Çelet më 2 gusht, edicioni i 18-të i festivalit të filmit “DokuFest”. Deri më 10 gusht, para publikut janë zgjedhur për t’u prezantuar 282 filma, si dhe muzikë dhe panele të ndryshme, me tema që sjellin në vëmendje dhe fokus fuqizimin e të rinjve në tregun e punës. Si tematikë e këtij edicioni, vjen e përzgjedhur tema mbi të vërtetën.
Drejtore e “DokuFest”, Nita Deda, tha për mediet se këtë vit, festivali do të ketë një program të pasur, përfshirë këtu ekspozita, muzikë dhe filma për të gjitha kategoritë.
Drejtori artistik për ‘DokuFest’, Veton Nurkollari, ndërkohë u shpreh se, nga 2 500 filma garues, janë përzgjedhur 16 syresh, që do jenë të konkurrojnë në gjashtë kategori.
Sipas tij, risia e këtij viti do të jetë kinemaja e lëvizshme, që do të udhëtojë deri në lagje më të thella të qytetit të Prizrenit, për ta përcjellë festivalin në çdo pjesë të Prizrenit.
Nurkollari u shpreh, se edhe këtë vit “DokuFest” do të ketë një festival muzikor, që do të shtrihet në katër skenat e festivalit.
Drejtori artistik, njoftoi po ashtu, se në këtë edicion do të shfaqen edhe 50 filma, të kategorisë për të rinj dhe fëmijë.
Sipas redaktorit të filmave me metrazh të shkurtër, Samir Karahoda, tregoi se programi i filmit të shkurtër përmban gjithsej 30 të tillë, që janë përzgjedhur gjatë gjithë vitit. Ai u shpreh, se tema e këtyre filmave do të jetë migrimi, racizmi dhe çështje gjinore.
Linda Llulla, drejtorja ekzekutive e “DokuFest”, u shpreh po ashtu, se krahas filmave dhe muzikës, publiku do të mund të argëtohet dhe edukohet edhe përmes paneleve të ndryshme, që synojnë fuqizimin e të rinjve për tregun e punës.