MENU
klinika

Mëkatet e një shenjtori

Shën Agustini kur pa “qytetin e Zotit”

28.07.2019 - 12:41

Në një libër mbi jetën e shkrimtarit të njohur francez Chateaubriant, kisha lexuar se ai ishte prekur jashtëzakonisht kur ishte njohur me kryeveprën e Shën Agustinit Rrëfimet, (Confessio). E njëjta gjë i kishte ndodhur edhe filozofit tjetër francez Rousseau, i cili veprën më të madhe të Agustinit cilësoi pikërisht Rrëfimet. Ndoshta asnjëherë s’do ta kisha lexuar Agustinin, por i shtyrë nga kurreshtja, duke marrë në duar Rrëfimet e tij, menjëherë zbulova një autor tronditës të shekujve të parë të epokës së re pas Krishtit, atë të filozofit të madh humanist që në qendër të veprës së tij kishte njeriun në tensionin midis dy botrave që kërkonin ta bënin për vete: ajo tokësore, e përjetimit të dëshirave dhe ajo qiellore, e Zotit dhe Frymës së Shenjtë.

Në historinë e vjetër të Kristianizmit, ndër figurat e mëdha të humanistëve, midis ungjillorëve dhe shenjtëve, janë dhe filozofët e saj dhe padyshim, ndër më spikatësit është Agustini i Hippone-s, i cili pas vdekjes së tij do të kthehej në shenjt. Është ai që krijoi doktrinën e tij të «agustinizmit», influenca e të cilit përshkoi shekujt dhe Mesjetën për të ardhur deri në ditët tona, nga Paul Orose e deri te një nga filozofët e fundit të kohës sonë, Paul Ricoeur, duke kaluar përmes figurave të njohura të filozofisë botërore si Anselme de Cantorbery, Thomas d’Aquin, Luther, Calvin, Pascal, Descartes, Adolphe von Harnack apo Hannah Arendt. Dy filozofët e mëdhenj të shekullit XX , Hannah Arendt dhe Albert Camus, e filluan debutin e tyre në filozofi me tezat e doktoraturës rreth filozofisë dhe mendimit të Shën Agustinit. Më 1929, Hanah Harend botoi librin e saj të njohur «Konsepti i dashurisë tek Agustini». Po cili ishte ky njeri që i dha aq shumë mendimit njerëzor dhe që lidhi aq ngushtë humanizmin me fenë, njeriun me hyjnitë?

Agustini, (Aurelius Augustinus), lindi në vitin 354 në Thagaste, jo shumë larg Kartagjenës (Tunizi) dhe që sot i përket Algjerisë (Suk-Ahras). Në Afrikën e veriut, atëherë kishte shumë ngulime të Perandorisë romake dhe qytezat mbanin gjurmët e një kulture të madhe, me hipodrome, teatro, banja e stadiume apo ndërtime të përngjashme me hiret e Colosseo-s të Romës, por në një dimension më të vogël, siç ishte në qytezën e Thusdrus e që sot quhet El-Xhem. «Unë jam rritur në një fshat nga një baba i varfër dhe pa shkollë, – ka shkruar Agustini në jetëshkrimin e tij, – por me kohë, duke studiuar seriozisht, arrita të bëhem një nga njerëzit më të nderuar.» Babai i tij quhej Patricius dhe bënte një jetë të thjeshtë, edhe pse ai ishte një qytetar romak. I ati ishte një pagan nëse e ëma një e krishterë, e lidhur me Zotin. Në kryeveprën e tij Rrëfimet, ai shkruan gjithashtu për nënën e tij, Monika, e cila quhej kështu, pasi Mon, në ato zona, ishte emri i një hyjnie të tribusë Numide. Ajo ishte veçse 23 vjeç kur e lindi atë. Për të atin, ai shkruan në një mënyrë të ftohtë, ndryshe nga e ëma, pasi ai kishte qejf të mburrej në shoqëri. Ishte nëna e tij që do ta shtynte atë drejt udhës së Zotit, kishës, duke i përsëritur refrenin: «që të jesh ati im, o Zot!»

