Një italian, ish-gazetari dhe ish zv/drejtori i TG 1, David Sassoli do të zëvendësojë Antonio Tajanin, kreun e Parlamentit Europian pasi mori 345 vota. Nga partitë italiane ai u votua vetëm nga partia e tij, ajo demokrate.
David Sassoli është presidenti i ri i Parlamentit Europian. Eurodeputeti i Partisë Demokrate italiane u zgjodh me 345 vota, përballë mazhorancës së domosdoshme prej 334 votash, në votimin e dytë.
Në fjalën e tij gjatë marrjes së postit, Saasoli falenderoi presidentin në largim Antonio Tajani, i cili u përshëndet nga një duartrokitje e gjatë nga salla, për impenjimin dhe punën e zhvilluar në këtë institucion.
Sassoli gjithashtu i uroi mirëseardhjen grave të pranishme në sallë të cilat përbëjnë 40 për qind të parlamentit. Është një rezultat i mirë shtoi ai, por duhet më shumë.
Sassoli zëvendëson presidentin në largim Antonio Tajani, i cili tashmë do të drejtojë delegacionin e “Forza Italia”.
Sassoli shtoi se Europa duhet të vijojë rritjen ekonomike, mbrojtjen sociale dhe të respektojë ambientin. Ai tha se muajt e fundit kanë qenë të shumtë ata që prisnin dështimin e këtij projekti duke ushqyer përçarje dhe konflikte.
Por ishin qytetarët ata që treguan se besojnë ende në këtë rrugë të jashtëzakonshme e vetmja që mund të japë përgjigje të mëdha ndaj sfidave globale.
“Nuk jemi një incident i historisë – vijoi ai – por jemi bijtë dhe nipërit e atyre që arritën të gjejnë një ilaç ndaj degjenerimit nacionalist që helmon historinë tonë. Nëse jemi europianë jemi dhe se pse jemi të dashuruar me vendet tona. Por nacionalizmi i cili kthehet në ideologji prodhon viruse që stimulojnë instikte superioriteti dhe prodhojnë konflikte shkatërruese”.