit. Ndër më të famshmit me këtë emër (Judë quhej po kështu dhe djali i Jakovit dhe i Lea-s), ishte gjithashtu Juda Mukabé, njëri nga heronjtë më të mëdhenj të revoltave të hebrenjve në vitin 164, para erës sonë. Hebrenjtë e sotëm e mbajnë me krenari emrin Judë, ndryshe nga kristianët që kanë një vizion krejt të kundërt me këtë emër. Asnjë kristian nuk do të guxonte t’i vinte fëmijës së tij emrin Judë. Dhe kjo padyshim nga imazhi stereotip i krijuar tashmë nga njëri shekull te tjetri.

Siç dihet, Juda ishte me origjinë nga Karioth, një qytet i krahinës së Judesë, prandaj dhe u quajt «Iscariotes», i sektit të «sikarëve», që ishin më fanatikët e fesë hebraike. Ai duket si një tip enigmatik, por sidoqoftë është nga të afërtit e Jezusë. Në fakt, siç shkruhet në disa tekste të vjetra, grupi i apostujve rrotull Jezusë ishte një grup heteroklit, pasi rreth tij ishin apostuj me emra që ishin hebrenj, si Jaku, Bartelemi, Tade e Simon, apo me tingëllim grek si Filip, Andre, etj. Ata i kishin shkëputur lidhjet e tyre familjare dhe i ishin kushtuar doktrinës së Jezusë. Jaku dhe Andrea ishin peshkatarë. Realisht, rreth Jezusë kishte tri rrathë ithtarësh: së pari 12 apostujt (shifër që bën lidhjen me 12 tributë e Izraelit); në rrethin e dytë, ishin gratë, si nxënëse të tij, si Maria Madalena, Maria tjetër, motra e Lazarit dhe gruaja e Chousa-s, intendentit të Herodit, Maria, nëna e Jakut, Salomeja, etj, të cilat e ndjekin Jezunë, dëgjojnë predikimet e tij dhe janë në këmbët e Krishtit kur ai kryqëzohet. Këto gra asnjëherë nuk u quajtën dishepuj, pasi dishepull në hebraisht quhet «talmid» dhe në aramenisht «talmida», por kjo fjalë ishte gjithnjë në gjininë mashkullore, pra edhe pse nuk cilësohen dishepuj, ato konsideroheshin të tillë. Ndërsa grupi i tretë i ithtarëve ishin simpatizantët e tij si Lazar, Nicodeme, Zaché apo taksambledhësi Josef Arimathie, i cili i kërkoi guvernatorit romak Ponc Pilati, që të merrte trupin e vdekur të Jezusë. Shën Pali, edhe pa qënë një nga apostujt, u konsiderua më vonë si një apostull, meqë ishte nga të parët që shkroi tekstet kristiane dhe punoi për përhapjen e Krishtërimit.

Që nga 4 ungjijtë kanonikë, pra të pranuar nga kisha, figura e Judës trajtohej si figura e apostullit që tradhëtoi Krishtin, imazh që do të përcillej në shekuj edhe  në tekstet letrare, artet pikturale, në tablotë e shumta që figurën e Judës e kanë trajtuar si personi i errët tek i cili zotëronte djalli dhe krimi. Më e famshmja ishte padyshim Darka e fundit e Leonardo da Vinci-t apo pikturat flamande, te Rembrandt-i etj, apo ato të Quatroçentos italiane. Juda është personazh në shumë krijime letrare si te Tre versionet e Judës të Jorge Luis Borges, te Mjeshtri dhe Margarita e Mikhail Bulgakov, Judas Ein Jürger des Herrn, të Hans-Josef Klauck, Judas Iscariot and the Myth of Jewish Evil, të Hyam Maccoby, etj, e gjer te kënga e Bob Dylan, i cili këndonte: «Ju përket juve të thoni / Nëse Juda Iskarioti / Kishte Jezunë krah vetes/».