 

 

 

 

 

Rasti e solli të shkojë në Kartagjenë dhe pa dyshim, aty mes rrënojave antike dhe gurëve të nje amfiteatri, mendoja për Agustinin e madh dhe jetën që kishte bërë ai, dashuritë e tij, një jetë me të cilën mburrej, siç dhe do të shkruante me krenari frazën «Afer sum», pra «unë jam afrikan», siç e shkroi kur iu përgjigj traktatit të peshkopit Petilianus. Afrika romane atëherë ishte vend i një kulture të madhe, çka dëshmojnë rrënojat antike gjatë brigjeve deri në Aleksandrinë e Egjiptit.

«Nëna ime besonte te Krishti, por im atë, ende jo. Ajo bënte gjithçka që ti, im Zot, të bëheshe ati im. Dhe ti e ndihmoje atë që të fitonte mbi burrin e saj

Në librin e tij Confessio, ai kujton gjithë jetën e tij, fëmijërinë, madje dhe një ngjarje të adoleshencës së mbrapshtë, kur ende nuk e kuptonin se ç’ishte jeta në vetvete. «Arbor erat pirus in vicinia nostrae vineae pomis onusta nec forma nec sapore illecebrosis…” Në kufi me vreshtën tonë ishte një pemë dardhe plot fruta, por që s’kishin ndonjë bukuri apo shije. Ishim një grup të rinjsh që në mesnatë, siç e kishim bërë zakon të keq, shkuam dhe i morëm të gjitha dardhat, duke e zhveshur pemën krejt. Ne i morëm frutat jo për t’u kënaqur, edhe pse i provuam, por për t’i hedhur pastaj në plehra. Kënaqësia e vetme ishte të bënim diçka të ndaluar…»

Që në adoleshencë, Agustini filloi të lexonte Virgjilin, Ciceronin, Sallustren dhe autorët e tjerë të mëdhenj të asaj kohe. Letërsia i pëlqente mbi të gjitha, ndërsa greqishten si gjuhë nuk e donte, sepse i dukej e vështirë. Ja pse, siç thotë dhe një nga biografët e tij, Peter Brown, në librin e tij Jeta e Shën Agustinit, «ai ishte i vetmi filozof i botës latine të Antikitetit, që nuk e përdorte greqishten». I ati i tij arriti të mbledhë ca para dhe e dërgoi për t’u shkolluar në Kartagjenë, një ishte një qytet i lulëzuar dhe me tradita të mëdha. E vetmja porosi që i kishte dhënë e ëma para se të nisej, ishte që të mos jepej pas femrave dhe të bënte një jetë jo të shthurur. Dhe ai u nis. «Kur erdha në Kartagjenë, – kujtonte Augustini, – shikoja ngado skena të turpshme. Atje dëgjova të ziente rreth meje furra e dashurive mëkatore». Në teatrin antik të qytetit ai zbuloi një mjedis «të mbushur plot imazhe që ushqenin flakën time». «Veni Carthaginem et circumstrepebat me undique sartago flagitiosorum amorum…» «Erdha në Kartagjenë»), – shkruante ai. Por dhe ai nuk do të qëndronte larg kësaj jete plot zjarre rinore. Kartagjena ishte një qytet i gjallë, një qytet jo vetëm i historisë dhe i luftrave të hershme, por dhe i kulturës dhe i spektaklit. Hipodromi i Kartagjenës mbushej nga 60 mijë njerëz, çka duket e jashtëzakonshme në ditët tona. Teatri i pëlqente pa masë, siç dhe shkruan në tregimet e tij: «Teatri më gëzonte me ato shfaqjet plot imazhe… aty ndaja kënaqësitë me të dashurat dhe çiftet që interpretonin, që ndaheshin mes tyre apo bashkoheshin dhe në të dyja rastet, unë e ndjeja veten të kënaqur

