Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj tha se policia arreston vetëm qytetarë që shkelin ligjin.
Ai iu kundërpërgjigj përfaqësuesit ligjor të PD-së, Ivi Kaso, i cili paralajmëroi dje nga Shkodra padi ndaj policisë dhe Ministrisë së Brendshme për arrestim të paligjshëm të simpatizantëve demokratë,
Lleshaj u shpreh se ‘blutë’ nuk arrestojnë simpatizantë të partive politike, por vetëm ata që bien ndesh me ligjin.
“Operacionet e policisë bëhen të fshehta. Rezultatet publikohen. Është mjeshtëri e vjetër dhe standarde. 15 qershori ka qenë dita e fundit që i përjashtonte autoritetet nga përgjegjësia. Pas 15 qershorit, çdo bimë që gjendet në territor shoqërohet edhe me përgjegjësi për autoritetet që kanë përgjegjësi për atë zonë dhe kështu do të ndodhë.
Të gjitha rastet e konstatimit të kultivimit të bimëve narkotike në territor janë shoqëruar me penalitete të qarta për administratorët lokalë, punonjësit e policisë së shtetit që kanë përgjegjësi. Forca e Ligjit është intensifikuar në gjithë Shqipërinë.
Forca goditëse e policisë së shtetit në luftën ndaj krimit është rritur në mënyrë të ndjeshme. Është konkretizuar me operacionet të rëndësishme në bashkëpunim dhe me partnerët ndërkombëtarë që kanë çuar në goditje të rrjeteve ndërkombëtare të krimit, së fundi kemi pasur një rast”, u shpreh Lleshaj ndër të tjera.