Në katër ungjijtë e hershëm, që përbëjnë dhe tekstet bazë të Testamentit të Ri, pra Biblës, (e cila përfshin dhe Testamentin e Vjetër, atë të fesë hebraike të para Krishtit), të shkruar në vitet 70, (ai i Markut), në vitet 80-85 (i Mateut dhe Lukës), apo në vitet 90-100 (i Gjonit) të erës sonë, shkruhet se Satani hyri në trupin e Judës dhe e shtyu atë drejt tradhëtisë. Tek Ungjilli i Gjonit shkruhet se «Jezuja u tha 12 apostujve se njëri nga ata, pra Juda, është një djall». Në Testamentin e Ri, (i përbërë nga 27 libra kanonikë), shkruhej se «Juda u pagua nga autoritetet e kohës në Jeruzalem që të derdhej gjaku i Jezusë.» Por në tekste të tjera jo kanonikë, pra që u dënuan më pas nga Kisha, shkruhet se në darkën e fundit, Jezuja i tha Judës: se «ajo që duhet bërë, duhet bërë shpejt». Në një vënd tjetër, shkruhet se kur Juda ishte afër Jezusë, ai i kishte thënë: «E di se kush je dhe nga vjen. Ti rrjedh nga mbretëria e pavdekshme e Barbelo-s. Dhe emrin e atij që të ka dërguar, unë nuk jam i denjë të ta them

Por ç’thotë në fakt Ungjilli i Judës i deshifruar më së fundi, i cili na dëshmon se vërtet Juda e dorëzoi Jezunë, por se këtë e bëri me porosinë e vet Jezusë. Siç shihet, përshkrimet e figurave dhe e ngjarjeve historike nuk janë të njëjta. Madje dhe skena të ndryshme që tregohen në ungjijtë kanonikë nuk përshkruhen njëlloj.

 

 

 

 

 

Në shkrimet e Biblës, thuhet se një javë para se të kryqëzohej, Krishti dhe gjithë apostujt e tij shkuan në Tempull, pasi Jezuja ishte një predikues çifut dhe u mësonte të tjerëve mësimet fetare të komunitetit të vet, veçanërisht pesë librat themeltarë hebraikë si ai i Gjenezës, Eksodi, Levitiku, Numrat dhe Deuteronome (të quajtura nganjëherë dhe «Ligji i Moisiut»). Në Tempull atë ditë, siç na shkruan dhe Shën Marku, ishin dhe shitësit e kafshëve, të cilat sipas ritit do të sakrifikoheshin. Apostujt ishin aq të mrekulluar nga Tempulli sa ata i thanë Jezusë: «Mjeshtër, vështro çfarë gurësh! Ç’ndërtim!» Ndërsa në Ungjillin e Judës, kjo skenë jepet ndryshe. Apostujt shohin aty njerëz e priftërinj, ku janë duke sakrifikuar kafshët. Të shqetësuar ata duan të dijnë se çfarë po ndodh kështu. Dhe Jezuja u thotë: «Ajo që ju shikoni këtu, ku nderohet altari, jeni ju vetë. Dhe kafshët që po çojnë drejt sakrificës, janë të gjithë ata që gabojnë.» Sipas Ungjillit të Shën Mateut, shkruhet se “ai shkoi në Tempull dhe i tha priftit të madh hebre: Çfarë më jepni po t’ju dorëzoj Jezunë? Dhe ata i premtuan 30 “denierë”. Mateu shton se “pas kryqëzimit të Krishtit, Juda përfundoi keq dhe vari veten”. Në librin e Akteve, shkruhet se “barku i tij ishte çarë dhe ai kishte mbaruar nga një vdekje e tmerrshme».

Siç dihet, skena e arrestimit të Jezusë ndodhi gjatë kohës së pelegrinazhit hebraik të Pashkëve. Kur hyri në Jeruzalem, ai ishte pritur me brohori nga populli dhe priftërinjtë nuk donin ta arrestonin atje, pasi kjo mund të sillte ndonjë revoltë. Atëherë u prit që ai të shkonte në kopshtet e ullinjve dhe të arrestohej atëherë kur Juda do ta puthte, çka ishte dhe shenja se cili ishte Jezuja ndër 12 apostujt.

Por, si erdhi deri tek ne ky ungjill dhe a ka ekzistuar vërtet që në atë kohë?

