Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka qenë sot në Lushnjë ku ka zhvilluar një takim me strukturat e kësaj force.
Duke komentuar vendimin e gjykatës së Durrësit për mandatin e kryebashkiakes Valbona Sako, Kryemadhi tha se sot ra siguria juridike e një vendimi gjykate.
“Sot me vendimin e Gjykatës së Durrësit u tregua se ku po na çon ‘Rilindja’ me reformën në drejtësi. Sot ra siguria juridike e një vendimi gjykate. Absurdi i sotëm duhet të futet në librat e jurisprudencës. Dy vendime qesharake në të njëjtën seancë. U miratuan dy mega aferat korruptive të Balldren- Milot, Orikum- Dukat.
Më pas u ndryshua ligji për ofertat e pakërkuara. Deputetët më pas votuan ndryshimet në ligjin e koncesioneve. Ndryshimet për koncesionet, LSI i dërgoi para 3 vitesh. Rrugët me koncesion korruptive, pa asnjë vlerë ekonomike. 323 mln euro pa asnjë ndikim në infrastrukturë dhe ekonomi”, u shpreh Kryemadhi.
Sipas saj, ‘dy koncesionet kanë ndikim pozitiv vetëm tek llogaritë off shore të oligarkëve dhe Ramës’.
“Paratë e koncesioneve do kthehen në arkën e shtetit. Askush mos mendojë që mund të gëzojë taksat, e shqiptarëve. Ndryshimet në ligjin e koncesioneve kllounata më e madhe, pas 30 qershorit. Pasi shteruan burimet financiare, bënë ndryshimet. Me paratë e koncesioneve ndërtohej i gjithë rrjeti vaditës. Mund të subvencionoheshin fermerët dhe blegtorët për 15 vite. Shfaqjen e sulmit ndaj bizneseve e kemi parë çdo vit. E gjithë kjo maskaradë nuk ka dhënë asnjë rezultat në buxhet. Nuk kemi ende asnjë ekspeditë tek oligarkët e oborrit. Padrejtësia e dy standardet, model qeverisjes së rilindjes”, u shpreh kryetarja e LSI-së.
Kryemadhi u ndal dhe në aksionin e nisur prej disa ditësh nga administrata tatimore ndaj bizneseve që nuk kryejnë evasion fiskal.
Ajo tha se ka një rënie të konsiderueshme të të ardhurave dhe për këtë arsye qeveria ka nisur një fushatë gjobvënie ndaj biznesit.
“Treguesit buxhetorë tregojnë rënie të të ardhurave nga TVSH dhe doganat. Duhet t’i themi ndal kësaj masakre ekonomike dhe humane ndaj shqiptarëve. LSI ka një program shumë të qartë për ta ndryshuar këtë realitet të zymtë. Kapja e ekonomisë në pesë duar po largon shqiptarët nga shtëpitë dhe vendi i tyre. Ekspeditat e inspektorëve si gjobvënës në çdo biznes nuk e mbushin arkën e shtetit. Këtë faqe të turpshme ku bizneset e vogla e të mesme sulmohen si armiq e kemi parë çdo vit.
E gjithë kjo maskaradë nuk ka dhënë asnjë rezultat në buxhet, përkundrazi ka frikësuar bizneset. Nuk kemi ende asnjë nga këto ekspeditat ndëshkimore tek oligarkët e oborrit. Padrejtësi dhe dy standardet model qeverisë i Rilindjes. Ka filluar një sulm kriminal mbi bizneset që nuk i kanë nxjerrë me detyrim punonjësit të votojnë në 30 qershor. Kjo është fytyra e një pushteti kriminal. Jemi në këtë betejë, jo për poste e karrige, por për ta bërë Shqipërinë shtëpinë e çdo shqiptari”, theksoi Kryemadhi.