Vitet kalonin dhe Agustini pasionohej gjithnjë e më shumë pas librave. Edhe pse i vdiq i ati, e ëma u kujdes të gjente para që ai ta vazhdonte shkollën në Kartagjenë. Biografët thonë se ishte një libër i Ciceronit, Hertensius, ai që ndryshoi ndoshta rrjedhën e jetës së tij. Këtë e thotë dhe vetë Agustini, kur shkruan: «Ky libër e transformoi gjendjen e shpirtit tim dhe gjithë lutjet e mia i drejtoj nga ty, o Zoti im! Dhe unë nisa të ngrihem dhe të vij drejt teje!».

 

 

Tolle, lege!…

 

 

Po, në fakt ishte Ciceroni që e drejtoi atë drejt filozofisë, njohjes, dijes. Por këtë dije, Agustini e pa të lidhur me Kristianizmin. Në kishë ai njohu dhe një nga dashuritë e para të tij. Atëherë ndikimi i «manikeistëve” ishte i fortë midis besimtarëve. Ishte një korrent radikal e dualist i lidhur pas apostullit Man, një prej të afërmve të Jezusë. Libri i Man-it lexohej fshehurazi dhe siç shkruhet në librat e vjetër, kur e lexonin, “besimtarët mbusheshin me dritë”. Ky ishte një lloj «iluminimi» dhe kjo ishte eksperienca e parë «manicheiste» e tij. Ata thonin se «ka dy mbretëri të barabarta për nga forca: mbretëria e së Mirës dhe mbretëria e së Keqes. Por e Keqja nuk vjen nga Zoti…»

«Po nga vjen e Keqja”? – pyeste Agustini. “Vallë vjen nga vetë njeriu?”

Në librin e tij Confessio, Agustini përcakton dhe momentin kur ai u konvertua në kristian, pasi leximet e shumta, letërsia dhe shkencat, kishin bërë që ende mos ta përcaktonte qenien e tij në lidhje me fenë. Në këtë libër, ai përshkruan qëndrimin e tij në Kartagjenë, Thagaste e Milano ku takohet me peshkopin Ambrosio, Milano, shkruan për dilemat e mëdha të tij, kur një ditë u ul në rrënjë të një peme fiku dhe po qante. Dhe ja, ndërkohë ai dëgjoi një zë që i thoshte: ”Merre dhe lexoje!” (Tolle, lege!)… Ai mendoi se kjo ishte një lloj shënje hyjnore dhe shkoi të hapte librin e parë që gjeti përpara. Çuditërisht ishte libri i Shën Palit dhe pikërisht në faqet që hapi, ai gjeti një frazë të njëjtë me dilemat që kishte. Dhe që nga ai moment, dilemat iu larguan. “Shko! Shko dhe shiti gjithçka që ke. Jepua ato të varfërve, sepse thesari yt është lart në qiell. Eja dhe më ndiq pas!…”

Ishte zëri i Perëndisë. Ja si e përshkruan Agustini këtë moment të rëndësishëm të jetës së tij: «Në pasazhin e librit që hapa, lexova: “Mos u merr me pije dhe gostira plot harxhe; jo me qejfe shtrati e shthurrje; jo me zënka e xhelozi, por mbështillu me frymën e Jezusë dhe mos e lakmo trupin e femrës»… Nuk doja të lexoja më. Nuk kisha nevojë. Sapo e mbarova këtë frazë, menjëherë në trupin tim u shpërnda një dritë e paqtë dhe të gjitha errësirat e dyshimeve që kisha u tretën

Në vitin 375, Agustini e kishte lënë Kartagjenën për t’u kthyer në Thagaste, në vendlindjen e tij. Që ditët e para, duke e dëgjuar, Monika u tremb nga mendimet e të birit, i cili fliste me gjuhën e «manicheiste»-ve dhe ajo e përzuri nga shtëpia, pasi në sytë e katolikëve «afrikanë», ky sekt shihej si një sekt heretik. Por një ditë, kur kishte parë një ëndërr, sikur i biri i thoshte se më pas ai do të kthehej në fenë e saj, këtë ëndërr ajo shkoi dhe ia tregoi peshkopit të qytezës dhe e lehtësuar e pranoi kthimin e tij. Por Agustini vendosi të kthehej përsëri në Kartagjenë dhe të lexonte atje, duke u bashkuar me grupet e vogla të sektit të tij. Me kalimin e kohës ata vunë re se kishin të bënin me një njeri të mençur dhe shpejt e konsideruan si filozofin e tyre. Kjo periudhë e jetës së Agustinit në gjirin e këtyre grupeve, i dha mundësinë që të njihte më mirë botën e së Keqes, por shpejt ai e kuptoi se nuk ishte kjo rruga e vërtetë e tij. Shkas i largimit të tij nga ky sekt ishte vetë peshkopi Faustus, tek i cili, edhe pse mbahej si një dijetar i madh, Agustini vuri re se ai nuk njihte asgjë nga shkenca, astrologjia apo eklipset, etj. Ai e kuptoi se ky sekt nuk i sillte asgjë në kërkimin e tij të ethshëm për të njohur të Vërtetën.

 

 

 

 

 

Në vitin 380, ai shkroi veprën e tij të parë De Bono et Apto, një libër rreth estetikës, që tashmë ka humbur. Në këtë periudhë ai bashkëjetonte me një grua katolike, por nuk ishte martuar me të. Atëherë Kisha Katolike e pranonte të mbaje një «konkubine», mjafton që ata t’i ishin besnikë njëri-tjetrit. Madje, ai pati dhe një djalë që e quajti Adeodat dhe që do të thoshte «i dhënë nga Zoti». Ai bashkëjetoi me konkubinen e tij gjer në vitin 385 dhe më pas, disa biografë thonë se ai e dërgoi të martohej me një të ri të pasur, ndërsa të tjerë e mohojnë këtë version.

Në vitin 376, Agustini vazhdonte të jepte mësime mbi retorikën nëpër vendet publike. Madje ai mori dhe një çmim mbi poezinë dhe u bë mik i prokonsullit Vindicianus. Pak vite më vonë, dhe pikërisht në vitin 380, librin e parë që shkroi, ia kushtoi filozofit Hierius. Por megjithatë, edhe pse ishte bërë mjaft i njohur, ai vendosi të shkojë në Romë, në “Roma aeterna”, siç imagjinohej atëherë “Roma e përjetshme”. “Nëna e vuajti shumë largimin tim, – do të shkruante ai. – Ajo qau dhe më ndoqi gjer në bregoren e buzëdetit, por unë e gënjeja, pasi ajo donte ose të kthehesha pranë saj, ose në të kundërtën do të vinte me mua. Por unë i thashë se po shkoja të shoqëroja një mikun tim. Kështu e gënjeva nënën time… ah, një nënë si ajo! Mezi arrita ta bind të kthehej në një shapelë, jo larg anijes, që të kalonte natën atje. Unë ika, ndërsa ajo qëndroi duke u lutur dhe duke qarë. Era fryu dhe i shtyu velat e anijes dhe ne e humbëm bregun nga sytë… Ajo u kthye në shtëpi, ndërkohë që unë shkoja në Romë.”