Në fakt, siç shkruajnë disa historianë e biblistë, në disa libra të hershëm të Kristianizmit, flitej dhe për Ungjillin e Judës, ashtu siç flitej dhe për Ungjillin e Maria Madalenës. Ky ungjill ishte cituar së pari në vitin 180 të erës sonë nga shenjti Irenée, peshkop i Lionit apo i Lugdunum-it të vjetër, (130-208), një nga teologët e parë të Kishës Katolike, i cili sulmoi korentin gnostik të fesë në traktatin e tij të quajtur Refuzimi i shkencës së rreme ose Kundër-herezitë, (Adversus haereses). “Sipas këtij ungjilli, – shkruante Irenée, – vetëm Juda e kuptonte Jezunë. Ai e merr me mënd se nuk është Mesia që prisnin hebrenjtë, por ai që sjell fjalën e vërtetë të Zotit, Zotit origjinal, dhe jo Yahve-në e hebrenjve, siç e konsideronin disa kristianë të parë, atë «Zot të Zëmërimit dhe të Urrejtjes », atë lloj demiurgu që kishte krijuar një botë të mbrapshtë. Ja pse Jezu Krishti e veçoi Judën nga apostujt e tjerë dhe i kërkoi ta dorëzojë te romakët «që të sakrifikohet njeriu që më paraqet me trup njerëzor».

Edhe pse e citon këtë ungjill dhe përmbajtjen e tij, Irene e dënon ashpër atë.

 

Gnostikët dhe Biblioteka e Nag Hammadit

 

Për të kuptuar thelbin e këtij ungjilli, (i cili për 1700 vjet kishte fjetur në shkretëtirën e Egjiptit), që ishte tepër larg fesë çifute, si dhe ortodoksisë kristiane dhe se përse ishte shkruar ai, duhet të theksojmë se ai u shkrua në kohën kur në shekullin e II dhe III të erës sonë, pra në gjeneratat e kristianëve të parë, kur ekzistonin shumë korrente kristiane, tolerante ndaj njëra tjetrës, mes të cilëve më të rëndësishmit ishin gnostikët, ata që vinin mbi gjithçka dijen, «gnosis», (në greqishten e vjetër), pra njohjen e së vërtetës, që siç shkruan dhe studjuesi amerikan Bart D. Ehrman në librin e tij E vërteta dhe trillimi në librin Kodi Da Vinçi,  «njerëzimi do të shpëtojë vetëm duke njohur forcat çliruese». “Ata thonin se fuqia hyjnore hyri në trupin e Jezusë dhe u mësoi njerëzve të vërtetën, por kur ai u kryqëzua, fuqia hyjnore iku nga trupi i tij, prandaj dhe ai thirri: Zoti im, Zoti im, përse më braktise?!». Edhe profesori i Katedrës së Koptologjisë në Universitetin e Gjenevës, Rodolph Kasser, pohon se “gjatë 2 shekujve pas kryqëzimit të Krishtit, feja kristiane u persekutua nga romakët dhe u shpërbë në sekte të ndryshme të fshehta, në grupime të vogla klandestine. Këto kisha kristiane bashkëjetonin me njëra tjetrën, në një liri mendimi, pa iu diktuar njëra tjetrës.”

 

 

 

 

 

Nga historia, dihet gjithashtu se pas Koncilit të Nikesë në vitin 325, për të vendosur më së fundi origjinën e Jezusë dhe vlerën e Kristianizmit, (kjo do të përfundonte në një koncil të dytë të mëvonshëm, në Konstantinopojë, në vitin 381, deri sa më në fund do të ishte Shën Agustini ai që do t’i vinte vulën imazhit të Judës dhe rolit të tij), korrentet gnostike dhe mendimet e tyre rreth figurës së Jezusë, Perëndisë etj, filluan të bëhen minoritarë, meqë feja kristiane u bë një fe e Perandorisë. Madje Konstantini, për ta çuar deri në fund aktin e tij kristian, ai u pagëzua në shtrat, para se të vdiste, dhe jo pas lindjes siç ishte zakon atëherë. Pikërisht atëherë, gnostikët filluan t’i fshehin librat dhe tekstet e tyre rreth Krishtit. Në Egjipt, nën influencën e kishës gnostike të Aleksandrisë, ata filluan t’i fusin në qypa të mëdhenj dhe t’i mbulonin ato në shkretëtirë, në mënyrë që t’i mbronin nga lagështia dhe persekutorët. Kisha Kristiane vërtet u bashkua, por kjo u bë me një çmim të madh, me atë të persekutimit të priftërinjve të tjerë, po kristianë dhe adhurues të Jezusë, por të ndryshëm nga ata.

