MENU
klinika

“Besa shqiptare”

Në Itali fotografitë dëshmi e humanizmit shqiptar

25.07.2019 - 14:43

     “Besa, shqiptarët myslimanë që shpëtuan hebrenjtë nga Holokausti”, të fotografit Norman Gershman, u prezantuan në edicionin e tretë të festivalit “Mare Magnum” në Brindizi, Itali.

Ekspozita përmban fotografitë e Norman Gershmanit, i cili për një periudhë kohore prej pesë vjetësh udhëtoi nëpër Shqipëri, duke rimarrë dëshmitë e shpëtimit të pothuajse dymijë hebrenjve, për t’i dokumentuar nëpërmjet portreteve të shpëtimtarëve dhe pasardhësve të tyre.

 

 

 

Prania e hebrenjve në trojet shqiptare e ka zanafillën në vitet ’70-të, të shekullit të parë të erës sonë, kur një anije që mbante pengjet hebreje për perandorin romak Titos, u vërshua në bregun e Jonit pranë Sarandës. Në fund të viteve 1400, shumë familje hebraike u larguan nga Spanja, prej inkuizicionit dhe u vendosën në Vlorë, Lezhë, Berat etj. Në Vlorë u vendosën 528 familje, ndërsa në Sanxhakun e Beratit kishte 553 familje hebraike. Hebrenj kishte edhe në Elbasan, ku kishin edhe një sinagogë, si dhe në qytetin e Vlorës.

 

 

 

Ndërkaq, në Shqipëri ka edhe mjaft emra dhe mbiemra me prejardhje hebraike, si: Buda, Isaku, Popa, Pepo, Levi, apo: David, Moisi, Stela, Rashela, Hozef, Sara, Albert, Aoresti, Hermina, Daniel, Enriketa etj.

Festivali “Mare Magnum” promovon takimin dhe shkëmbimin e kulturave të vendeve mesdhetare, përmes kinemasë, teatrit, letërsisë, muzikës, kuzhinës, modës, poezisë, fotografisë etj.