Ai do ta vuante shumë braktisjen e nënës së tij, duke kujtuar ditët kur ajo kujdesej aq shumë për të dhe e çonte në shkollë që të kuptonte njeriun dhe botën. “Ah, ç’nënë!”, do të shkruante ai. Sapo erdhi në Romë ai u sëmur, por shpejt e mori veten. Filloi të jepte mësime dhe kohë më vonë, një ditë, ai tërhoqi vëmendjen e senatorit romak Quintus Aurelius Simmaque, i cili më parë kishte qenë në Romë, ndërsa ai tashmë ishte prefekt i qytetit të Milanos dhe qendrës administrative të Perandorisë. I duhej një profesor i retorikës. Ishte pikërisht koha kur luftrat i kërcënonin kufijtë e Perandorisë. Milano mblidhte atëherë ajkën e inteligjencës dhe të politikës romake. Aty vinin poetë, shkencëtarë e filozofë nga të katër anët e Perandorisë; vinin nga Aleksandria që studionin filozofinë greke dhe Platonin. Platonizmi ishte doktrina mbizotëruese dhe kështu Agustini hyri në botën e platonikëve. Stoikët kishin krijuar idenë se njeriu mund ta njohë ekzaktësisht natyrën e botës që e rrethon. Këta skeptikë quheshin “academici”, pra akademikë. Peshkopi i Milanos ishte Ambroise, një njeri i shquar, që e donin në popull dhe një miqësi e madhe do t’i lidhte këta dy burra të mençur. Agustini kishte filluar të jepte mësime dhe të bëhej i njohur në qendrën e Perandorisë, kur në Milano erdhi dhe e ëma e Agustinit, Monika, i biri Adeodat, si dhe vëllai i tij Navigius. Të gjithë u vendosën në një shtëpi që u ofruan, në Cassiciacum, në periferi të Milanos. Monika ishte një katolike e devotshme dhe nuk mungonte asnjëherë në kishë.

Pikërisht në Milano, ai kërkoi ta ndryshonte jetën e tij dhe të martohej, por jo me konkubinen. Ç’ndodhi vallë në jetën e tij? Biografët thonë se atë kohë ai u dashurua pas një vajze të re, por duhej të priste ende dy vjet gjersa ajo të kishte të drejtë të martohej. Ndërkohë konkubinia e tij, të cilës nuk i dihet emri, u tërhoq në një manastir. Por më në fund, ai nuk do të martohej. Megjithatë, ai nuk mund të priste dhe menjëherë mori një konkubine tjetër.

 

 

Zot, bëmë të të njoh ty dhe vetveten!

 

 

Ishte bota e librave të Platonit që e bëri atë të futet vërtet në botën e shkencës së filozofisë dhe në radhën e filozofëve të mëdhenj. Pikërisht në vitin 386, ai zgjodhi kristianizmin si përkushtim intelektual të tij. Ndërkohë shkroi librat e tjerë si De Beata vita, De ordine, apo të famshmin Dialogët. Në këtë vit shkroi dhe veprën e tij të njohur Sililoques, ku ai bisedonte me vetveten: «E shkrova këtë libër sipas shijes time dhe me dashurinë për të gjetur të vërtetën mbi gjërat që na rrethojnë dhe me dëshirën për të njohur më shumë, duke pyetur vetveten dhe duke u përgjigjur, sikur të ishim dy persona të ndryshëm, Arsyeja dhe unë, edhe pse isha një i vetëm. Ja pse e quajta kështu këtë libër: Mohimi.»

Në këtë vepër, arsyeja konsiderohet si syri i shpirtit, i cili duhet të pastrohet përmes virtuteve të besimit kristian, mëshirimit, shpresës, për t’u ngritur në të vërtetat e duhura. Duket si një lloj platonizmi, pasi dielli i kësaj filozofie është Zoti, drita e të cilit lejon vështrimin intelektual e moral: «Zoti im, bëmëni që t’u njoh dhe të njoh vetveten!»

Njohja e vetvetes…pikërisht këtë synonte Agustini i Hippone-s. Shpesh biografët përsërisin një dialog të shkruar nga Agustini me vetveten, pra me Arsyen, që në shekullin e IV të erës sonë:

– Ti që do të njohësh vetveten, a e di nëse ti ekziston? – e pyet Arsyeja.

– E di.

– Nga e di?

– Nuk e di.

– Ti mendon se je një qenie e thjeshtë apo e përbërë?

– Nuk e di.

– A e di nëse ti je një qenie në lëvizje?

– Nuk e di.

– A e di nëse mendon?

– E di.

– Pra është e vërtetë që ti mendon?

– Po, kjo është e vërtetë.

Një vit më vonë, në vitin 387, Agustini u pagëzua nga vetë peshkopi Ambroise, i cili e çmonte shumë. Kjo kishte ndodhur në natën e datës 24 prill, siç shkruan vetë Agustini: «Sa shumë isha i mallëngjyer. Lotët binin nga sytë e mi kur dëgjoja të kumbonte kori melodioz i kishës dhe himnet e kantikët që ngriheshin drejt teje, o Zot! Ndërkohë që fjalët qiellore depërtonin në veshët e mi, e vërteta tënde hynte ëmbëlsisht brenda meje në zemrën time… » (Confessio). Në Milano, ai shkroi dhe një nga veprat e njohura të tij të titulluar Contra Academicos (Kundër akademikëve), një lloj debati që zhvillojnë nxënësit e tij mbi dijen, kufirin e njohjes, mbi lumturinë apo mundësinë për të njohur të Vertetën e ku shpesh, ai i referohet Platonit dhe filozofëve të tjerë helenas, duke afruar kështu në një lloj mënyre platonizmin me Kristianizmin.

Në Milano, Agustini nuk qëndroi shumë. Donte të ishte në një vend më të qetë, larg trazirave politike, që të mund të shkruante veprat e tij. Kështu, bashkë me nënën e tij, ai u tërhoq për ca kohë në Ostie, pranë Romës. Kishte vendosur të kthehej në një «servi Dei», pra në «një shërbyes i Zotit». Këtë emër do të marrin edhe pasuesit e tij. Pak kohë pasi ishin vendosur në Ostie, në qytetin kur tre shekuj më parë ishte martirizuar idhulli i tij, Shën Pali, Agustinit i vdes e ëma. Ai e përshkruan me nostalgji humbjen e nënës së tij e veçanërisht bisedën e tyre të fundit, kur atë ditë, pështetur në parvazin e dritares, ata bisedonin të dy, nënë e bir. «Bisedonim vetëm, të dy, me një ëmbëlsi të jashtëzakonshme. E kishim harruar të kaluarën dhe bisedonim për të ardhmen, duke kërkuar të zbulonim se çfarë ishte jeta e shenjtëve, ajo që sytë tanë ende nuk e kanë parë, o Zot, dhe ajo që veshët tanë nuk e kanë dëgjuar ende. Ne hapnim gojën e zemrës për të pirë ujrat qiellore të atij burimi jetësor… Atëherë nëna më tha: Biri im! Asgjë nuk më tërheq më nga kjo jetë. Nuk e di pse jam ende dhe se çfarë duhet të bëj, pasi dëshira ime është plotësuar tashmë. Gjithë jetën kam dashur të të shoh katolik. Dhe Zoti ma plotësoi këtë.» (Confessio).

Pas vdekjes së nënës, shumë shpejt, një dramë tjetër e madhe e goditi papritur: vdekja e birit të tij, Adeodat. I trishtuar në kulm dhe me një boshllëk të madh në zemër, më së fundi ai kërkoi të tërhiqej në Hippone dhe të bënte jetën e një murgu të thjeshtë, duke u marrë me librat e tij. Por fama do ta ndiqte gjersa më së fundi, besimtarët e panë si peshkopin e tyre. Në fillim ai kërkoi të gjejë apo të hapë një manastir për pasuesit e tij. “Isha i lumtur sepse Hippone e kishte peshkopin e vet.” Por shpejt, Augustini u bë popullor dhe peshkopi i kërkonte vazhdimisht të predikonte, pasi nuk donte që ai të ikte. Madje e ndihmoi financiarisht për ndërtimin e manastirit të tij, i cili do të bëhej një shkollë e vërtetë predikuesish. Pikërisht në këtë kohë, ai nisi të shkruajë dhe librin më të famshëm të tij, Rrëfimet, që nuk janë thjesht rrëfime dhe përmbledhje kujtimesh, por një libër prekës, një rikthim plot ankth në të kaluarën. “Një lloj psikoterapie dhe një manifest i botës së brendshme, me dramat që kishte kaluar», – shkruan biografi Peter Brown.

 

 

 

Agustini në “Qytetin e Zotit”

 

 

Që prej dyqind vjetësh, Hiponne ishte një “civitas romana”, pra nje qytezë romane e Afrikës së veriut dhe me një të kaluar njëmijëvjeçare. Më në fund, Agustini u shpall peshkop i Hippo Regium. Nga viti 395 e deri në vitin 413, ai shkroi rreth 35 libra, ku ndër më të njohurat dhe më të përkthyerat është Qyteti i Zotit, (Cité de Dieu), në tre volume. Një pjesë e madhe e tyre i kushtohen polemikave të mëdha që zhvilloheshin atëherë në gjirin e Kristianizmit. Në librin Qyteti i Zotit, i shkruar në vitin 413 (deri në 426), në moshën 72-vjeçare, ndër të tjera, Agustini shkruante: “Dy dashuri, kanë krijuar dy qytete: atë tokësore, për vetveten, gjer në përbuzjen ndaj Zotit, dhe atë qiellore, të dashurisë për Zotin, gjer në përbuzjen ndaj vetvetes. Njëra kërkon lavdinë midis njerëzve, ndërsa tjetra veç lavdinë e Zotit…” Duke iu referuar Agustinit dhe pikërisht këtij libri, filozofi francez Pascal, shkruante se “Agustini ka treguar se njeriu nuk është kurrë i lirë, por gjithnjë i lidhur dhe i robëruar nga kënaqësia…” Pra Kristianizmi për Agustinin, ishte gjithnjë i pandarë nga “peché original”, nga mëkati.

 

 

 

 

 

Në historinë e jetës së Agustinit është i njohur gjithashtu debati filozofik e doktrinal me priftin Pelage, i cili në atë kohë, i shtyrë nga peshkopi i Jeruzalemit, i ishte kundërvënë librave dhe doktrinës së Shën Palit. Pelage ishte në fakt një personalitet që e kishte bërë për vete aristokracinë e Romës dhe që më pas kishte shkuar në Jeruzalem. Agustini, që e njihte mirë doktrinën e Shën Palit, menjëherë u hodh në mbrojtje të tij, duke dënuar idetë radikale e konservatore të Pelage, gjersa Papa e detyroi Pelage-n të largohej nga Jeruzalemi dhe që atëherë ky fetar u zhduk nga skena e debatit doktrinal.

Në fushën doktrinale, Agustini asnjëherë nuk predikoi kryqëzatën apo “Luftën e Shenjtë” kundër të “pabesëve” apo armiqve të Kishës. Sigurisht, ai ishte për “Luftën e Drejtë”, për atë luftë që arrinte t’i çarmatoste kundështarët e Kishës, në mënyrë që ata mos të kishin mundësi ta luftonin atë. Ai ishte kundër dënimit me vdekje, qoftë dhe ndaj heretikëve. “Kur Kisha kërcënohet, – i shkruante ai papës Boniface, – shteti duhet ta garantojë ekzistencën e saj përmes “luftës së Drejtë”, përmes të cilës mund të sigurohet Paqja.”

 

 

Fides, proles, sacramentum…

 

 

