MENU
klinika

Naimi vjershëtori

Dhe drit’ e diturisë përpara do na shpjerë…

14.07.2019 - 14:00

      NAIM FRASHËRI (1846-1890) – Lindi në Frashër të Përmetit, mësimet e para i mori pranë teqesë bektashiane. Më 1865, familja u shpërngul në Janinë, ku u bashkua me të vëllanë e vogël, Samiun, ku mbaroi gjimnazin grek “Zosimea” më 1869. Në gjimnaz, mori njohuri të gjera kulturore, njohu letërsinë, kulturën dhe filozofinë klasike greke e romake, ra në kontakt me idetë e Revolucionit Borgjez Francez dhe me iluminizmin francez. Përvetësoi gjuhët: greqishten e vjetër e të renë, latinishten, frëngjishten, italishten e persishten. Naimi jo vetëm që mori bazat e botëkuptimit të vet, por njohu edhe poezinë e Evropës Lindore. Të gjitha këto tradita poetike ndikuan në formimin e tij si atdhetar e poet… Veprat e tij: “Bagëti e Bujqësi”, “Lulet e Verës”, “Historia e Skënderbeut”, një testament politik, “Qerbela”, etj.

Naimi krijoi traditën e letërsisë patriotike kombëtare, ai solli në letërsi botën shqiptare, aspiratat jetike të popullit. Dashuria për atdheun, popullin dhe njeriun, krenaria kombëtare dhe besimin në të ardhmen, ideja e madhe e çlirimit, formojnë thelbin romantik të veprës së tij. Naimi është bilbili i gjuhës shqipe, mjeshtër i fjalës; është poeti më i madh i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, atdhetar, mendimtar dhe veprimtar i shquar i arsimit e i kulturës shqiptare. Vepra e tij është e gjallë dhe frymëzuese edhe në jetën e shoqërisë së ditëve të sotme.

 

 

 

 

Vepra “Historia e Skënderbeut” luajti një rol shumëplanësh në formimin e vetëdijes kombëtare të shqiptarëve. Tendenca historike dhe tendenca poetike në ndërthurjen e tyre e bën poemën të ngjante me një traktat historik të mbështjellë në mënyrë poetike. Naimi zgjodhi një tjetër shtrat, ku vendosi rrjedhën e poemës së tij në heroizmin e Gjergj Kastriotit për të arritur “Tokën e Premtuar” lirinë. Ndaj shekulli XV bëhet qendra e historisë kombëtare shqiptare nëpërmjet prijësit Gjergj Kastriotit, që e ktheu emrin e tij në një jehonë që endet edhe sot e kësaj dite kudo ku flitet shqip. Te “Lahuta e Malësisë” do të vëmë re paralelizmat historike, që i bëjnë të dyja veprat të jenë të njëtrajtshme. Pavarësisht viteve në të cilat u krijuan, vepra naimiane dhe ajo fishtiane, frymëmarrja që i përshkon është e njëjtë.

Poema “Histori e Skënderbeut” u botua më 1898, dy vjet mbas vdekjes së Naimit. Kjo vepër mbeti testamenti i tij, sepse në të përmblodhi dhe shprehu me patos të fuqishëm idealet për lirinë e Shqipërisë, për futjen e saj në rrugën e përparimit. Vepra doli në një çast tepër të mprehtë të Perandorisë Osmane, që po shkonte drejt fundit të saj dhe rreziku i copëtimit të vendit tonë nga shtetet shoviniste ishe tepër i madh.

 

 

 

 

 

Naimi me poemën e tij madhore, lëshoi hapur e me forcë kushtrimin për të rrokur armët, për të shkundur zgjedhën turke dhe për të mbrojtur atdheun nga çfarëdolloj rreziku. E idealizon personifikimin e Skënderbeut me të gjitha vlerat e tij: trimërisë, urtësisë, bukurisë fizike e morale, udhëheqës me aftësi të rralla, organizator dhe strateg i madh, në luftë i dashur dhe i thjeshtë me njerëzit, luftëtar që bie si rrufe mbi armiqtë.

Naimi thekson se pushteti osman ndërpreu procesin e zhvillimit e të qytetërimit të Shqipërisë, e hodhi Shqipërinë në errësirë. “Historia e Skënderbeut” u bë një nga veprat më të dashura gjatë Rilindjes, e cila themeloi në letërsinë tonë traditën e poezisë epike. Poema “Histori e Skënderbeut” përbëhet nga 22 pjesë.

Naimi u këndoi me pasion të rrallë mallit dhe bukurive të atdheut; bëri thirrje të fuqishme për çlirimin dhe begatinë e vendit, për një të ardhme demokratike; propagandoi me guxim demokratizimin dhe antimonarkizmin; besimin në aftësinë e pashtershme të popullit për t’u çliruar e përparuar; u bë një veprimtar revolucionar si shkrimtar; njeri i mendimit; njeri politik në njohjen e ligjeve të botës; kërkonte arsimim për të gjithë; ngrinte lart vetitë e karakterit shqiptar (besën, trimërinë, bujarinë, traditat kombëtare); bënte thirrje për miqësi me fqinjët në kushtet e respektit reciprok. Pas çlirimit, u vunë në pah dhe u çmuan gjerësisht meritat dhe vlerat e punës dhe të krijimtarisë së tij./Konica.al

 

ATDHEUT

O Atdhe! Më je i dashur sa më s’ka.

Më je nënë, më je motër, më je vëlla.

Nga ç’ka rrotull më i shtrenjtë ti je.

Je më i miri nga çdo gjë që ka ky dhé.

 

SHQIPËRISË

Shqipëri, o jetëgjatë,

Ty të kam mëmë e atë,

Dhe për ty do të luftojmë,

Gjersa të të trashëgojmë.

Shqipëri të qofsha falë,

Të kam nënë e më ke djalë.

 

GJUHA JONË

Vëllezër Shqipëtarë!

Të prekim urtësinë

Të zëmë udhën e mbarë

Të ngjallim Shqipërinë.

 

Vdekja e poetit qe një zi e vërtetë kombëtare. Shqiptarët kishin humbur atdhetarin e kulluar, apostullin e shqiptarizmës, poetin e madh. Dhembjen dhe vlerësimin për Naimin e shprehu bukur elegjia e Çajupit:

 

Vdiq Naimi, vdiq Naimi,

Moj e mjera, Shqipëri,

Mendje larti e zemër trimi

Vjershëtori si ai.

 

Thënie të Naimit:

Njeriu që vetëm për vete punon, është si një dru që pemë s’lëshon.

– Fjala e huaj në gjuhë, është si dhia ndër dhen.

– Gjysma e punës është e mbaruar, kur ajo fillohet me dëshirë.

– Dhe drit’ e diturisë përpara do na shpjerë.

– Gjithë ç’jemi shqiptarë, dëshmuam se jemi një fis e një farë.

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit