Mbrëmë pak para mesnatës, kryeministri në dorëheqje Ramush Haradinaj është kthyer nga Haga.
Sapo është kthyer, Haradinaj ka ftuar mbledhjen e Qeverisë e cila do të mbahet sot prej orës 14:00.
Ai deklaroi se duhet t’i kthehen punëve si qeveri në dorëheqje pasi nuk guxojnë që të lënë vendin në vakum qeverisës.
“Si Qeveri në dorëheqje, ashtu siç e kam cekur edhe në vendimin tim për dorëheqje, do t’i kryejë detyrat, se nuk guxoj të lë vakum qeverisës, sepse Kosova nuk mund t’i bartë pasojat e vakumit qeverisës”, deklaroi Haradinaj.
Megjithëse ka të atillë që mendojnë se mbledhja e qeverisë dhe kryerja e detyrave pas dorëheqjes është jo kushtetuese, Haradinaj ka ftuar që të njëjtit t’i drejtohen Gjykatës Kushtutese.
“Dëgjoj zëra se kryerja e detyrave qeverisëse pas dorëheqjes është jo kushtetuese. Me respekt për ta, palët që mendojnë ndryshe i ftoj t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese. Çfarëdo që të jetë vendimi i Gjykatës Kushtetuese do ta respektoj”, përfundoi Haradinaj.
Kjo mbledhje është thirrur një javë pasi që Haradinaj ka dhënë dorëheqje të nga posti i kryeministrit, pasi ishte ftuar nga Dhomat e Specializuara për tu intervistuar si i dyshuar.
Ramush Haradinaj më 24 korrik për rreth 1 orë u intervistua nga prokurorët e Gjykatës Speciale.