Edhe mbi seksualitetin, që kur ishte në Milano dhe i referohej platonizmit, Agustini kishte një koncept novator, çka e dallonte atë nga pararendësit e tij dhe dinjitarët që drejtonin Kishën Kristiane. Ndryshe nga ata, të cilët e shikonin seksin si një të keqe në vetvete dhe si një shpikje të Djallit, Agustini pohonte se seksualiteti duhej domosdoshmërisht t’i përkiste Idealit origjinal të Zotit, për burrin dhe gruan. Për Agustinin, ajo që përbënte mëkat, nuk ishte akti seksual në vetvete, por motivi egoist seksist që tjetrin e kthen në një objekt të dëshirave të tij, duke iu referuar në këtë mënyrë Platonit. Agustini e pranonte se në qenien e njeriut ekzistonte “uis voluptatis”, kjo forcë e voluptetit, pra kjo nxehtësi që merr trupi gjatë aktit seksual”, siç thoshte ai. Këtë veprim, ai e shikonte si një kërkesë të Zotit për të bërë të mundur krijimin e familjes, pra kjo “libido”, vinte si të thuash nga vetë Zoti. Ishte ai që e ndizte këtë “color genitalis”. Në pikëpamjet e tij, Agustini ishte kundër peshkopit Julien të Eclanes, i cili e përjashtonte Jezunë nga këto punë. Madje, Julieni e kritikonte Agustinin se ai e trajtonte Jezunë si një «eunuk». Në këtë frymë, Agustini shkroi më vonë dhe Mbi të mirën e martesës, e mbështetur sipas tij në tre principe bazë: në «fides» (besnikëria e çiftit), «proles» (krijimi i familjes) dhe «sacramentum», lidhja dhe përkushtimi ndaj Zotit. Në fakt, vetë Agustini, gjatë 15 vjetëve, kishte shijuar jetën seksuale jashtë «sacramentum», përmes shumë aventurash, siç dhe shkruante për jetën e mëparshme, «dashurinë e trupit», e cila «merrte hov në shenjën më të vogël»: «Unë si një fatkeq dhe skllav i dëshirave, shkova me një grua tjetër, sigurisht jo legjitime, si për të zgjatur sëmundjen e zemrës time»…. Sidoqoftë, midis spiritualitetit dhe seksualitetit, ai i jepete përparësi shpirtit. Kur «seksualiteti bëhet qëllim në vetvete» thoshte ai, «kjo e prish shpirtin, e cënon arsyen».

Pas pushtimit të Romës nga mbreti i vizigotëve Alaric, pas plaçkitjes e djegjes së saj, shumë mendimtarë e filozofë të asaj kohe ikën nga Roma dhe zbarkuan në qytezat romake të Afrikës së Veriut. Disa prej tyre shkuan dhe në Hippone të takonin filozofin më të madh të asaj kohe, Agustinin. Libri Qyteti i Zotit, shpejt do të kthehej në një referencë e madhe për gjeneratat e mëvonshme. Ky ishte dhe libri i fundit i tij. I sëmurë, i lodhur nga jeta, ai do të jetonte dhe trembëdhjetë vjet të tjera, gjersa në fundin e jetës së tij do të përjetonte sulmin e vandalëve dhe mbi Hippone, në vitin 429, kur ata vinin nga Spanja. Shumë nga banorët ikën, por Agustini priste vdekjen i qetë, në atë rrethim që zgjati shumë kohë. Qyteti u shkatërrua, por me sa duket, atë plak, vandalët nuk e vranë. Në 28 gusht të vitit 430, zemra e peshkopit 76 vjeçar të Hippone-s pushoi së rrahuri. Ishte zëvendësi i tij Eraclius që do ta varroste. Shumë nga dorëshkrimet e tij dhe “Scriptorium”- in e pasur, ku punonin murgjit skribë, i ruajti një nga besnikët më të afërt të tij, Possidus de Calama, i cili do të shkruante më pas dhe një biografi për të. Kështu largohej nga kjo botë, njeriu që foli për «qytetin e Zotit» dhe «rrëfeu» jetën tokësore të tij.

Që atëherë, bota e dijes nuk reshti duke iu referuar gjithnjë mendimit novator të Agustinit, librat e të cilit u bënë “best-sellers” dhe për laikët. Një nga studimet më interesante është padyshim dhe ai i Hannah Arendt, Dashuria te Shën Agustinit, që ajo do t’ia kushtonte filozofit të madh, por dhe studimet e Michel Foucault, vështruar nën jë frymë moderne në librin «Rrëfimet e trupit» («Les aveux de la chair»)…/Konica.al

 

Luan Rama

 

 

 

 

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Ungjilli i Judës

Kush Kallëzoi Krishtin?


U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit