Kisha e Shën e Premtes, që sipas Aleksandër Meksit daton rreth shekujve XIII-XIV, paraqet degradime të thella në strukturën e tij, vërehen ndërhyrje të papërshtatshme në muraturë, si dhe ka probleme me terrenin në të cilin ndodhet. Së fundmi, është hartuar projekti për ndërhyrjen restauruese, për monumentin e kulturës së kategorisë I.
Gjatë muajit maj, specialistët realizuan një inspektim duke kryer rilevimin e elementëve konstruktivë dhe arkitektonikë, si dhe verifikuan gjendjen e konservimit, duke evidentuar saktësisht problematikat, për të vijuar më tej me hartimin e projektit të restaurimit.
Kjo kishë është e famshme në të gjithë trevën e Myzeqesë, për mrekullitë që i atribuohen. Kisha ishte pjesë e ndalesave të Ismail Qemalit, gjatë rrugëtimit të pavarësisë dhe gjithashtu, pjesë e vendngjarjeve në romanin e të madhit Jakov Xoxa, ”Lumi i vdekur”.Qëndresa e strukturës së saj në shekuj ka bërë që banorët përreth të besojnë, se aty ka fuqi hyjnore duke e frekuentuar si vend pelegrinazhi.
Historia e kishës mesjetare të mrekullive:
Kisha mendohet të jetë ndërtuar në shekullin e XIII dhe është e vetmja kishë me arkitekturë gotiko-romake e mbetur në territorin e Shqiperisë. Ajo u ndërtua si kishë katolike, e urdhrit benedektin, në periudhën e “Regnus Albaniae”. Në këtë kohë dokumentohet që të jenë ndërtuar disa kisha të tilla katolike, si në Shqipërinë e Mesme, ashtu edhe në atë të Veriut.
Më vonë, në vitin 1691, kisha u bë ortodokse dhe u pikturuar me ikona nga brenda. Vëllezërit Zografi, pikturuan të katër muret rrethues, por shumë prej ikonave u shkatërruan nga një zjarr që ra në vitet kur kisha ishte lënë në harresë, si rrjedhojë e shpalljes së Shqipërisë si vend ateist. 16 ikona i përkasin Kostandin Shpatarakut, mes të cilave edhe ikonostasi, që ndante naosin nga altari, tashmë i zhdukur.
Kisha përbëhet nga altari, narteksi dhe naosi. Dyshemeja ka një figurë dielli (në formë rrethi), gjë që është interesante, pasi kulti i diellit është prekristian. Sipas gojëdhënave lokale, ishin tre kalorës që po kalonin në rrugën Egnatia (që ndodhet afër kishës), për të shkuar nga Roma për në Kostandinopojë, të cilët e ndërtuan kishën. Ata ishin nisur për të çliruar Jeruzalemin dhe varrin e Krishtit në një Kryqëzatë. Mbasi kaluan natën në fshatin Çetë, në mëngjes që të tre i thanë njëri-tjetrit që kishin parë të njëjtën ëndërr: Shenjtorët u kishin thënë që të mos vazhdonin rrugën, pa ndërtuar një kishë në fshatin Çetë, pasi vendi i mirë dhe besimi në Krisht do t’u shërbenin njerëzve të zonës.
Një tjetër legjendë lokale, që i ngjan historisë së Shën Premtes është kështu: Nje vajze e re, që jetonte në Çetë, e cila kishte vendosur të mos martohej kurrë, i kërkoi të atit që t’i ndërtonte nje kishë ku të kalonte jetën duke iu lutur Perëndisë dhe duke ndihmuar njerezit që kishin nevojë. Kur kisha u ndërtua dhe ajo donte të ndizte qirinjtë, ata ndizeshin vetë.