Historia është e çuditshme dhe e ngjashme me zbulimin e “Pergamenëve të Detit të Vdekur”. Ngjarja kishte ndodhur në dhjetor të vitit 1945. Shtatë beduinë po gërmonin rreth një zone shkëmbore të quajtur Jabal al-Tarif, për të mbledhur «sabekh», një lloj plehu nitrati që e përdornin për tokat e varfëra të fshatit të tyre al-Qasr, në zonën e Nag Hammadit, në veri të Luksorit, në Egjiptin e sipërm. Papritur kazma e beduinit Muhamad Ali kishte rënë në një gjë të fortë. Ata zbuluan një skelet të vjetër dhe pranë një qyp afro një metër të lartë, sipër të cilit kishte dhe një vazo të mbyllur me zift. Kur e hapën, ata zbuluan se ishin ca libra të vjetër me kapakë lëkure, por askush nuk i kushtoi rëndësi. I zhgënjyer, beduini i hodhi në një hangar dhe gruaja e tij, kur ndizte zjarrin i përdorte për të bërë flakë. Në qypin e gjetur, kishin qënë gjithsejt 13 kodikë, ku në kapakët e tyre, më pas u gjetën ca fatura që ishin përdorur për të forcuar kapakët dhe që mbanin ende datat 341, 346 dhe 348, kohë kur kapakët ishin përforcuar. Ato u gjënden 3 milje larg, pra shumë afër një manastiri kristian të themeluar nga murgu i famshëm Pachomiusi, në shekullin e IV, dhe duket se ato ishin pikërisht librat e bibliotekës së këtij manastiri. Por nga frika se mos i ngacmonte policia, meqë dyshonin rreth një vrasje që kishte ndodhur ato ditë, beduini Mohamad ia dha një besimtari të fshatit dhe ky i fundit historianit Raghibrone, duke përfunduar kështu në duart e shtetit. Meqë ishin në gjuhën kopte (të krishterët e parë të Egjipitit, me një gjuhë të përafërt me greqishten e vjetër) dhe me tu vendosur në Muzeun Kopt të Kajros, «Biblioteka e Nag Hammadit» tërhoqi menjëherë vëmëndjen e specialistëve, egjiptianologëve dhe historianëve të Krishterimit, mes të cilëve dhe francezin Jean Doresse dhe profesorin e gjuhës kopte Kasser, meqë ato tashmë duheshin deshifruar. Po çfarë ishin këto dorëshkrime të vjetra?

Këtë “bibliotekë” e përbënin 52 dorëshkrime, mes të cilëve 5 ungjillë të rinj, 4 “apokalipse”, shumë «libra të fshehtë» të Jakut, Gjonit dhe Toma Atletit, Aktet e Pjetrit dhe të 12 apostujve, një parafrazë e gjatë e Republikës së Platonit, etj. Interesant ishte se midis tyre gjëndej gjithashtu dhe Ungjilli i së Vërtetës.

 

Gjetja e ungjillit të Judës

 

Por gjetja e Ungjillit të Judës, forcoi të dhënën historike se edhe ky ungjill bënte pjesë në vazhdën e dorëshkrimeve gnostike, të fshehur nga frika e reprezaljeve të Kishës Kristiane, pasi dihet se ndaj sekteve të tjera u ndërmor një fushatë spastrimi e asgjësimi. Ungjijtë apokrifë u dogjën ngado. Ungjilli i Judës u gjet po në Egjiptin e mesëm, në Minieh, por më vonë se «Biblioteka e Nag Hammadit». Kjo ndodhi në vitin 1970. Ajo që tërhoqi menjëherë vëmëndjen e specialistëve ishte ky ungjill quhej “Ungjilli i Judës”, Juda Iskariotit, i cili, edhe pse nuk ishte shkruar nga vetë Juda, ndryshonte nga ungjijtë e tjerë kanonikë (pra të pranuar nga Kisha Kristiane, siç janë ungjilli i Markut, i Mateut, i Lukës dhe i Gjonit).

Meqë Irené përmënd në traktatin e tij «Ungjillin e Judës», mendohet se ky ungjill, fillimisht është shkruar në gjuhën greke dhe pastaj është kopjuar në gjuhën kopte. Në librin e tij Kundër herezive, ai shton se «ata thonë që Juda tradhtari ishte nga të vetmit dishepuj që kishte njohjen e së vërtetës dhe se ai bëri «misterin» e tradhtisë. Nga ai u shkatërruan të gjitha gjërat tokësore dhe qiellore.” Në fakt, në hyrje të Ungjillit të Judës, i cili datohet se është shkruar në vitet 260-280 të erës sonë, është shkruar: «Përmbledhje sekrete e asaj që thotë Jezuja gjatë bisedës me Juda Iskariotin për një afat prej tetë ditësh, tre ditë para se të festoheshin pashkët.» Ajo që e lidh këtë ungjill me ungjijtë e tjerë gnostikë, është se në dorëshkrimet e “Bibliotekës së Nag Hammadi”, ishin dhe dy tekste të njëjtë me ato të gjetura me Ungjillin e Judës: Letra e Pjetrit drejtuar Filipit dhe Apokalipsi i Parë i Jakut, çka flasin për seriozitetin e Ungjillit të Judës si një tekst i përhapur dhe i njohur në ato kohë. Profesori amerikan i studimeve biblike dhe kristiane të Kalifornisë, Marvin Meyer, i cili i ka bërë një trajtim shkencor këtij ungjilli, vë në dukje ndër të tjera se në këtë ungjill, Jezuja na shfaqet më ndryshe nga ungjijtë kanonikë se “ai është një njeri shumë i qeshur”. “Jezuja, – shton ai, – i mëson Judës misteret e universit, ashtu si dhe në ungjijtë e tjerë gnostikë. Jezuja është një mësues, një zbulues i dijes dhe jo një shpëtimtar që vdes për të shpëtuar botën nga mëkatet. Për gnostikët, problemi themelor i jetës njerëzore nuk ishte mëkati, por padija.”

 

Deshifrimi i ungjillit

 

Kur profesori zviceran Rodolph Kasser mori në dorë ungjillin e Judës për ta deshifruar, ai padyshim ishte lumturuar, sepse do të kishte në duar një thesar të veçantë të njerëzimit, por kur e kishte parë, ishte tmerruar me gjëndjen e papirusit. Dorëshkrimi ishte grisur në tre pjesë dhe në faqen e parë ishte shkruar «Ungjilli i Judës». Menjëherë ai kishte menduar se duhej të ishte fjala për një ungjill gostik. Edhe pse një titull provokues, ai nuk u habit nga ky titull ungjilli, pasi në shekujt e parë të Krishterimit, kristianët gnostikë i interpretonin lirisht figurat e mëdha. «Gjatë punës time, – do të pohonte ai, – më kishte rënë rasti të shikoja shumë dorëshkrime të vjetra të dëmtuara, por jo deri në atë shkallë. Papirusi ishte tretur, nxirë, prishur në shumë vënde dhe që nuk duronte as prekjen më të vogël, pasi menjëherë kthehej në pluhur. Shkurt ishte në një gjëndje të pashpresë.» Etapa e parë për ekipin e studjuesve ishte shpëtimi i këtij dorëshkrimi, restaurimi i tij në një atelier të posaçëm në Zvicër, ku çdo fletë u vendos nën një xham, duke e fotografuar atë.

Kjo kishte ndodhur në 24 korrik të vitit 2001. Atë ditë ai u takua me Frieda Thacos Nussberger, një tregëtare antikuarësh që kishte futur në dorë «Ungjillin e Judës», e cila fillimisht e kishte blerë këtë ungjill 300 mijë dollarë. Në fillim ajo ia kishte shitur këtë dorëshkrim një tregëtari tjetër amerikan, Bruce Ferrini, nga Ohio në shumën e 1 milion e 250 mijë dollarë. Por gjëndja e dorëshkrimit ishte përkeqësuar, pasi për të ngordhur mikrobet e krimbat e papirusit, tregëtar Ferrini e kishte futur dorëshkrimin në frigorifer dhe pastaj e kishte strehuar në City Bank. Ishte një gabim fatal, pasi ngrirja e thante akoma më shumë përbërjen e dorëshkrimit. Ferrini i kishte dhënë asaj dy çeqe, duke menduar se do t’i shiste dorëshkrimet akoma më shtrenjtë dhe duke kontaktuar Bill Gate të Microsoft-it, do të mund t’i restauronte. Por Frida e kuptoi gabimin e saj dhe përmes disa proçesesh gjyqësore arriti t’ia marrë përsëri, duke ia shitur më pas atë fondacionit «Maecenas» të Bazelit. Pikërisht ky fondacion do ta restaurojë këtë dorëshkrim. Për përkthimin e 26 faqeve të këtij dorëshkrimi, profesorit Kasser iu deshën tre vjet. Dhe ungjilli nuk ishte i plotë, pasi atij i mungonin faqe të shumta.

 

 

 

 

Ç’thuhej në Ungjillin e Judës?

Në Ungjillin e Judës flitej për Seth, që njihet nga libri i Gjenezës, i cili njoftoi se njerëzit që kanë dije mbi Zotin, i përkasin gjeneratës së Seth. Në librin e Gjenezës, Seth është biri i tretë i Adamit dhe i Evës, i lindur pas një dhune tragjike mbi familjen e parë të historisë njerëzore, dhunë që sjell vdekjen e Abelit dhe mallkimin e Kainit. Seth lajmëron kështu një fillim të ri për njerëzimin. Pra t’i përkasësh gjeneratës Seth, do të thoshte t’i përkisje një gjenerate të re humane, të ndriçuar. Në këtë ungjill, Jezuja i mëson Judës misteret e botës. Në këtë mënyrë, Jezuja na paraqitet veten jo si shpëtimtar i të varfërve. “Ne jemi më të mirë se kjo botë, – i thotë Jezuja Judës, – sepse ne i përkasim një bote hyjnore.” Gjithashtu ungjilli e paraqet Judën si një nxënës të devotshëm të Jezusë, një lloj modeli për ata që do të bëhen ithtarët e tij.

Siç dihet nga historia e shekujve të parë të Krishterimit, një nga krerët e kishës, Origene, ka dëshmuar se “Juda bëri atë që i kërkoi Jezuja dhe se në momentin që “tradhëtoi”, nuk ishte Juda, por Satani që ishte futur brënda tij.” Po kështu tekstet gnostike të shekullit të II e trajtojnë Judën në tone pozitive, madje si një mashkull të bukur, ndryshe nga ungjijtë kanonikë, apo Shën Gjoni, që e trajton atë si një hajdut. Sigurisht, rishfaqja e Judës në fillimin e këtij mijëvjeçari nuk ka sjellë asgjë të re për teologët e Vatikanit dhe mbrojtësit e doktrinës së Kristianizmit, por për botën shkencore dhe historianët e botrave të hershme, ai, si dhe Ungjilli i Maria Madalenës, Ungjilli i Filipit, e tekste të tjerë që i kanë shpëtuar zhdukjes, hedhin dritë për të vërteta dhe një botë imagjinare të njerëzimit ndryshe nga ajo që është mësuar në tekstet zyrtare. Lindja e Krishtërimit dhe historitë pasionante të apostujve dhe jo-apostujve, mbetet ende një botë pasionante jo vetëm e letërsisë, por edhe për filmat të cilët nuk rreshtin së trondituri imagjinaren bashkëkohore, ashtu siç ndodhi dhe me filmin e viteve të fundit të Mel Gibson: Pasioni i Jezu Krishtit!-Konica.al

 

Luan Rama