Presidenti Ilir Meta, gjatë pjesmarrjes së tij në Samitin e Sarajevës, ka takuar sot Presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.
Lajmin për takimin me Pendrovskin e ka bërë me dije vetë Meta përmes një postimi në Facebook.
Duke u ndalur tek situata në vend, Presidenti shkruan se sot “bëhet një muaj i shpërdoruar kot që nga dekreti për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, për arritjen e një zgjidhje gjithpërfshirëse që forcon besueshmërinë e vendit për zgjedhje të lira e të ndershme”
Postimi i plotë i Metës:
Kënaqësi e veçantë të takoja Presidentin e Maqedonisë së Veriut, z.Stevo Pendarovski. Të dy vendet tona duhet të bashkojnë përpjekjet për çeljen e negociatave për anëtarësim në tetor. Duhet të përfitojmë nga ky momentum mjaft pozitiv që ka krijuar Marrëveshja e Prespës, jo vetëm për Maqedoninë e Veriut.
Ndërkohë sot bëhet një muaj i shpërdoruar kot që nga dekreti për anullimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, për arritjen e një zgjidhje gjithpërfshirëse që forcon besueshmërinë e vendit për zgjedhje të lira e të ndershme.
Po kështu ishte kënaqësi të konstatoja vendosmërinë e Presidentit Pendarovski për të bashkëpunuar dhe përfshirë opozitën në dialog për çështjet themelore të shtetit dhe demokracisë.